Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Gjykatës Administrative, në të cilën morën pjesë edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë Donika Gërvalla, Arjeta Sadiku zëvendëskryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fejzullah Rexhepi Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë Genc Nimoni, u.d kryetari i Gjykatës Administrative Rexhep Gashi, shefi i EULEX-it në Kosovë Giovanni Pietro Barbano, Alfons Lentz nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se fillimi i punës së Gjykatës Administrative pa dyshim që është një ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet jashtë këtyre ambienteve.
“Pra, në zyrat, në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje, në familjet që varen nga një vendim, në punën e përditshme të administratës dhe në besimin që njerëzit kanë në raport me shtetin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ajo që për administratën mund të jetë një lëndë, për qytetarin është vendi i tij i punës, pensioni i prindit, paga e familjes, një ndihmë e domosdoshme, një licencë për të punuar, apo një e drejtë që e ka kërkuar me muaj apo me vite të tëra. Prandaj, duhet theksuar se vendimet administrative e prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka thënë se kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur për shumë qytetarë të Republikës: shteti vendos, kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm, nëse është i arsyetuar, nëse ka ku të ankohet dhe nëse ankesa e tij do të merret seriozisht.
“Në një republikë demokratike, vendimi i administratës nuk mund ta lërë qytetarin pa rrugë. Ai duhet të mbështetet në ligj, të arsyetohet qartë dhe të mund të kundërshtohet kur qytetari mendon se i është cenuar një e drejtë. Edhe sot, në një kapacitet tjetër, e shoh këtë gjykatë me të njëjtën bindje. Reforma pra, nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj, por atëherë kur qytetari fillon ta ndjejë në jetën e vet. Dhe sot me hapjen e Gjykatës Administrative, unë uroj fort që qytetari i Republikës ta ndjejë dorën e shtetit, dhe uroj po ashtu që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme, e matur dhe e përgjegjshme”, ka theksuar U.D. Presidentja.
Ajo më tej tha se Gjykata Administrative do të ketë rëndësi edhe për vetë administratën.
Sipas saj, çdo vendim i saj do të jetë mësim për zyrën publike: si duhet të arsyetohet një akt, si duhet të respektohet afati, si duhet të trajtohet pala dhe si duhet të shmanget përsëritja e gabimit.
Ajo më tej tha se Shteti bëhet më i mirë kur pranon të korrigjohet.
“Puna e gjykatës nuk do të jetë e rëndësishme vetëm për qytetarin që e fiton një kontest. Por do të jetë e rëndësishme edhe për administratën që mëson nga ai kontest. Sepse çdo vendim i kësaj gjykate do t’i flasë edhe zyrës publike: t’i tregojë ku ka gabuar, si duhet të arsyetohet një vendim, si duhet të veprojë herën tjetër. Kështu ndërtohet edhe zakoni i përgjegjësisë në shtet”, shtoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo i ka falënderuar të gjithë ata që kanë punuar në këtë proces të rëndësishëm: grupin punuese, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrinë e Drejtësisë, Kuvendin e Republikës së Kosovës, Këshillin Gjyqësor, gjyqtarët, sidomos administrativ që nuk kanë hezituar asnjëherë, që të jenë në grupe punuese të Ministrisë së Drejtësisë në atë kohë dhe të japin kontributin e tyre profesional.
“Faleminderit shumë, sepse natyrisht që puna e zyrtarëve në Ministrinë e Drejtësisë në atë kohë ka qenë shumë e madhe, por ndryshe është kur merr mësime, komente, propozime nga ata që për çdo ditë merren me çështje të tilla! Prandaj, faleminderit për gjithë këtë angazhim që e keni bërë! E gjithashtu edhe partnerët që e kanë ndihmuar asokohe Ministrinë e Drejtësisë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, ajo ka thënë se nga sot pra, kjo gjykatë do të flasë përmes vendimeve të saj, përmes lëndëve që i trajton pa zvarritje dhe përmes rasteve kur gabimi i administratës rregullohet dhe kur qytetari e sheh se nuk është i pambrojtur.
“Pra, ky është kuptimi i saj. Uroj që puna e saj ta afrojë qytetarin me të drejtën dhe ta mbajë administratën më afër përgjegjësisë! Ju uroj punë të mbarë gjithë gjyqtarëve që do të jenë të angazhuar në këtë Gjykatë. Po ashtu stafit profesional, bashkëpunëtorëve, zyrtarëve ligjorë dhe gjithë stafit tjetër që do të angazhohet në të njëjtën”, ka thënë në fund të fjalës së saj U.D. Presidentja Haxhiu.


