Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit.
Në këto çaste të rënda për familjen, U.D. Presidentja Haxhiuju ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari.
“Sahit Jashari i përkiste brezit të njerëzve që në ditët më të vështira të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së lirisë me guxim, përkushtim dhe sakrificë. Si bashkëluftëtar i hershëm dhe një prej figurave të para të organizimit çlirimtar, ai mbeti i lidhur përjetësisht me Prekazin, me Drenicën dhe me historinë e qëndresës sonë kombëtare”, thuhet në telegramin e U.D. Presidentes Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se jeta e tij ishte e lidhur me idealin e lirisë dhe me rrugën e gjatë të Kosovës drejt çlirimit.
“Në kujtesën e familjes, të bashkëluftëtarëve dhe të qytetarëve që e njohën, Sahit Jashari do të mbetet njeri i qëndresës, i besës dhe i përkushtimit ndaj atdheut”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se në këto ditë dhimbjeje, bashkëndjej me familjen Jashari, me të afërmit, bashkëluftëtarët e miqtë e tij për këtë humbje.
“Në emrin tim dhe të Presidencës së Republikës së Kosovës, pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e U.D. Presidentes Haxhiu.
