presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në TEDxPrishtinaWomen

Jam e bindur që secili prej jush, i ka dëgjuar tashmë këto slogane, nëse jo të gjitha, të paktën disa prej tyre.

Nuk duam lule, duam drejtësi!Dëgjo zërin tim!Nuk jemi ne dhe ato, jemi ne dhe jemi një!Mendoj për ty! Dhuro një fustan! Përshëndetje të dashur pjesëmarrës,Jam e bindur që secili prej jush, i ka dëgjuar tashmë këto slogane, nëse jo të gjitha, të paktën disa prej tyre. Secila prej tyre është një thirrje që i bëhet institucioneve dhe të gjithë shoqërisë, për të mos e lene në harresë një krim lufte të kryer mbi popullatën e pafajshme. Thirrje për të thyer heshtjen, për të luftuar stigmën, thirrje për respektim të të drejtave të njeriut, thirrje për veprim, për ndërgjegjësim, për pranim. “Gra e vajza, burra e djem marshojnë në qendër të qytetit, kryelartë dhe të përkushtuar. Me zërin e tyre, me thirrjet e tyre, duan të thyejnë heshtjen. Ata thonë “nuk duam lule, duam drejtësi”. Dhe përsëri ata thonë “dëgjo zërin tim”. Këto mesazhe të fuqishme prekin te gjithë kapilarët e shoqërisë tonë, të shtetit të cilin jemi duke e ndërtuar. Pasi që në thelb synojnë ndërtimin  e  një shoqërie të shëndosh dhe institucioneve përgjegjëse të cilat marrin përsipër obligimet që ato kanë, për t’i shërbyer dhe për t’i trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët pa dallim. Jam e bindur se te secili nga ju ato zgjojnë ndjenjën e memories kolektive që të gjithë ne ndajmë, mbi këtë ngjarje, këtë ndodhi, këtë fatkeqësi, këtë krim, si do që ju e quani atë, që ka ndodhur jo shumë kohë më parë në vendin tonë. Rrëfimi juaj mund të jetë i këtillë: “Ishte luftë, gratë kishin mbetur në shtëpi për tu kujdesur për fëmijët dhe të moshuarit. Ato sakrifikuan çdo gjë”. Ju i lidhni këto fraza edhe me përjetimin dhe pranimin tuaj personal, kur ju keni qenë dëshmitar, keni parë apo keni dëgjuar që gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhuna seksuale veçanërisht ndaj grave dhe vajzave, duke mos përjashtuar burrat dhe djemtë,është përdorur si mjet lufte për të cënuar dinjitetin e viktimave, për të ngjallur ndjenjën e frikës dhe të shtypjes, për të nxitur shpërnguljen dhe për të zhveshur një shoqëri të tërë nga vlerat e saj njerëzore. Rrëfimi juaj mund të vazhdoj edhe kështu: “Dëgjova që kanë bërë kërdinë, i kanë maltretu gratë e vajzat, besa edhe djemtë. E mbaj mend kur isha në kamp të refugjatëve, doktorët, organizatat e huaja, gazetarët folshin për raste të ngjashme të dhunës së ushtruar mbi popullatën e pafajshme veçanërisht mbi gratë, jo vetëm tek ne por edhe në vende të tjera të botës ku ka pas konflikte”. Me siguri që ju i lidhni këto fraza edhe me historinë tuaj të përfshirjes direkte apo indirekte në trajtimin e këtij krimi, me ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore dhe të nevojës për të ndërmarr veprime konkrete, të cilën mund ta keni ndjerë në momente të caktuara. Morra pjesë në protestën e organizuar, vazhdon rrëfimi, duhet ti mbështesim gratë edhe vajzat që ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, nuk është faji i tyre” Jam e bindur që këto slogane i keni ndërlidhur edhe me trajtimin që organizatat jo qeveritare të grave i kanë bërë kësaj çështjeje dhe shërbimet që ato kanë ofruar për rehabilitimin e të mbijetuarëve, me heshtjen që për një kohë të gjatë kishte mbuluar shoqërinë sa herë që çështja e të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës dilte në sipërfaqe, dhe me përgjigjen e vonuar të institucioneve. Ju keni ndjerë nevojën, obligimin për të reaguar, dhe jeni solidarizuar, dikush më shumë e dikush më pak, duke udhëhequr apo duke mbështetur inciativa të ndërmarra nga aktivist të të drejtave të njeriut, nga organizata jo qeveritare të grave, nga këngëtar, artist, nga regjisor, nga akademik, nga parti politike, nga përfaqësues e udhëheqësh institucionesh, nga institucione apo nisma ndërkombëtare. Dhe duke e bërë këtë, keni parë se si diskursi politik, social e publik, për trajtimin e kësaj çështjeje, për trajtimin e të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës, ka filluar të ndryshoj.Më lejoni të ndaj me ju, anën tjetër të kësaj përballjeje të shoqërisë sonë, e cila rrinte në heshtje duke parë përpjekje tona për t’ju kthyer atyre, të drejtat që duhet ti kishin pasur që në momentin e parë, pa paragjykim, pa hezitim, pa diskutim.4 vite më parë, në një moment krize politike e institucionale, që po kërcënonte stabilitetin e vendit, pranova të marr përsipër një detyrë të shenjtë, të udhëheq me shtetin e Kosovës. Që në momentin e parë, u betova që në këtë mision, ashtu siç e kisha bërë deri në atë kohë, do të dedikohesha ti shërbeja qytetarëve të vendit tim, të luftoja për të drejtat e tyre, të bëhesha zëri i tyre brenda dhe jashtë vendit, dhe të isha e pakompromis për të ndërtuar shtetin të cilin të gjithë ne aq shumë e ëndërruam dhe për të cilin aq shumë sakrifikuam breza të tërë. Që në javën e parë, shkova të takoj një grup të grave mbi të cilat rëndonte krimi mizor i dhunës së ushtruar mbi to, i padrejtësisë shoqërore që imponohej mbi to. Shkova të dëgjoj nga afër problemet e tyre dhe t’ju ofroja mbështetjen time për tu përballur me realitetin e hidhur që i rrethonte.Dëgjova rrëfim pas rrëfimi dhe kuptova për një realitet që për mua ishte tepër i rëndë për tu pranuar. Lufta për këto gra nuk kishte përfunduar. E ndërsa ne jetojmë në paqe, padrejtësisht mohojmë të drejtën e tyre për të jetuar ashtu sikurse ne. E mbaj mend se kur u ktheva në zyre, me zemër të rënduar, fillova të pyes se si ne, një shoqëri që kemi vuajtur nga padrejtësitë, sot lejojmë që qytetarët tanë të trajtohen nga padrejtësi të ngjashme. Ne që kemi luftuar për një të ardhme më të mirë, kemi sakrifikuar duke mos e kursyer as jetën,  sot kur jetojmë dhe e gëzojmë paqen, nuk qajmë kokën për ato, heshtim, fajësojmë, paragjykojmë dhe nuk marrim përsipër përgjegjësitë që kemi ndaj njëri-tjetrit. U betova, që mision i imi si Presidente e vendit, do të ishte vënia në vend e drejtësisë për këto gra dhe vajza, edhe për ata burra dhe djem, të cilët ishin mbuluar nga turpi i krimit të kryer padrejtësisht mbi ta. Është e vërtet, të gjitha vendet e botës, të cilat janë prekur nga konfliktet apo luftërat, përballen me pasojën e rëndë të abuzimeve seksuale, të kësaj torture mizore. Është gjithashtu e vërtet, që shoqëritë në mbarë botën ende përballen me tabu, me stigma ndaj viktimave të krimit dhe me kulturën e mos ndëshkimit të kriminelëve. Një vit më parë në Samitin Global të Gruas në Paris, ndava historitë e grave dhe vajzave të Kosovës, historitë e suksesit, të  forcës dhe kurajos që ato e kanë dëshmuar brez pas brezi, në çdo kohë. Ndava gjithashtu përpjekjet e tyre për të rimëkëmbur jetën e familjeve të tyre mbi rrënojat e luftës, përpjekjet për të luftuar paragjykimet dhe stigmën mbi krimin e dhunës seksuale të ushtruar mbi to, përkushtimin e tyre për të ndërtuar paqen dhe shtetin e ri të Kosovës. Atje dëgjova për historitë e shumë grave të tjera nga mbarë bota që kishin kaluar apo po kalojnë nëpër të njëjtat sfida. Atje e gjeta edhe përkrahjen! Mikja ime Sungjoo Kim, udhëheqësja e Fundacionit Sungjoo, ndërsa dhuroi një fond për gratë e Kosovës, tha se gratë e Koresë shumë vite më parë kanë qenë viktima të krimit mizor të abuzimit seksual, të përdorur mbi to si mjet lufte. Ato solidarizohen dhe ofrojnë mbështetjen e tyre për fuqizimin ekonomik të grave që ishin viktima civile të luftës së fundit në Kosovë. Sot derisa unë ju qëndroj pranë, shoh që rrëfimet e tyre kanë filluar të ndryshojnë. Tani ato kanë filluar të bëhen rrëfime të grave të cilat kanë mbështetjen e institucioneve, të komunitetit, të sektorit privat që ka filluar ti konsideroj si potencial për zhvillimin e kompanive të tyre, të sektorit publik që ka filluar ti shoh ato si partnere për avansimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë. E shoh se si shpresa dhe krenaria ka filluar të rikthehet në sytë e tyre! Dhe them me besimin më të plotë, ndërsa sot udhëheq një mekanizëm kombëtar, Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, kur në krahë kam institucionet e vendit, organizatat jo qeveritare të grave të cilat me përkushtim të palëkundur ju qëndrojnë pranë në çdo kohë, në çdo moment, botën e artistëve, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike, të tërë shoqërinë,kur jemi pjesë e nismave ndërkombëtare, të bashkuar si asnjëherë më parë, se hap pas hapi, përpjekje pas përpjekjeje, jemi duke ju kthyer atyre të drejtat të cilat u janë mohuar padrejtësisht. Para disa ditësh, përjetova një emocion të veçantë, kur pash që qytetarë nga çdo cepë i vendit, jo vetëm gra, por edhe burra, ju bashkuan nismës për të ngritur vetëdijen, për të luftuar stigmën mbi këtë pasojë të rëndë të luftës dhe për të shprehur mbështetjen e tyre, duke dhuruar një fustan për instalacionin artistik “Mendoj për ty”. Jam e bindur që kjo mbështetje do të vazhdoj të rritet dita ditës, ndërsa i afrohemi datës kur në stadium të qytetit do të ekspozojmë mijëra fustane, duke dërguar njëzëri mesazhin se paqja jonë do të jetë e plotë, vetëm atëherë kur ato të gjejnë paqe. Siç ka thënë humanistja e shquar shqiptare Nënë Tereza: “Paqja fillon me një buzëqeshje”. Pa dyshim, kemi ende shumë punë për të bërë, rruga drejtë rehabilitimit, riintegrimit dhe risocializimin të plotë të tyre, është ende e gjatë, me sfida të shumta.Por ajo që më bën të besoj më shumë se kurrë në këtë mision, është përkushtimi që shoh te secili qytetar, Te secili prej jush që vërtetë besoni se: “Nuk ka ne dhe ato, jemi ne dhe jemi një”. Nuk janë të rralla rastet kur përballja e shoqërisë me çështje të cilat i konsideron  tabu, gjen strehë te heshtja, te përjashtimi apo paragjykimi. Ne ende jemi duke luftuar tabutë që rrethojnë rolin e gruas në shoqëri dhe pjesëmarrjen e saj të barabartë në çdo fushë të jetës. E këtë gjë e bëjmë çdo ditë. E kanë bërë breza të tërë të grave të cilat kanë tejkaluar barrierat, paragjykimet sociale, kanë thyer standarde të imponuara mbi to dhe kanë ndërtuar sistemin e vlerave të barabarta në mes burrave dhe grave. Pa dyshim që e kanë bërë edhe breza të tërë të burrave që i kanë trajtuar vajzat e tyre njësoj me djemtë, që ju kanë ofruar atyre të njëjtat mundësi, apo i kanë trajtuar gratë si partnere të barabarta në avansimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë. E pavarësisht të gjitha përpjekjeve, pavarësisht të dhënave të numërta që dëshmojnë çdo ditë rëndësinë ekonomike, sociale e politike të përfshirjes së barabartë të grave në çdo fushë të jetës, ne vazhdojmë ta trajtojmë çështjen e barazisë gjinore si një çështje të një rëndësie të dytë, si një çështje private madje shpesh herë e etiketojmë edhe si një çështje grash. Dua  të jem e qartë, çështja e barazisë gjinore nuk është asnjëra prej këtyre.Barazia gjinore ka të bëjë me vlerat e një shoqërie që i trajton qytetarët e saj me të njëjtin respekt, që ju garanton atyre të drejta të barabarta, që beson se të gjithë qytetarët pa dallim kanë të drejtë të kenë qasje të barabartë në edukim, në shëndetësi, në burime financiare e ekonomike, të drejta të barabarta në prone, trashëgimi, në drejtësi, në drejtimin që do të marrë e gjithë shoqëria, të drejta të barabarta për të marrë vendime për jetën e tyre, dhe mbi të gjitha të drejtë të barabartë për të jetuar.Barazia gjinore është çështje e respektimit, e mbrojtjes dhe e garantimit të të drejtave të njeriut.Shpesh herë më është bërë pyetja se cili është dallimi midis një Presidenti grua dhe një Presidenti burrë. Gjithmonë i jam përgjigjur se përpos gjinisë, përgjegjësit dhe obligimet janë të njëjta. Është e vërtet, që nga dita e parë jam përballur me stereotipe gjinore, me mentalitetin partiarkal, me paragjykimin që një grua nuk mundet të udhëheq me vendin. Por kjo nuk më ka ndalur që si Presidente e vendit që nga dita e parë të përmbush obligimet e mia të parapara me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Besoj që kam qenë model i mirë i një institucioni të pakorruptuar, të vëmendshëm se si e shpenzon paranë publike, të bazuar në kushtetutë dhe ligje, dhe të hapur ndaj qytetarëve të Kosovës. Në përgjigjen time gjithmonë kam shtuar se si një grua Presidente kam një përgjegjësi të shtuar, për të hapur rrugën për gjeneratat e reja, për të garantuar që vajzat dhe djemt kanë trajtim të barabartë, për të garantuar që nuk do të flasim më për barazi gjinore por për vlera dhe mundësi për të gjithë qytetarët pa dallim.Tetori i vitit 2012, përmes samitit të parë ndërkombëtar të gruas në rajon “Partneriteti për ndryshim: Fuqizimi i gruas” Prishtinën e bëri  kryeqendër të avansimit të të drejtave të grave. Mbi 200 gra nga e gjithë bota, nga fusha të ndryshme të jetës, diskutuan mbi problematikat me të cilat përballen gratë dhe identifikuan rrugën përpara për të siguruar që pjesëmarrja e tyre e plotë dhe e barabartë në çdo fushë të jetës të garantohet. Këto diskutime dhe përvoja i kurorëzuam me Parimet e Prishtinës, një udhërrëfyes për të gjitha shoqëritë që synojnë paqen dhe sigurinë, zhvillimin ekonomik, demokracinë e qendrueshme, mirëqenien sociale.  Këto Parime riafirmuan që asnjëra prej këtyre synimeve nuk mund të arrihet pa përfshirjen e drejtëpërdrejtë të grave në secilën fushë. Dhe tani — kemi filluar të jetësojmë këto Parime dhe të shohim rezulatetet pozitive që ato sjellin për të gjithë shoqërinë. E filluam me formimin e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, me kalimin e Rezolutës së Parimeve të Prishtinës në Kuvendin e Kosovës, me hapjen e Programit për Studime Gjinore pranë Universitetit të Prishtinës, me iniciativat për regjistrimin e pronës në emrin e të dy bashkëshortëve, me rehabilitimin e të mbijetuarëve të dhunës seksuale dhe shumë iniciativa të tjera. Pa asnjë dyshim, tejkalimi i mentalitetit patriarkal, i stereotipeve gjinore dhe i paragjykimeve nuk është i lehtë, veçanërisht kur gratë fillojnë dhe zënë vendet të cilat shoqëria deri vonë i ka parë si të rezervuara apo eksluzive për burrat. Duhet të sigurohemi që gratë zënë vendin e duhur në tavolinat vendimmarrëse.Ndërsa krenohemi me të arriturat tona, pa dyshim që jemi të vetëdijshëm që ky progres është i ngadaltë dhe jo gjithmonë shkon drejtë avansimin dhe përfshirjes më të madhe të grave në çdo fushë të jetës, në çdo nivel përfaqësimi. Por në të njejten kohë jemi dëshmitar që tejkalimi i këtyre barrierave nuk është i pamundur. Sot unë qëndroj para jush si Presidentja e parë grua jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. Jam e bindur se secili prej jush mund të ndajë shembuj të shumë grave e vajzave, që kanë ndjekur ëndrrat e tyre, që kanë sfiduar mentalitetin, që me historitë e tyre të suksesit, pavarësisht nëse janë bërë publike apo jo, kanë dhënë kontributin e tyre që ne sot të jetojmë në një shoqëri më të barbartë dhe më të avansuar. Dikur shembujt e tillë ishin më të veçantë, më të rrallë ndërsa sot janë të dukshëm. Forca, vlera dhe rëndësia e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në çdo fushë të jetës, sot është shumë evidente. Duhet të angazhohemi së bashku për të tejkaluar mentalitetin patriarkal i cili ende mbizotëron diskursin publik, jo vetëm për t’ju ofruar grave dhe vajzave një të ardhme më të mirë, por për të mos mbajtur peng të ardhmen e gjithë shoqërisë.Në këto 4 vite  me krenarinë më të madhe kam marrë me vete historinë e grave të Kosovës, nëpërmjet rrëfimeve të tyre, kam treguar rrugëtimin e shoqërisë tonë për të tejkaluar vështirësitë, për të gjetur forcën për mbijetesë, për të rikthyer shpresën për të ardhme më të mirë, për të rigjetur besimin. Kudo që kam shkuar, më këdo që janë takuar në botë, kam pasur nderin më të lartë të paraqes këtë anë të historisë tonë, e cila shpesh herë mbetet në hije. I kam ndarë me të tjerët, këto histori , për të treguar që gratë kanë qenë pjesë e pandashme e të gjitha proceseve nëpër të cilat kemi kaluar dhe roli I tyre vazhdon të jetë jetik për ndërtimin e të ardhmes tonë. Një shoqëri me vizion, investimin në qytetarët e saj pa dallim e konsideron themel të progresit të saj të gjithëmbarshëm. Gratë dhe vajzat e Kosovës gjithmonë kanë besuar në shoqërinë e tyre. Është momenti, është koha që ne të dëshmojmë që besimin e tyre e trajtojmë me respektin më të lartë, duke besuar në to. Edhe njëherë dua ti rikthehem Nënë Terezës e cila thoshte: “Nëse paragjykojmë, nuk gjejmë kohë ta duam njëri-tjetrin. E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur ende, kemi vetëm ditën e sotme. Le të fillojmë”.Është koha të ndërtojmë shoqëri pa tabu.Dhe krejt në fundSome leader are born women (Geraldine Ferraro)Ju falemnderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.