...

U.D. Presidentja Haxhiu: Policia e Kosovës është një prej shtyllave kryesore të shtetit tonë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ku vlerësoi kontributin e këtij institucioni në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe sovranitetit të Republikës.

Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu rikujtoi se Policia e Kosovës u themelua vetëm pak muaj pas çlirimit, më 6 shtator 1999, kur 176 kadetë nisën trajnimin në Vushtrri si gjenerata e parë e saj.

“Çlirimi nuk ishte fundi i rrugës. Ishte fillimi i një përgjegjësie të madhe për të ndërtuar një shtet në shërbim të qytetarit, që do ta mbronte jetën dhe dinjitetin e tij dhe ku ligji do të ishte i barabartë për të gjithë. Prandaj, historia e Policisë së Kosovës është pjesë e pandashme e rrugëtimit të Kosovës së lirë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo theksoi se nga 176 kadetët e parë deri te më shumë se nëntë mijë zyrtarë policorë që shërbejnë sot, Policia e Kosovës është rritur dhe është profesionalizuar bashkë me shtetin.

Duke iu referuar besimit të lartë të qytetarëve në Policinë e Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu tha se ky besim është njëkohësisht vlerësim dhe përgjegjësi.

“Besimi i qytetarëve nuk është privilegj i përhershëm i asnjë institucioni. Ai fitohet me punë, ruhet me integritet dhe dëshmohet çdo ditë përmes mënyrës se si sillemi me qytetarin dhe si e zbatojmë ligjin”, tha ajo.

U.D. Presidentja vlerësoi gjithashtu zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operative të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit me njerëz, terrorizmit, krimit ekonomik e kibernetik dhe kontrabandës, si dhe bashkëpunimin gjithnjë e më të gjerë me partnerët evropianë të sigurisë.

Ajo ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL, duke theksuar se përfshirja e plotë e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë është në interes të përbashkët të luftës kundër krimit ndërkombëtar.

Një pjesë të veçantë të fjalës së saj U.D. Presidentja Haxhiu ia kushtoi zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës.

“Në 27 vjet, 25 zyrtarë policorë kanë rënë në kryerje të detyrës. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë së Policisë së Kosovës, por edhe e historisë së Republikës dhe të lirisë që ne e gëzojmë sot”, tha U.D. Presidentja.

Ajo përmendi në veçanti rreshterin Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë gjatë sulmit terrorist, duke theksuar se ai ra duke mbrojtur Republikën e Kosovës.

U.D. Presidentja Haxhiu shprehu respekt dhe mirënjohje për familjet e të gjithë zyrtarëve policorë të rënë në detyrë, si dhe për secilin pjesëtar të Policisë së Kosovës që vazhdon të shërbejë në mbrojtje të qytetarëve dhe të Republikës.

“Shumë nga rastet në të cilat ju i dilni në ndihmë qytetarit nuk bëhen lajm dhe për shumë prej tyre publiku nuk do të dëgjojë kurrë. Por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e punës suaj. Në momentet kur është cenuar rendi kushtetues, siguria e qytetarëve dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës, pjesëtarët e Policisë kanë qenë në krye të detyrës”, tha ajo.

Në përmbyllje, U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se Policia e Kosovës është një prej shtyllave kryesore të shtetit dhe se forcimi i saj, ruajtja e integritetit dhe mbështetja e profesionalizmit të saj mbeten përgjegjësi institucionale.

“Historia e Policisë së Kosovës është histori e ndërtimit të shtetit tonë, e punës, sakrificës, profesionalizmit dhe e njerëzve që kanë zgjedhur të shërbejnë në një prej detyrave më të vështira që mund t’i kërkohen një qytetari”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo uroi të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës për 27-vjetorin e themelimit dhe nderoi kujtimin e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.

This site is registered on wpml.org as a development site.