Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, përmes së cilës e njofton për zhvillimet e fundit në vendin tonë.
Në letër, z.Krasniqi e njofton zonjën Ashton se zhvillimet politike në vendin tonë kanë sjellë nevojën që dita e zgjedhjeve të përgjithshme të caktohet më herët, pikërisht për datën 12 dhjetor 2010, një zhvillim ky që është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por edhe në pajtueshmëri midis partive politike të vendit tonë. Ai gjithashtu njofton zonjën Ashton se Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) është i gatshëm t’i menaxhojë këto zgjedhje. Në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, z.Krasniqi përsërit ftesën Bashkimit Evropian për vëzhgim të tërë procesit të zgjedhjeve në vendin tonë. Vëzhgimi i zgjedhjeve nga BE, shkruan më tej z.Krasniqi, do të dërgonte një mesazh të fuqishëm tek politikanët dhe qytetarët dhe do të ketë ndikim të madh në besueshmërinë dhe seriozitetin e këtyre zgjedhjeve. Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi u është drejtuar me një letër përmes ambasadorëve të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian qe kane njohur pavarësinë e Kosovës si dhe Ambasadës së SHBA-së dhe asaj të Zvicrës, duke i njoftuar për datën e re të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe duke kërkuar prej tyre dërgimin e vëzhguesve për përcjelljen e procesit zgjedhor të 12 dhjetorit.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR