presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Urimi i Presidentes Jahjaga me rastin e fillimit të vitit të ri akademik

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, uroi sot studentët dhe profesorët, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2012/2013.

Në urim thuhet:

Dita e fillimit të vitit të ri akademik është një ditë e veçantë për të gjithë studentët, që sot fillojnë një kapitull të ri në jetën e tyre, kapërcejnë pragun dhe hyjnë në botën e magjishme të dijes, hapin dyert drejt së ardhmes.

Gjatë këtyre viteve ju do ta drejtoni energjinë tuaj, fuqinë tuaj, përgjegjësinë që keni ndaj vetes dhe përgjegjësinë ndaj të tjerëve.

Një Tetori është një ditë e shënuar në historinë e popullit tonë, në përpjekjet tona të gjata për liri, pavarësi, barazi dhe demokraci. Breza të tërë studentësh kanë ngritur fuqishëm zërin dhe janë angazhuar deri në flijim, kundër padrejtësive, kundër represionit, kundër së keqes; duke qenë shtylla kryesore e rezistencës të udhëhequr nga ideali i lirisë, duke u bërë zëri i gjithë popullit, duke bërë të mundur që sot ju të shkolloheni të lirë, duke qenë të barabartë me çdo student tjetër të botës.

Në këtë ditë të rëndësishme për ju, të nderuar studentë, ju uroj shumë fat dhe suksese në rrugën e gjatë të dijes, e cila fillon sot me një dimension tjetër, duke ndryshuar shumëçka në jetën tuaj. Jini kërkues, studioni pandalshëm, për një të ardhme më ndryshe, një të ardhme më të mirë për ju, për familjet tuaja dhe për shtetin e Kosovës.

Urime dhe me fat viti i ri akademik.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.