DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

U.d. Presidentja Osmani merr pjesë virtualisht në konferencën “E Ardhmja e Agjendës për Gratë, Paqen, Sigurinë dhe Drejtësinë në Kosovë dhe përtej”

Osmani: Pjesëmarrja e grave në procesin e dialogut është vendim i nevojshëm dhe i mençur

U. d. Presidentja, Dr. Vjosa Osmani mori pjesë në konferencën virtuale “E Ardhmja e Agjendës për Gratë, Paqen, Sigurinë dhe Drejtësinë në Kosovë dhe përtej”. 

Kjo konferencë po mbahet me rastin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe me këtë rast u lansua edhe Rrjeti Mesdhetar i Grave Mediatore (MEWMN) – Dega në Kosovë.

Duke i përgëzuar organizatorët dhe pjesëmarrëset për punën e palodhshme për të avancuar angazhimin e grave dhe vajzave në procese të paqes, sigurisë e drejtësisë në Kosovë, u.d. Presidentja Osmani theksoi që kjo konferencë, po ashtu paraqet një mundësi të mirë që të “reflektojmë dhe të identifikojmë se çfarë mund të bëjmë për t’i fuqizuar tutje veprimet tona në mënyrë që t’i përmbushim zotimet në kuadër të Rezolutës 1325”. 

Tutje, u.d. Presidentja Osmani theksoi që “Gratë në Kosovë kanë qenë historikisht dhe vazhdojnë te jenë shtyllë e shoqërisë tonë. Mirëpo, roli i tyre shpesh është margjinalizuar, vlerësimi i kontributit të tyre ka qenë më i zbehtë, e angazhimi i tyre në proceset e ditëve të sotme vendimtare për të ardhmen e vendit tonë është ende larg niveleve të dëshiruara”.

Duke vënë theks të veçantë në angazhimin e grave në dialogun Kosovë-Serbi, u.d. Presidentja tha që “Aktualisht, pjesëmarrja e grave në dialog mbetet ende në nivele brengosës. E ne duhet të kemi të qartë që pjesëmarrja e grave në procesin e dialogut është jo vetëm vendim i nevojshëm, por edhe vendim i mençur, e mbi të gjitha, është një  dëshmi e përkushtimit për të respektuar objektivat e Rezolutës 1325”.

Në konferencën e cila po vazhdon punimet, pjesëmarrës ishin përfaqësuesë të institucioneve vendore, ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare. 
 
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.