Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot kujtojmë me nderim një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që bashkoi shqiptarët në mbrojtje të trojeve, të drejtave dhe identitetit kombëtar.
“E themeluar më 10 qershor 1878, si përgjigje ndaj rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare pas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, Lidhja shënoi organizimin e parë politik dhe ushtarak të shqiptarëve për mbrojtjen e interesave kombëtare. Nën udhëheqjen e Iljaz Pashë Dibrës dhe me kontributin e figurave si Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e shumë patriotëve të tjerë, u hodhën themelet e lëvizjes moderne kombëtare shqiptare”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, Lidhja kishte tri synime kryesore: mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare, bashkimin administrativ të trojeve në një vilajet të vetëm dhe afirmimin e shqiptarëve si komb më vete.
Ajo ka thënë se veprimtaria e saj politike, diplomatike dhe rezistenca në Plavë, Guci, Hot e Grudë dëshmuan vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre.
“Megjithëse u shtyp me forcë më 1881, idealet e Lidhjes mbetën gjallë dhe u bënë themel i rrugës drejt Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Ajo mbetet simbol i bashkimit, qëndresës dhe vetëdijes kombëtare shqiptare”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo, më tej ka thënë se në këtë përvjetor, përulemi me respekt para veprës së patriotëve që sakrifikuan për kombin dhe kujtojmë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet gurthemeli i ndërgjegjes sonë kombëtare dhe frymëzim i përhershëm për ruajtjen e identitetit dhe vlerave tona kombëtare.
