Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot iu bashkua “Race for the Cure Kosova”.
“Sot iu bashkova “Race for the Cure Kosova”, me dëshirën që mesazhi i kësaj gare të shkojë edhe te gratë që nuk ishin mes nesh, tek ato që e kanë shtyrë kontrollin duke u kujdesur për të tjerët, që kanë frikë nga përgjigjja apo që ende e kanë të vështirë të marrin kujdesin shëndetësor që u duhet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu më tej ka thënë se kur flasim për kancerin e gjirit, koha merr një peshë tjetër dhe ne kemi përgjegjësi që gratë të mos e humbin atë duke pritur apo duke u përballur me pengesa që mund dhe duhet t’ua lehtësojmë.
“Prandaj sot u bëra thirrje grave ta bëjnë kontrollin me kohë dhe t’ia kujtojnë këtë edhe vajzës, nënës, motrës, shoqes e koleges, sepse në këtë garë nuk ka rëndësi kush mbërrin e para. Rëndësi ka që asnjë grua të mos mbërrijë vonë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.













