...

Fjalimi i Presidentes Osmani në 26 vjetorin e Masakrës në Krushë të Madhe

Të nderuar banorë të Krushës së Madhe, Krushës së dhimbjes së madhe,

I nderuar kryetar Latifi,

I nderuar ish-kryeministër Haradinaj,

I nderuar zoti Hoti,

Të nderuara familje të të rënëve për liri, familje të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranë e invalidë të luftës,

Të nderuar të pranishëm,

 

Kur në një fshat vriten kaq shumë njerëz të pafajshëm e derdhet kaq shumë gjak, ai nuk është më vetëm një vend në hartë, por është një dëshmi e përjetshme dhe një betim i përjetshëm.

Ky vend është Krusha e Madhe!

Sot qëndrojmë në Krushë të Madhe, aty ku dhimbja është gdhendur në çdo gur, në çdo prag shtëpie e në çdo zemër që rreh për drejtësi.

Para 26 vitesh, ky fshat u godit nga një prej krimeve më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë. 241 burra dhe djem u masakruan, mes tyre shtatë fëmijë e pesë gra, përfshirë edhe një grua shtatzënë.

Ata u vranë jo në betejë, por në fshatin e tyre, në shtëpitë e tyre, në përqafimin e familjeve të tyre. Por tragjedia nuk ndalet këtu! Sot e kësaj dite edhe 64 të rënë të Krushës së Madhe figurojnë në mesin e të zhdukurve me dhunë, një krim i shumëfishtë i Serbisë gjenocidale.

Familjet e tyre jetojnë çdo ditë me dhimbjen, me mallin e një pritjeje që nuk merr fund asnjëherë. E në këtë radhë të gjatë të dhimbjes qëndron edhe një emër i madh i kombit tonë, një mendje e ndritur, një figurë e paharruar, Ukshin Hoti.

Prej më shumë se dy dekadash, edhe fati i tij, sikurse i të gjithë banorëve të Krushës që sot janë të zhdukur me dhunë, mbetet i pazbardhur. Një intelektual, një patriot, një zë i guximshëm i kombit u mor me dhunë nga regjimi kriminal serb. Ndaj prej atëherë nuk dihet më asgjë për të, përveçse atë e mori Serbia. Ky mister nuk është vetëm një padrejtësi ndaj Ukshin Hotit dhe familjes së tij, por është një plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Sepse pyetja ku është Ukshin Hoti ende kërkon përgjigje, siç kërkojnë përgjigje edhe rreth 1600 të zhdukur me dhunë, si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë.

Masakra e Krushës së Madhe nuk është vetëm një krim i tmerrshëm i para 26 vitesh, është e përditshmja jonë, është e sotshmja jonë, sepse dhimbja vazhdon edhe sot, njësoj si kurse para 26 vitesh. Ajo është një betejë e hapur për drejtësi. Prandaj, nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre që ishin të pafajshëm të mbetet pa zë e që sakrifica e tyre të harrohet.

Ne nuk duhet të heshtim. Ne nuk duhet të ndalemi. Nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht, sepse drejtësia për Krushën e Madhe është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën, për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë.

Krusha e Madhe nuk është vetëm simbol i dhimbjes, por edhe i qëndresës. Nga rrënojat e saj, nga lotët që s’u thanë kurrë, janë rritur brezat të rinj që sot e mbajnë Kosovën gjallë, të lirë dhe krenare.

Sot, para kujtimit të martirëve  tanë para dhembjes së familjeve të tyre, para kësaj toke të shenjtë në të cilën prehen kaq shumë jetë të pafajshme, ne bëjmë një betim. Nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë. Nuk do të pushojmë deri sa krimet të cilat u kryen nga ana e Serbisë të marrin përgjigjen e duhur. Nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e Krushës së Madhe.

Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve e dëshmorëve të Krushës së Madhe e gjithë Kosovës!

Zoti e bekoftë Krushën!

Zoti e bekoftë Republikën tonë!

Ju faleminderit!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.