...

U.D. Presidentja Haxhiu: Afrim Maliqi ka mbetur në kujtesën tonë si poet, kritik e gazetar, por edhe si veprimtar dhe dëshmor i lirisë së Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena haxhiu, mori pjesë sot në hapjen e ekspozitës kushtuar poetit, publicistit, gazetarit dhe veprimtarit, Afrim Maliqi.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se Afrim Maliqi ka mbetur në kujtesën tonë si poet, kritik e gazetar, por edhe si veprimtar dhe dëshmor i lirisë së Kosovës.

“Në këtë ekspozitë e takojmë edhe ndryshe. E takojmë përmes dorëshkrimeve ku ende duken korrigjimet e tij dhe letrave që u shkruante të afërmve. E shohim përmes fotografive nga vite të ndryshme të jetës, vizatimeve që të tjerët i bënë për të dhe një kartoline familjare. Janë dokumente që nuk u krijuan për t’u ekspozuar, por që sot na sjellin më pranë Afrimit. Dhe, përmes tij, na sjellin më pranë edhe kohës në të cilën ai jetoi dhe shkroi”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej tha se vitet e ’90 zakonisht i kujtojmë përmes ngjarjeve të mëdha, represionit, përjashtimit, dhunës dhe luftës, por që sipas saj, dokumente si këto na tregojnë edhe si jetohej brenda asaj kohe, si shkruhej në një gazetë nën trysni, si korrigjohej një varg, si i shkruhej një letër familjes.

“Prej këtyre dokumenteve shihet edhe rruga e Afrimit. Në gazetari, ai erdhi nga letërsia. Në redaksinë e Bujkut nisi duke shkruar për kulturën dhe arsimin. Por vitet që po vinin kërkonin më shumë prej tij. Filloi të shkruante për diskriminimin e shqiptarëve në vendet e tyre të punës, për represionin dhe për dhunën që po shtohej. Çdo shkrim i tillë kishte rrezikun e vet, dhe Afrimi këtë e dinte shumë mirë. Për pushtetin serb, një zë si ai i tij ishte pengesë shumë e madhe”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se krahas gazetarisë, ai vazhdoi të shkruante poezi, ese dhe kritikë.

“Te Afrimi, letërsia dhe gazetaria nuk ishin dy botë të ndara. Ato buronin nga e njëjta vëmendje ndaj vendit, kohës dhe njerëzve të tij. Me kalimin e viteve, ky angazhim mori edhe formën e veprimtarisë së drejtpërdrejtë për lirinë e Kosovës. Më 2 dhjetor 1998, Afrim Maliqi u vra në Prishtinë, në një pritë të forcave serbe, bashkë me shokët e tij nga Llapi, Hyzri Talla  dhe Ilir Durmishi. Të tre ranë dëshmorë. Afrimi ishte vetëm 33 vjeç. Shokët e tij e kujtojnë si djalë të qetë, të dashur, por ama shumë të mprehtë në qëndrime. Sot i kujtojmë të tre me nderimet tona më të larta”, vijoi më tej U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tutje tha se kujtimi dhe vepra e Afrim Maliqit janë nderuar ndër vite.

“Më 28 nëntor 2012, Presidentja Atifete Jahjaga i akordoi Urdhrin e Lirisë. Në Podujevë, emrin e tij e mban edhe çmimi letrar “Afrim Maliqi”. Kjo ekspozitë i shton kësaj kujtese diçka tjetër, gjurmën e dorës së tij”, theksoi ajo.

Për këtë, U.D. Presidentja Haxhiu tha se i jemi mirënjohës Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe stafit të saj, që këto dokumente i kanë trajtuar me kujdesin që kërkon një trashëgimi e tillë.

“Falënderim të veçantë i shpreh Sevdije Maliqit, bashkëshortes së Afrimit, e cila bashkë me Munish Hysenin i mblodhi shkrimet e tij në dy vëllime më 2007. Falë asaj pune, sot kemi më shumë nga Afrimi për të lexuar. Faleminderit nga zemra”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej tha se një pjesë e asaj që Afrimi la pas ende nuk është mbledhur.

“Ruhet në fletore e letra, nëpër shtëpitë e miqve dhe të afërmve të tij. Prandaj e mbështes idenë që gjithçka të bashkohet në një Fond Personal “Afrim Maliqi” këtu, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ruajtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi e institucioneve tona. Është përgjegjësi ndaj Afrim Maliqit, ndaj brezit të tij dhe ndaj atyre që do të vijnë pas nesh”, theksoi ajo.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se Afrimi shkroi në vitet kur fjalës shqipe po i ngushtohej vendi çdo ditë.

“Sot dorëshkrimet e tij kanë vendin e tyre në Bibliotekën Kombëtare. Por vendi i veprës së tij është edhe te lexuesi. Mënyra më e mirë për ta kujtuar është që ta lexojmë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.