DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Australia premton përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën

10.11.2009. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot një takim z. Michael Potts, ambasador i Australisë në vendin tonë, i cili i dorëzoi letrat kredenciale.

Gjatë këtij takimi, Presidenti Sejdiu dhe ambasadori Potts, biseduan rreth zhvillimeve të gjertanishme në vendin tonë, gjegjësisht për zhvillimet në skenën politike, në shtimin e numrit të njohjeve si dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Australia po i jep Kosovës.

“Kisha kënaqësinë që të pranoj sot ambasadorin e Australisë, z. Michael Potts, i akredituar në Kosovë, i cili m’i dorëzoi letrat kredenciale dhe me të cilin biseduam për shumë zhvillime që kemi pasur deri tash, me një falënderim të përhershëm për mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës dhe zotimin për mbështetjen e mëtejshme”, tha Presidenti Sejdiu.

“Biseduam edhe për zhvillimet e tjera në Kosovë, në kuptimin e përmbushjeve së kritereve të mira të jetës për qytetarët e vendit, në bashkëpunimin ekonomik dhe forma të tjera që do të jenë të mundshme me këtë vend që ka peshë të veçantë në skenën ndërkombëtare, sidomos edhe në mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në proceset e tanishme po ashtu edhe në nivel të mbështetjes për sigurimin e njohjeve të reja”, vijoi Presidenti Sejdiu . 

Edhe ambasadori Potts, edhe vendi i tij Australia e posaçërisht Kryeministri i Australisë, kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë më ndihmën dhe përkrahjen e fuqishme që i kanë dhënë Kosovës në takime të ndryshme ndërkombëtare.

“Z. Ambasador, i cili ka një background të pasur të karrierës së tij diplomatike dha edhe një zotim personal se do të angazhohet që tek shumë vende të thotë një fjalë plus për Kosovën, dhe besoj se do ta bëjë. Por të njëjtën kohë edhe vendi i tij, posaçërisht kryeministri i Australisë, çdo kund në çdo tubim ndërkombëtar çështjen e Kosovës e ka temë pozitive të rrëfimit dhe të angazhimit për të, dhe besoj se do të vazhdojë edhe në rastet e mëtejshme. Prandaj, një falënderim të madhe për Australinë për mbështetjen që i jep Kosovës dhe një derë e hapur e bashkëpunimit gjithmonë”, tha  Sejdiu.

Ndërsa ambasadori Potts përsëriti zotimin e tij për bashkëpunimin dhe përkrahjen dhënë  për ngritjen e numrit të vendeve që do ta njohin Republikën e Kosovës, e posaçërisht premtoi inkurajimin e  fqinjëve të Australisë, për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. 

“Në Kosovë kanë ndodhur shumë zhvillime pozitive, deri më tash pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 63 vende dhe ne dëshirojmë të punojmë me Kosovën në mënyrë që numri i këtyre njohjeve të rritet, e posaçërisht do të inkurajojmë disa nga fqinjët tanë që ta njohin pavarësinë e Kosovës” theksoi ambasadori Potts.

Ai theksoi se si ambasador i Australisë në Kosovës, për periudhën e ardhshme 3 vjecare do të angazhohet që të ndërtojë marrëdhënie të mira mes dy vendeve dhe do t’i inkurajojmë një numër të madh të kosovarëve që jetojnë dhe janë shkolluar në Australi të japin kontributin e tyre në rindërtimin e Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.