presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Adresimi i u.d Presidentes së Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani

Adresimi i u.d Presidentes së Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
Vendi ynë po kalon ditë të vështira.
 
Qytetarë të Kosovës duhet të dëshmojnë unitet dhe besnikëri ndaj projektit tonë të përbashkët, Republikës sonë.
 
Vendi ynë ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit.
 
Prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale dhe ta forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit tonë, sepse shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar ato dinjitetshëm.
 
Ne jemi të vetëdijshëm se veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore, të cilat Kosova i ka pranuar.
 
Proceset që vinë pas nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për lirinë, i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtarëve të Ushtrisë tonë çlirimtare. 
 
Unë dua t'u shpreh vlerësimin tim të gjithëve atyre të cilët kanë treguar vendosmëri dhe besim në institucione dhe i janë përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara, duke dëshmuar kështu besim  të palëkundur në drejtësi.
 
Të dashur qytetarë,
 
Beteja për shtetndërtim është beteja më e vështirë politike. Prandaj, urtia dhe mençuria, tipare të traditës sonë janë të nevojshme në këtë moment. Kjo kohë kërkon lidership të fuqishëm dhe përgjigje të unifikuar shtetërore. 
 
Sot, kur vendi ynë përballët edhe me pandeminë, ne kemi nevojë për solidaritet dhe mirëkuptim të plotë më njëri-tjetrin.
 
Si ushtruese e detyrës së Presidentes, do të përkushtohem që funksionin tim ta ushtroj duke i promovuar pikërisht këto vlera.
 
Gjatë këtij rrugëtimi, sikurse edhe deri më tash, do të angazhohem çdo ditë që Kosova të bëhet shtet ku ëndrrat e qytetarëve tanë jetësohen, ku krijohen mundësi të barabarta për të gjithë, në të gjitha sferat. Do të sigurohem që zëri im t’i bashkangjitet zërit të qytetarëve e të jehojë më fort së kurrë.
 
Prandaj, dua t'ju lus, si qytetarë të këtij vendi, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike, të qëndrojmë fort afër njëri-tjetrit, për të dëshmuar se  kuptojmë dhe i ndajmë këto vlera më njëri-tjetrin.
 
Unë jam e bindur se si vend dhe të gjithë së bashku do të qëndrojmë fort.
 
Angazhimi ynë për shtet ligjor na ka përballur me sfida të rënda, por ne nuk kemi hequr dorë nga përkushtimi për konsolidim të shtetit dhe për kultivim të vlerave demokratike. Pavarësisht sfidave ne kemi qëndruar fortë në besimin tonë të cilin ju thërras ta dëshmojmë edhe në këto momente të vështira.
 
E kemi ruajtur këtë shpresë e këtë besim edhe kur kemi qenë viktimë e një agresioni të rëndë.
 
Serbia i ka vrarë mbi 13 mijë njerëz në Kosovë, 1133 prej tyre ishin fëmijë, më së shumti në të gjitha luftërat e zhvilluara në hapësirën e ish-Jugosllavisë për kokë banori.
 
Paqja e qëndrueshme në rajon, prandaj, kërkon që viktimat dhe agresorët të mos barazohen.
 
Ne shqiptarët e Kosovës kemi qenë viktimë e hegjemonisë të një shteti gjenocidal.
Kurse Serbia ishte shteti që kreu këto krime. Këtë duhet ta themi çdo herë më zë të lartë, këtu e në çdo vend tjetër.
 
Si ushtruese e detyrës së Presidentes do të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve, do ta ruaj kohezionin institucional, stabilitetin dhe unitetin e vendit.
 
Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e Kosovës dhe miqtë e saj! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.