...

U.D. Presidentja Haxhiu: Historia e Rrustë Kabashit është e lidhur ngushtë me Prizrenin

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Akademinë Përkujtimore për Rrustë Kabashin.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se historia e Rrustë Kabashit është e lidhur ngushtë me Prizrenin dhe me kohën kur shqiptarët, pas Lidhjes së Prizrenit, vazhdonin të kërkonin rrugë për t’u organizuar e për t’iu kundërvënë sundimit osman.

U.D. Presidentja Haxhiu më tej tha se përpjekjes për liri ai ia kushtoi më shumë se tridhjetë vjet të jetës së tij, derisa më 18 gusht 1910 u dënua me varje pikërisht këtu, në Prizren.

“Rrustë Kabashi ishte rritur politikisht në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe i përkiste atij brezi që, edhe pas shtypjes së saj, nuk hoqi dorë nga organizimi dhe kundërshtimi. Që në fillim të vitit 1880 ai kishte nisur aktivitetin e tij atdhetar. Në Zojz, në vitin 1882, ai ishte ndër organizatorët e kuvendit ku u kundërshtua hapur administrata osmane. Dy vjet më vonë, Rrustë Kabashi i priu qëndresës në Podrimë dhe në rrethinë të Prizrenit. Kur as ndjekjet dhe burgosjet nuk e ndalën, autoritetet osmane e shtrinë ndëshkimin edhe mbi familjen dhe pasurinë e tij. Kullat e krerëve të Kabashit u dogjën, pasuria iu konfiskua, ndërsa familjarët u dërguan me forcë në Prizren, si mjet presioni për t’i detyruar krerët të dorëzoheshin”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tutje tha se Rrustë Kabashi nuk u tërhoq, përkundrazi, vitet e përndjekjes dhe qëndresës ia forcuan autoritetin ndër njerëzit e krahinës, aq sa pushteti osman herë e ndiqte e herë detyrohej të hynte në bisedime me të.

“Ai vazhdoi të merrte pjesë në kuvende dhe të ishte ndër krerët që organizonin kundërshtimin, duke ruajtur për vite me radhë ndikimin që kishte fituar mes njerëzve të vet. Kur më 1908 në pushtet erdhën xhonturqit, shpresat për ndryshim u shuan shpejt. Politikat e çarmatimit, ndjekjet dhe ndërhyrjet ushtarake në Kosovë sollën përplasje të reja, dhe Rrustë Kabashi u rreshtua përsëri mes atyre që i kundërshtuan. Në valën e represionit që pasoi kryengritjen e vitit 1910, ai u nxor para gjykatës ushtarake në Prizren, u dënua me vdekje”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, vdekja e tij nuk e mbylli kujtimin për të, duke shtuar më tej se emri i Rrustë Kabashit mbeti në këngë, në Prizren e në Kabash, dhe u përcoll ndër breza si emri i një njeriu që për pjesën më të madhe të jetës së tij nuk u tërhoq nga kundërshtimi ndaj pushtetit osman.

“Njëqind e gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, ne e kujtojmë Rrustë Kabashin nga një Kosovë e lirë dhe e pavarur. Ai nuk e pati mundësinë të jetonte në kohën kur shqiptarët do të vendosnin vetë për vendin e tyre, por përpjekja së cilës ai i kushtoi jetën i përket së njëjtës histori të gjatë që, pas shumë brezash e shumë sakrificash, na solli deri te shteti ynë. Prandaj është me domethënie që sot, pikërisht në Prizrenin ku u dënua dhe u var, Rrustë Kabashi përkujtohet e nderohet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga qytetarët e saj”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se koha e ka kthyer vendin e dënimit të tij në vend të nderimit të tij.

This site is registered on wpml.org as a development site.