Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sot në manifestimin tradicional ecja simbolike në mbështetje të grave të prekura me kancer të gjirit.
Me këtë rast, Presidentja Shiroka Pula ka thënë se sot jemi bashkë për ta përcjellë mesazhin e qartë se zbulimi i hershëm shpëton jetë.
Ajo më tej ka thënë se kanceri i gjirit prek shumë gra dhe familje, prandaj, sipas saj, përballja me këtë sëmundje kërkon guxim, kujdes dhe mbështetje, por kërkon edhe ndërgjegjësim.
Presidentja Shiroka Pula ka thënë se asnjë grua nuk duhet ta shtyjë kontrollin shëndetësor nga frika apo mungesa e informacionit.
Sipas Klinikës së Onkologjisë, ka theksuar Presidentja, çdo vit identifikohen rreth 450 deri në 460 gra me kancer të gjirit, prandaj, ka thënë ajo, ndërgjegjësimi dhe kontrollet e rregullta janë të rëndësishme.
Presidentja Shiroka Pula ka theksuar se zbulimi i hershëm rrit mundësitë për trajtim të suksesshëm dhe mbijetesë, prandaj sipas saj, duhet të synojmë që sa më shumë gra ta zbulojnë sëmundjen në fazat e para.
Për këtë, sipas saj, nevojiten kontrolle të rregullta, informim i vazhdueshëm dhe shërbime shëndetësore të qasshme për të gjitha gratë.
Më tej, Presidentja ka thënë se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, derisa ka shtuar se nëpërmjet mamografëve mobilë, shërbimet po afrohen edhe te gratë në komunat ku mungojnë këto pajisje.
Presidentja ka thënë se kujdesi për shëndetin nuk duhet të jetë çështje vetëm e muajit rozë, duhet të jetë pjesë e angazhimit gjatë gjithë vitit.
Më tej, Presidentja Shiroka Pula u ka bërë thirrje të gjitha grave që të mos e neglizhojnë shëndetin, të kontrollohen me kohë, të bisedojnë me profesionistët shëndetësorë si dhe t’i inkurajojnë edhe gratë e tjera që të kujdesen për veten.
Ajo ka thënë se sot jemi këtu edhe për t’ju dhënë mbështetje atyre që po përballen me këtë sëmundje, jemi pranë grave që po trajtohen, pranë atyre që e kanë kaluar këtë betejë dhe pranë familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.
Presidentja Shiroka Pula më tej tha se le ta shndërrojmë këtë marsh në një zotim të përbashkët, të flasim më shumë për parandalimin, të kërkojmë kontrolle të rregullta.
Sepse, sipas saj, pas çdo kontrolli mund të qëndrojë një mundësi për zbulim të hershëm dhe pas çdo zbulimi të hershëm, një mundësi më e madhe për jetë.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN






