Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore, i ka filluar konsultimet me përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend, si dhe me kryetaren e KQZ-së, zonjën Valdete Daka, për përcaktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në Kosovë, bazuar në afatet ligjore.
Presidentja Jahjaga, pas vendimit të Kuvendit të Republikës për shpërndarje, ka zhvilluar konsultime me kryetarin e PDK-së z. Hashim Thaçi, kryetarin e LDK-së z. Isa Mustafa, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Albin Kurti, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj, kryetarin e Aleancës Kosova e Re z. Behgjet Pacolli, kryetarin e Partisë së Pavarur Liberale (SLS) z. Slobodan Petroviç, kryetarin e KDTP-së z. Mahir Jagcillar, përfaqësuesit e Grupit 6+, kryetarin e PD-së z. Ferid Agani, nënkryetarin e LDD-së z. Lulzim Zeneli, kryetarin e PSHDK-së z.Ukë Berisha, kryetarin e PSD-së Naser Bytyçi, kryetarin e PL-së z. Gjergj Dedaj, kryetaren e NDS-së, zonjën Emilia Rexhepi, kryetarin e LB-së z.Avni Klinakun.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, bazuar në rolin e saj të faktorit të unitetit dhe të garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve, gjatë takimit me udhëheqësit e partive politike ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend duhet të jenë të lira, të drejta, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse. Ajo ka thënë se vota e qytetarit të Kosovës duhet të jetë e sigurt dhe e garantuar.
Konsultimet me partitë politike në Kosovë do të vazhdojnë edhe ditën e nesërme.










