Nën patronatin e u.d Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot u mbajt Akademi Përkujtimore, me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe ditës së rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani.
Në emër të u.d Presidentes Haxhiu, foli nënkryetari i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola.
Ai tha se në sallën e kuqe sot, ku jemi mbledhur në kujtim të ditës së dëshmorëve dhe rënies së heroit tonë kombëtar Agim Ramadani, nuk vjen erë baroti e as nuk dëgjohen krismat e pushkëve të trimave tanë, sikurse 27 vjet më parë në Koshare. Sepse nuk jemi në Koshare, por, atë që na e solli Kosharja, është e pranishme këtu mes nesh. Është e pranishme në mënyrën si jetojmë sot dhe si lëvizim lirshëm.
“Heqja e kufirit shqiptaro-shqiptar ishte arritja më e madhe e Betejës së Koshares. Një kufi që na kishte ndarë për pothuajse një shekull. Një kufi që të mësonte të ndaleshe, të përmbaheshe, të prisje. Dhe me kohë, u bë pjesë e mënyrës si mendonim dhe si e shihnim botën. Kjo ishte e vërteta jonë deri në prill të vitit 1999”, ka theksuar nënkryetari Gola.
Sipas tij, Beteja e Koshares, si beteja më e lavdishme e historisë sonë moderne, përtej të qenit operacion ushtarak, ishte edhe ndërhyrje në vetë kuptimin e kufirit. Kur u thye ai kufi, u çmontua edhe një kufi tjetër. Ai që kishim brenda vetes. Ai që na kufizonte edhe ëndërrat.
Nënkryetari Gola më tej tha se “Ëndrra jonë për liri nuk mori formë në libra, por në jetët e njerëzve siç ishte jeta e komandant Katanës. Agim Ramadani, kishte shpirt të madh krijuesi. Pikturonte, shkruante, mendonte ndryshe. Ishte i shkolluar në Akademinë Ushtarake të Zagrebit, i rritur në Kosovë dhe më vonë, si i përndjekur, u detyrua të migronte në Zvicër. Atje bashkë me dashurinë e jetës së tij, rivalen e bankave shkollore, dhe bashke aktivisten në ilegale, zonjën e nderuar Shukrije Ramadanin, dhe me fëmijët Jetonin, Edonin dhe Lorinën ndërtoi jetën e tij”.
Ai tha se kjo e pasqyron faktin se Agim Ramadani nuk hyri në luftë sepse nuk kishte rrugë tjetër. I kishte të gjitha arsyet për të qëndruar në Zvicër dhe nuk qëndroi. E braktisi komoditetin evropian dhe iu bashkua shokëve e shoqeve sepse nuk mund ta ndante jetën e tij nga ajo që po i ndodhte vendit.
“Ai e kuptoi herët që pritja nuk mjafton. Prandaj, nuk e la këtë pyetje të mbetej në varg. Nuk e mbajti si dilemë poetike, por e ktheu në vendim. Dhe u kthye në vendlindje drejt një rreziku konkret. Drejt një lufte të pabarabartë, ku, siç tregojnë bashkëluftëtarët e tij, nuk mjaftonte të ishe trim, duhej të ishe edhe strateg dhe vizionar. Dhe këtë ai e bëri pa bujë, pa deklarime të mëdha, por me një kthjelltësi që e dallon një njeri që e ka ndarë mendjen. Në Koshare, ai ishte komandant, por mbi të gjitha, ishte njeri që mbante përgjegjësi për të tjerët. Ata që luftuan përkrah tij e kujtojnë për qetësinë në vendimmarrje, për disiplinën dhe për bindjen se ajo që po bënin kishte kuptim edhe përtej ditës së betejës. Flasin për qëndrimin dinjitoz në situata të vështira dhe për përgjegjësinë në vendime”, ka theksuar nënkryetari Gola, duke shtuar tutje se “Kur ra më 11 prill 1999, ai la pas një boshllëk të madh, por ai gjithashtu la pas edhe një standard. Standardin e një njeriu që, kur e thërret atdheu, nuk rri duarkryq. Gatishmëria e komandant Katanës me bashkëluftëtarë i bindi edhe të tjerët se ajo që dukej e pamundur mund të bëhej dhe po bëhej. Frymëzoi një brez të tërë ta sheh lirinë si ideal që kërkon veprim konkret, rrezik dhe sakrificë. Nga ky brez përbëhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ushtri që u ndërtua në kushte të pamundura, por me një qartësi të plotë për atë që duhej arritur”.
Sipas tij, përkujtimi për Agim Ramadanin sot na vë përballë vetes. Përballë standardit që ai dhe bashkëluftëtarët e tij vendosën dhe përballë mënyrës si ne sot e mbajmë përgjegjësinë tonë. Na detyron ta mbajmë shtetin e Kosovës në lartësinë e atij standardi dhe ta mbrojmë drejtësinë nga çdo devijim.
Ai në fund tha se sot përkulemi para të gjithë dëshmorëve të Betejës së Koshares, para atyre që lanë jetën në atë vijë kufitare dhe i dhanë drejtim lirisë sonë.

