Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arton Konushevci dhe me përfaqësues të tjerë, ka bërë homazhe sot në Poklek, në Çikatovë të Vjetër dhe në Krajkovë.
U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se Masakra në Poklek është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
“Para 27 viteve, përkatësisht më 17 prill të vitit 1999, familjet Muqolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha u ndaluan nga forcat serbe, u detyruan që të kthehen dhunshëm në shtëpitë e tyre dhe më pas u sulmuan me bomba dore dhe me armë automatike. Por kjo nuk i mjaftoi Serbisë, nuk i mjaftoi kriminelëve serbë, trupat e tyre u dogjën disa herë, me qëllim që të fshehin gjurmët e gjenocidit të tyre. Shtëpia e familjes Elshani sot përmban dëshmi të këtij gjenocidi dhe të kësaj masakre. Andaj kjo masakër nuk do të harrohet kurrë nga asnjë gjeneratë dhe do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë kolektive”.
Nga Pokleku, u.d. Presidentja Haxhiu, u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që pa vonesa, t’i adresojnë krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë.
“Kemi kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të merren me rastet e krimeve të luftës. Prandaj, edhe nga këtu u bëj thirrje që institucionet e drejtësisë, pa vonesa, të adresojnë krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Tani e kemi edhe gjykimin në mungesë, sepse ju e dini që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës. Prandaj, edhe nga ky vend, nga këtu ku u vranë 53 civilë të paarmatosur, të pafajshëm, në mesin e tyre 23 ishin fëmijë nga mosha 6 muaj deri në 14 vjeç, bëjë thirrje që të gjitha institucionet, në këtë rast edhe policia edhe prokuroria të veprojnë pa vonesa. Ne kemi thënë që çfarëdo kërkese që institucionet e drejtësisë e kanë në raport me ekzekutivin, Kuvendin apo cilindo institucion tjetër, do ta adresojmë pa vonesa”, ka theksuar u.d. Presidentja.
U.D. Presidentja Haxhiu, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe edhe në Çikatovë të Vjetër.
“Në Çikatovë të Vjetër u vranë 24 civilë të paarmatosur. Pasi që u vranë, trupat e tyre u dërguan në Rashkë të Serbisë, me qëllim që të fshihet krimi i bërë në masakrën e Çikatovës së Vjetër. Institucionet e drejtësisë, është shumë e rëndësishme që të adresojnë, pa vonesa, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin që Serbia e ka kryer në Kosovë”, ka thënë u.d. Presidentja Haxhiu.
Duke folur për shtimin e kapaciteteve si në Policinë e Republikës së Kosovës, edhe në Prokurorinë Speciale, u.d Presidentja Haxhiu, ka thënë se kemi miratuar Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Luftës, me qëllim që të dokumentohen të gjitha masakrat, të gjitha vrasjet, të gjitha dhunimet, të gjitha shtëpitë e djegura, qytetarët që janë dëbuar nga pronat e tyre, por edhe të gjitha krimet tjera që Serbia i ka bërë në Kosovë.
“Instituti tashmë po e bën punën në këtë drejtim, në përputhje me përgjegjësitë që ka. Por, edhe duke pasur parasysh që Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës dhe terroristëve që kryejnë sulme terroriste në kohë të paqes, ne kemi mundësuar ndryshimet në Kodin Penal, në Kodin e Procedurës për të mundësuar gjykimin në mungesë, me qëllim që kriminelët të dënohen dhe, kudo që ata zihen, të vijnë dhe të vuajnë dënimin në Republikën e Kosovës. Angazhohemi që t’i adresojmë të gjitha përgjegjësitë që kemi dhe natyrisht jemi pranë familjeve në këto momente të vështira, sepse edhe përkundër faktit që kanë kaluar 27 vite nga masakrat në Kosovë, dhimbja mbetet e madhe”, ka thënë U.D Presidentja Haxhiu .
Më pas, u.d Presidentja Haxhiu ka bërë homazhe edhe në Krajkovë, tek varri i dëshmorit Sokol Elshani.
“Dëshmori Sokol Elshani rrjedh nga një familje patriotike, atdhetare, që ka kontribuar gjithmonë në çështjen kombëtare dhe për Republikën e Kosovës. Angazhimin e tij e kishte nisur shumë herët. Madje, në demonstratat e vitit ’90, ai u sulmua rëndë dhe u plagos rëndë nga forcat serbe. Sot nderojmë jetën dhe veprën e tij. Republika e Kosovës, gjeneratat, rinia jonë, por edhe gjithë të tjerët, janë me fat që kanë dëshmorë që kanë kontribuar kaq shumë për vendin tonë, e që janë shembull se si duhet të nderohet atdheu”, ka theksuar u.d Presidentja.
Sipas u.d Presidentes Haxhiu, më e rënda, kudo që ne shkojmë në përkujtim të përvjetorit të masakrave, është kërkesa për drejtësi, që rrjedh pikërisht nga familjarët, prandaj ne i bashkohemi kërkesës për drejtësi.
“Jemi bashkë me familjarët në këto momente të vështira, sepse edhe përkundër faktit që kanë kaluar 27 vite nga kur janë kryer këto masakra, dhimbja është e madhe dhe natyrisht, që si institucione kemi për obligim që të punojmë pa ndalë në këtë drejtim”, ka thënë u.d Presidentja Haxhiu.






