U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se janë bërë 14 vite nga sulmi terrorist me eksploziv i strukturave kriminale të Serbisë në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në pjesën veriore të Mitrovicës, që i mori jetën qytetarit tonë Selver Haradinaj.
“Imazhi i banesës së shkatërruar është i ngulitur në kujtesën qytetare nga ajo ngjarje tragjike. Gjithë ai eksploziv i përdorur kishte për qëllim ta shfaroste tërë familjen dhe të frikësonte, tmerronte e të zhvendoste familjet tjera shqiptare nga ajo pjesë”, ka thënë u.d Presidentja Haxhiu, duke shtuar më tej se “Por siç e dimë, shumë prej këtyre familjeve vazhduan që për vite me radhë të jetojnë nën kërcënim dhe pasiguri të vazhdueshme nga ato struktura kriminale, duke mos lëshuar pronat e tyre”.
U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot realiteti ka ndryshuar. “Falë përkushtimit institucional dhe punës së vazhdueshme për shtrirjen e rendit dhe ligjit, situata po normalizohet dhe qytetarët ndihen më të sigurt”, ka theksuar u.d Presidentja Haxhiu.
Ajo ka thënë se kujtimi për Selver Haradinajn mbetet i përhershëm, ndërsa angazhimi ynë për siguri, drejtësi dhe institucione të forta do të vazhdojë.



