Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Republika e Kosovës është ndërtuar nga breza të shumtë që u sakrifikuan për liri dhe e atyre që me punën e tyre të përditshme ruajtën kujtesën, identitetin dhe vlerat mbi të cilat ndërtohet shteti ynë.
“Shteti ndërtohet edhe me kujtesë dhe në veçanti me njerëz që e dokumentojnë historinë, që ruajnë dëshmitë e qytetërimit dhe që ua përcjellin brezave të ardhshëm rrënjët e tyre”, u shpreh ajo.
U.D. Presidentja Haxhiu tha se sot jemi mbledhur për të nderuar një personalitet, puna dhe përkushtimi i të cilit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shkencën, kulturën dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
“Për më shumë se katër dekada, z. Kemajl Luci i ka shërbyer Kosovës me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të rrallë. Ai ka qenë ndër ata studiues që jo vetëm kanë kërkuar në thellësitë e tokës sonë për të zbuluar dëshmi të së kaluarës, por edhe kanë ndihmuar që historia jonë të dokumentohet, të ruhet dhe të prezantohet me dinjitet para botës”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, kontributi i tij në studimin e kulturës dardane, të periudhave parahistorike dhe antike, si dhe në hulumtimin e dhjetëra lokaliteteve arkeologjike në mbarë Kosovën, përbën një pasuri të çmuar për vendin tonë.
“Veçanërisht i rëndësishëm mbetet angazhimi i tij për rikthimin e gërmimeve arkeologjike në Ulpianë pas luftës. Në një kohë kur vendi po rindërtohej në shumë fusha, ai kuptoi se rindërtimi i shtetit kërkonte edhe rikthimin e kujtesës sonë historike.”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Po aq e rëndësishme, sipas U.D. Presidentes Haxhiu, ka qenë puna e tij në dokumentimin shkencor të trashëgimisë sonë kulturore.
“Veprat dhe botimet ku ai ka kontribuar janë sot referenca themelore për studiuesit, institucionet dhe profesionistët e fushës. Puna e z. Luci na kujton se trashëgimia kulturore nuk ruhet vetvetiu. Ajo kërkon njerëz që e hulumtojnë, e mbrojnë, e studiojnë dhe ia përcjellin brezave të ardhshëm me saktësi dhe dinjitet si pjesë të identitetit tonë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Për këtë arsye, sot, në emër të Republikës së Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu ka dekoruar z. Kemajl Luci, me Medaljen Presidenciale të Meritave, në vlerësim të kontributit të tij të çmuar për ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë kulturore e arkeologjike, si dhe për punën e tij shkencore në dokumentimin e historisë së lashtë të Kosovës.
Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu, në emër të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, i ka shprehur mirënjohjen e thellë për një jetë të tërë në shërbim të dijes, kulturës dhe atdheut.
“Ky dekorim është shenjë respekti për veprën tuaj dhe për gjurmën që keni lënë në kujtesën shkencore e kulturore të Kosovës”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.




