...

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në hapjen e Edicionit të Dhjetë të Festivalit Ndërkombëtarë të Teatrove Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në hapjen solemne të Edicionit të Dhjetë të Festivalit Ndërkombëtarë të Teatrove Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se prej herës së parë që kam hy në teatër, atëbotë isha vajzë e vogël në teatrin Dodona, e kam ndje magjinë që ka teatri, duke shtuar më tej se edhe sot, si e rritur e me shumë angazhime të reja në jetën publike, teatri mbetet hapësira ime e preferuar.

“Për ato dy apo tri orë sa zgjat një shfaqje, salla të largon nga zhurma e ditës, nga politika, nga përgjegjësitë shtetërore, nga presioni i vendimeve dhe të vendos përballë njeriut. Përballë dilemave, dhimbjes, humorit, frikës, dashurisë por edhe guximit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, në kohët më të vështira për Kosovën, arti ishte mënyra jonë e mbijetesës.

“Në teatër veçanërisht, fjala shqipe merrte jehonë dhe njeriu e shihte veten ende të plotë e me dinjitet. Falë angazhimit të gjithë atyre njerëzve, aktorëve, regjisorëve, dramaturgëve, shkrimtarëve e muzikantëve, të cilët punuan shpesh në kushte jashtëzakonisht të rënda, por me shumë vullnet, qytetarët tanë i ruajtën aftësitë jetike. E ruajtën të folurit, humorin, kundërshtimin e debatin dhe kështu ecën e kështu e ruajtën njeriun e plotë edhe kur i gjithë sistemi ishte kundër”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Edhe sot, sipas U.D. Presidentes Haxhiu teatri ka një vlerë të pazëvendësueshme.

“Ai na mbledh në një sallë dhe na bën të shohim së bashku atë që kur jemi vetëm e shmangim. Na mëson të dëgjojmë edhe kur nuk pajtohemi, të qeshim edhe kur jeta është shumë e rëndë, të ndiejmë edhe kur jemi lodhur nga lajmet dhe nga zhurma e përditshme. Këtu njeriu hyn si shikues, por del si dëshmitar i një të vërtete që të prek thellë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se që nga themelimi i tij, ky festival ka qenë i lidhur me vizionin dhe punën e Burbuqe Berishës.

“Burbuqja ishte krijuese e rrallë që e kuptoi artin edhe si punë, edhe si përkushtim por edhe si përgjegjësi. Ajo la gjurmë në teatër, në film, në formimin e shumë brezave dhe në jetën artistike të vendit. Prandaj, sa herë që ky festival hap siparin, Buqja është pranë nesh në skenë gjithnjë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo uroi që ky edicion jubilar të sjellë shfaqje të mira, biseda të gjata, miqësi të reja dhe atë heshtjen magjike të sallës, kur publiku e kupton se diçka e vërtetë sapo ka ndodhur.

Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu në emër të dy institucioneve të Republikës së Kosovës, Kuvendit të Republikës dhe Presidencës si dhe në emrin e saj i përgëzoi për këtë jubile dhe e shpalli të hapur Edicionin e Dhjetë të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”.

This site is registered on wpml.org as a development site.