– “Arabia Saudite nuk do të kursejë asgjë në përkrahjen e Republikës së Kosovës, sidomos në përkrahjen në institucionet ndërkombëtare”, theksoi ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, jorezident në Prishtinë, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim, gjatë një takimi me Presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, me ç’rast ia dorëzoi letrat kredenciale.
Presidenti Sejdiu falënderoi ambasadorin Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim për përkrahjen e vazhdueshme që Arabia Saudite i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës, si dhe ka çmuar si shumë të rëndësishëm vendimin e këtij shteti për njohjen e pavarësisë së Kosovës.“Vendimi i shtetit tuaj për njohjen e Republikës së Kosovës është vendim i një populli që ka ditur të vlerësojë vlerat tona”, tha Presidenti Sejdiu. “Vendimi për njohjen e shtetit të Kosovës ka vlerë të madhe për ne”, vijoi Presidenti Sejdiu, duke përkujtuar se Arabia Saudite është vend lider në botën arabe, si dhe është vend që e ka përkrahur Republikën e Kosovës në të gjitha proceset e deritashme, duke nisur nga ndihmat humanitare në kohët e mëhershme e deri te përkrahja e fuqishme për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar.Duke konsideruar si shumë të rëndësishme vizitën e ambasadorit Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim, Presidenti Sejdiu tha se njohja nga Arabia Saudite dhe hapja e ambasadës paraqesin një kaptinë të re në marrëdhëniet mes të dy shteteve.Nga ana e tij, ambasadori i Arabisë Saudite e quajti nder që do të jetë ambasadori i parë i shtetit të tij në shtetin mik të Kosovës. Ai gjithashtu theksoi se Arabia Saudite do të jetë përkrahëse e vazhdueshme e Republikës së Kosovës në të gjitha proceset.