Është një sfidë e veçantë. Është një përgjegjësi e veçantë për të gjithë ne, për mua dhe për brezin që jetojmë se bashku pa dallim moshe.Pra, është një kohë e përmbylljes të një procesi të madh për Kosovën dhe natyrisht se krahas kësaj sfide e ndjejmë edhe nevojën e përkushtimit.
BBC: Si rrodhi vizita në Britania të Madhe?Zoti Sejdiu: Unë mendoj se është një vizitë shumë e rëndësishme. Në takimet që kishim me të gjithë përfaqësuesit, edhe me të qeverisë, edhe në parlament. Edhe së fundi edhe me takimin që kishim me Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme ishte një rikonfirmim i përkushtimit të veçantë që ka Britania e Madhe ndaj Kosovës, ndaj procesit për statusin e saj dhe definimin sa më shpejt. Dhe me këtë mund të them se vërtet të gjitha bisedat ishin biseda shumë të çiltra, biseda që japin një kah të veçantë për procesin, në kuptimin e angazhimit të drejtpërdrejtë të Britanisë se Madhe, në kuadër të Bashkimit Evropian për të involvuar të gjithë faktorët e mundshëm që ky proces të përfundojë sa më shpejt dhe duke pasur po ashtu parasysh edhe përkushtimin e veçantë të Britanisë së Madhe për proceset e tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e Kosovës.Në këtë drejtim po them se për ne është me peshë të veçantë edhe në kohën që jemi duke e jetuar së bashku. Dhe kujtoj se mund të themi që Britania e Madhe është nga partnerët e rëndësishëm bashkë me vendet e tjera kyçe të Bashkimit Evropian dhe natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ju kanë gjendur Kosovës edhe në këto orë të rrugëtimit të saj për të definuar statusin e saj politik dhe për të arritur me demokracinë.BBC: Zoti Sejdiu si president i Kosovës, me përgjegjësinë e figurës më të lartë politike të atij vendi, a mund të më thoni se nëse pas datës 10 dhjetor nuk arrihet një marrëveshje e negociuar nga Treshja, a do ta shpallni pavarësinë e njëanshme të Kosovës?Zoti Sejdiu: Unë mund të them se do të ecim në hapa të koordinuar me faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë dhe këta hapa janë të nevojshëm për Kosovën, të nevojshëm që të bëhen hapa të shpejtë sepse vërtet ekziston një pritje e madhe, një shqetësim i madh tek qytetarët e Kosovës. Por po ashtu kemi një besim të plotë që Kosova do të ndihmohet edhe në këtë proces të përmbylljes të suksesshme. Për ne është me rëndësi që veprimet që do t’i bëjmë, do të jenë veprime të efektshme edhe në kuptim edhe të realizimit dhe besoj se do të pasojë pikërisht për pak ditë një proces i procedurave ndoshta të nevojshme në mënyrë që të përmbyllet. Unë mund të mos them datë nga ky moment, sepse është shumë e vështirë. Për në është me rëndësi që vërtet kemi një kornizë për mbylljen e procesit më 10 dhjetor, në kuptimin e raportimit të Sekretarit të Përgjithshëm dhe besoj se kahe të tjera apo zhvillime të tjera janë të studiuara mirë në mënyrë që ato të kenë rezultatin e vet.BBC: A ishte ky opinioni i shefit të diplomacisë britanike? Do ta përkrahë Britania e Madhe pas Shteteve të Bashkuara një shpallje eventuale të njëanshme të pavarësisë së Kosovës?Zoti Sejdiu: Britania e Madhe është në një proces të përbashkët, them me Shtetet e Bashkuara dhe me vendet kyçe të Bashkimit Evropian dhe për ne është me rëndësi që të ecim në një koordinim normal. Ajo që është e nevojshme është se kuvendi apo parlamenti i Kosovës duhet të marrë vendimin e vet, por ky vendim vërtet të reflektojë si rezultati i një koordinimi që thashë dhe më parë dhe që natyrisht do të jetë shprehje e vullnetit politik tonë.BBC: Ju bëra një pyetje edhe në konferencën e shtypit në lidhje me një marrëveshje të Dejtonit për Kosovën që ka qarkulluar në media dhe i është futur në gojë përfaqësuesit të Treshes, zotit Ischinger. Ju mendoni se është e panevojshme një konferencë e tillë e tipit të Dejtonit për Kosovën?Zoti Sejdiu: Por unë mund të përsëris edhe përgjigjen që ju kam dhënë në konferencën për shtyp. Them se ne jemi në një proces ndërkombëtar, proces që është thellë në kuptimin e angazhimit të faktorëve kyçë të skenës ndërkombëtare, që nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, pastaj vendet që kanë përfaqësues të tyre, flas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesi i Federatës Ruse që është në kuadër të Treshes. Dhe kujtojmë se kjo do të përmbyllet edhe me përpjekjet e tyre për të gjetur formulën më të mirë mbështetëse për rekomandim tek Sekretari i Përgjithshëm.Unë nuk e quaj se këta njerëz kanë mandatin e dhënies së ideve apo imponimit të qarqeve të caktuara.Prandaj dua të them se ne do të jemi të përkushtuar që të përmbyllim këtë proces nga ana jonë me kontributin aktiv. Nuk do të jemi palë që do të obstruktojmë procesin sikur s’kemi qenë as në procesin Ahtisaari.Dhe finalisht, do të jemi palë që dëshirojmë që me të vërtetë të mos ketë zgjatje të tjera. Çdo qasje eventuale që mund të ketë ngjyrën apo natyrën e prolongimit të procesit sikur nganjëherë ka ndokush që mund ta kërkojë sigurisht që është e rrezikshme dhe vazhdon këtë status-quo dhe natyrisht prodhon efekte të tjera negative. Prandaj, unë do ta kuptoja drejt vetëm qasjen aktive për të përmbyllë procesin, ndoshta në një dinamizëm të tij jo me kuptimin e aktivizimit e ditëve të ngjeshura të kontakteve dhe ato si të tilla të përfundojnë në këtë datë që nuk është çështje fiksioni por që është megjithatë një datë që lidhet me një premtim se ky proces s’duhet të përfundojë dhe s’mund të jetë një odisejadë e vazhdueshme.BBC: Në shërbim të përfundimit të këtij procesi mund të bëhet ndonjë lloj kompromisi me pavarësinë?Zoti Sejdiu: Jo, Kosova i ka bërë kompromiset e veta. Vetë pavarësia e Kosovës në këtë kuptim të pakos të presidentit Ahtisaari që e konsiderojmë si dokument të balancave dhe të kompromiseve të mëdha, është një kompromis i veçantë. Për ne është me rëndësi se çmojmë realitetet e krijuara në Evropën Juglindore. Edhe Kosova është realitet brenda kufijve të saj. Prandaj në s’kemi asnjë këmbim me këtë formulë të pavarësimit të Kosovës. Nuk kemi asnjë këmbim në kuptimin e tërësisë territoriale të Kosovës që është i pacenueshëm dhe i mbrojtur edhe me dokumente ndërkombëtare dhe ne qasjet që ka në veçanti Grupi i Kontaktit.Dhe finalisht mund të themi se dëshirojmë që të jemi pjesë e një ecjeje të suksesshme në integrimet euroatlantike. Ndaj këto janë ato që ne kemi bërë edhe në kuptimin e ambicies sonë edhe në kuptimin e kompromiseve të bëra me pakon e presidentit Ahtisaari. Kujtoni që shumë zgjedhje që ne i kemi ofruar atje, janë zgjedhje që një pjesë përputhen me standardet ndërkombëtare por një pjesë e tyre janë edhe përtej tyre. Prandaj Kosova mund të jetë edhe model në ofertën e vet që ka bërë. Dhe për këtë arsye ne kemi mbërritur një limit të qasjes sonë. Është në të tjerët që të kuptojnë realitetet dhe zhvillimet. Është në të tjerët që të mos mbajnë peng proceset në rajon, do të thosha sepse me mbylljen e çështjes së Kosovës praktikisht do të kontribuohet drejtpërdrejt në mbylljen e shumë tensioneve të krijuara dhe që realisht Kosova të jetë edhe prodhues i stabilitetit bashkë me vendet e tjera.BBC: Me të tjerët takoheni javën e ardhshme, në fundjavë në takimin e drejtpërdrejtë. Prisni diçka të re nga ky takim?Zoti Sejdiu: Ne do të eksplorojmë gjithë qasjen tonë me shpjegime të bollshme të idesë sonë që kemi propozuar për traktatin mbi miqësinë e mirë me shtetin e Serbisë, shteti i Kosovës si shtet sovran dhe të Serbisë. Flasim për të ardhmen gjithmonë. Nuk duam t’i kthehemi më historisë dhe për ne nuk janë të pranueshme qasjet që praktikisht e kanë gjykimin apo logjikën e tyre të shekujve të kaluar, kur dikush, në këtë rast Serbia që e ka një ndjenjë të tillë dëshiron të jetë hegjemon për të tjerët.BBC: Si ndjeheni si president i një vendi që pritet të pavarësohet këto ditë?Zoti Sejdiu: Është një sfidë e veçantë. Është një përgjegjësi e veçantë për të gjithë ne, për mua dhe për brezin që jetojmë se bashku pa dallim moshe.Pra, është një kohë e përmbylljes të një procesi të madh për Kosovën dhe natyrisht se krahas kësaj sfide e ndjejmë edhe nevojën e përkushtimit.