presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

U.D. i Presidentit, Jakup Krasniqi takoi zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Miguel Angel Martinez Martinez

Në orët e pasdites, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi zhvilloi një takim edhe me Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, z. Miguel Angel Martinez Martinez, me të cilin diskutoi për të arriturat e Kosovës, sfidat nëpër të cilat ka kaluar ajo gjatë këtyre proceseve, zhvillimet e fundit në Kosovë, pas zgjedhjeve të përgjithshme, për objektivat për të ardhmen dhe, në mënyrë të veçantë, për çështjet që ka të bëjnë me raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

U.D. i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, duke vlerësuar raportin e Dick Martit si riciklim i një hetimi që është bërë nga Tribunali i Hagës në vitin 2004 ku, në mungesë të fakteve, nuk është vërtetuar asnjëherë, shprehu bindjen se përgjigjja më e mirë ndaj këtij raporti është kërkesa për hetim të gjithanshëm dhe profesional. Përgjigjja më e mirë e institucioneve të Kosovës ndaj këtij raporti është kërkesa për një hetim të gjithanshëm dhe profesional, si dhe që të kërkohet nga raportuesi Marty që të gjitha dëshmitë lidhur me pretendimet e ngritura në raportin e tij t’ia ofrojë EULEX-it, theksoi z. Krasniqi. Edhe në këtë takim, z. Krasniqi shprehu gatishmërinë e institucioneve të vendit për të ofruar të gjitha kushtet e nevojshme që një institucion profesional ndërkombëtar të bëjë një hetim të gjithanshëm profesional, për gjitha akuzat që i bëhen luftës së drejtë të popullit të Kosovës për liri e çlirim. Ne jemi të bindur se në gjithë programin politik të lëvizjes kombëtare për çlirim në Kosovë, në asnjë fazë të tij, nuk ka pasur qëllim e synim tjetër përveç luftës për liri dhe çlirim, theksoi z. Krasniqi gjatë këtij takimi.  Më tej, U.D. i Presidentit të vendit, Jakup Krasniqi foli edhe për zgjedhjet e fundit nacionale në Kosovë me ç’rast shprehu bindjen që institucionet e pavarura janë duke i përmirësuar të gjitha lëshimet e dala në zgjedhjet e fundit dhe menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Mitrovicë, të cilat do të mbahen më 23 janar, dhe pas procesit të certifikimit, do të konstituohen institucionet e reja te vendit.. Ndërkaq, Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Miguel Angel Martinez Martinez, në lidhje me zgjedhjet në Kosovë, u shpreh se lëshimet e dala nga këto zgjedhje nuk i kontribuojnë perspektives evropiane të Kosovës.Sipas tij, reforma zgjedhore që do të pamundësonte lëshime të tilla është masë e nevojshme që duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës. Sa i përket raportit të Dick Martit, zoti Martinez theksoi se është një raport i së kaluarës dhe se një hetim serioz dhe profesional për ta mbyllur këtë çështje është i domosdoshëm. Në takim u fol edhe për vazhdimin e bashkëpunimit dhe përkrahjes së Parlamentit Evropian për Kosovën dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nesër paradite, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi do të takohet me Grupin punues për Ballkanin, ndërsa më vonë do të takojë znj. Ulrike Lunacek, raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.