Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e shënimit të Ditës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se ka universitete historia e të cilave shkruhet kryesisht në auditorë, biblioteka e laboratorë.
Ajo tha se historia e Universitetit të Prishtinës është shkruar edhe në rrugë, në protesta, në shtëpi të kthyera në salla mësimi dhe, mbi të gjitha, nga breza studentësh që nuk pranuan të qëndronin indiferentë ndaj kohës së tyre.
“Në ligjëratën e tij “Misioni i universitetit”, filozofi Ortega thotë se në zemër të universitetit është studenti. Më shumë se disiplinat që mësohen aty dhe më shumë se profesorët që japin mësim, universiteti ekziston për studentin. Ortega kërkonte nga universiteti diçka më shumë sesa të përgatiste profesionistë të mirë. Ai besonte se universiteti duhet ta ndihmojë studentin ta kuptojë idenë e madhe të kohës së vet dhe të jetë i aftë t’i përgjigjet asaj”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, nëse ka një universitet ku kjo ide merr kuptim të veçantë, është Universiteti i Prishtinës, ngase sipas U.D. Presidentes Haxhiu, historia e tij është, në një masë të madhe, historia e brezave që e kuptuan çfarë kërkonte koha prej tyre dhe vepruan.
“Në fund të viteve gjashtëdhjetë, ideja e madhe e kohës për ne ishte vetëvendosja, krijimi i institucioneve tona. Në nëntor të vitit 1968, të rinjtë dhe studentët dolën në demonstrata dhe kërkuan, ndër të tjera, themelimin e Universitetit. Pak më shumë se një vit më vonë, e bëmë Universitetin tonë. Në vitin 1981, studentët e Universitetit të Prishtinës nisën një lëvizje të gjerë me thirrjen “Kosova Republikë”. Regjimi u përgjigj me dhunë, burgje dhe përndjekje. Por kërkesat e atij brezi nuk u shuan. Ato mbetën të gjalla në brezat që erdhën pas”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej tha se një dekadë më vonë, sfida ishte tjetër.
“Në vitin 1991, kur regjimi i Serbisë i përjashtoi studentët dhe profesorët shqiptarë nga ndërtesat e universitetit, detyra e kohës u bë që ky institucion të mos shuhej. Familjet hapën dyert e shtëpive të tyre, dhomat u kthyen në klasa, lokalet private në zyra. Një universitet i tërë vazhdoi të jetonte jashtë ndërtesave të veta. Për gjashtë vjet me radhë, çdo 1 tetor, viti akademik nisi në ato hapësira. Dhe pastaj erdhi 1 tetori i vitit 1997. Pas viteve në të cilat Universiteti ishte mbajtur gjallë jashtë hapësirave të veta, një brez i ri studentësh vendosi se kishte ardhur koha që rezistenca të dilte hapur në shesh. Kërkesa e drejtpërdrejtë ishte kthimi në objektet universitare, por kuptimi i saj ishte shumë më i gjerë: ishte kërkesë për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar e vepruar në vendin e vet pa u nënshtruar e pa u nëpërkëmbur”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej shtoi se studentët iu përgjigjën thirrjes së Unionit të Pavarur të Studentëve dhe bashkë me profesorët e tyre, u mblodhën në lagjen Velania.
“Prej aty, mijëra studentë, profesorë e qytetarë u nisën drejt qendrës së Prishtinës dhe kampusit universitar, duke kërkuar kthimin në hapësirat e tyre. Por ai marshim ishte shumë më tepër se një kërkesë për hapjen e dyerve të universitetit. Ishte një akt i hapur kundërshtimi ndaj një regjimi që për vite kishte synuar t’i mbante shqiptarët jashtë institucioneve, pa zë dhe pa të drejta. Te kordonet e ngjeshura të policisë serbe, protesta u shtyp me dhunë. Protestuesit u rrahën dhe u arrestuan para syve të gazetarëve, diplomatëve dhe opinionit ndërkombëtar. Por atë ditë ndodhi edhe diçka që regjimi nuk e kishte llogaritur: frika nga policia serbe, që për vite ishte dukur e pathyeshme, nisi të thyhej në rrugët e Prishtinës”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu tha se bota pa më qartë çfarë po ndodhte në Kosovë, ndërsa një shoqëri që për vite ishte detyruar të jetonte nën shtypje tregoi se ishte e gatshme ta kundërshtonte atë hapur.
“Pas 1 tetorit erdhën protesta të tjera. Kosova po hynte në një etapë të re të rezistencës së saj, tashmë të armatosur, e cila do të vazhdonte deri në çlirim. Thirrjen më 1 tetor e bënë studentët, ndërsa profesorët u rreshtuan përkrahë tyre e pranë tyre. Në krye ecte rektori Ejup Statovci. Ai e dinte rrezikun që merrte mbi vete dhe çfarë mund të sillte përballja me regjimin, por nuk hoqi dorë. Ai tregoi me vepër se në zemër të universitetit është studenti”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje tha se sot jemi brenda Universitetit, jemi në hapësirat për të cilat studentët e atëhershëm dolën në rrugë.
“Dhe kur e shohim historinë e Universitetit të Prishtinës në tërësi, kuptojmë diçka shumë të rëndësishme: secili brez e mori këtë universitet nga duart e brezit para tij, e mbrojti, e çoi përpara dhe ua dorëzoi atyre që erdhën pas. Shumë prej studentëve të asaj kohe sot japin mësim këtu. Të tjerë punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës, në shkencë, në ekonomi, në kulturë dhe në jetën publike. Por kjo histori nuk përfundon me ta”, pohoi ajo.
Sipas saj, cdo brez përballet me pyetjen e vet të madhe, duke shtuar më tej se brezat para jush kishin për detyrë ta kërkonin universitetin dhe republikën, ta mbronin këtë universitet dhe të luftonin për liri.
Duke iu drejtuar studentëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se ju keni para vetes një detyrë tjetër: që mbi këtë liri të ndërtoni një shtet që u shërben mirë qytetarëve të vet dhe një Kosovë që e zë vendin e saj mes shteteve të tjera të lira në Evropë dhe në botë.
“Kjo është një sfidë tjetër, ndoshta më pak dramatike se ajo e brezave që dolën në rrugë, por jo më pak e rëndësishme. Për këtë, vendi ka nevojë për mjekë të mirë, inxhinierë, mësues, juristë, ekonomistë, artistë dhe studiues të përgatitur mirë. Por ka nevojë edhe për njerëz që e kuptojnë kohën në të cilën jetojnë, që nuk mjaftohen vetëm me atë që u thuhet, që pyesin, që dyshojnë, që marrin përgjegjësi e pjesë në jetën shoqërore dhe politike. Liria që keni sot në auditor vlen aq sa e përdorni. Përdoreni për të pyetur, për të mos pranuar një përgjigje vetëm sepse vjen nga autoriteti dhe për të kërkuar më shumë nga profesorët tuaj, nga njëri-tjetri, por edhe nga ne që kemi përgjegjësi në institucione publike. Sepse universiteti nuk është vetëm vendi ku merret një diplomë, është vendi ku mësohet të mendohet”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje tha se puna e profesorëve shihet te çdo student që del nga ky universitet me dije, me integritet dhe me mendje të lirë.
“Rektori Statovci na la një shembull që vlen edhe sot: vendi i një profesori është pranë studentëve të vet. Kjo do të thotë t’i dëgjosh, t’i sfidosh, t’u kërkosh më shumë dhe t’i ndihmosh të bëhen më të mirë se brezi që i ka mësuar. Universiteti bëhet më i fortë atëherë kur studenti kërkon më shumë nga profesori dhe profesori kërkon më shumë nga studenti. Ndërsa institucionet tona kanë një detyrim të përhershëm: ta mbështesin universitetin publik, ta ruajnë autonominë e tij dhe t’i krijojnë kushtet që dija, puna dhe merita të jenë standardi i tij. Ne do ta bëjmë padyshim pjesën tonë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Duke iu drejtuar studentëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se Universitetin që keni sot e trashëguat nga breza që sakrifikuan shumë që ai të ekzistonte, ata kishin betejat e tyre, ju keni tuajat.
“Detyra juaj nuk është ta përsërisni rrugën e tyre. Detyra juaj është ta vazhdoni atë: ta bëni këtë universitet më të mirë se sa e gjetët, ta bëni vendin tuaj më të mirë se sa e gjetët dhe, kur një ditë t’ia dorëzoni këtë universitet brezit që vjen pas jush, të mund të thoni se edhe ju e kuptuat kohën tuaj dhe iu përgjigjët asaj me përgjegjësi”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.








