presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

U.D. i Presidentit, dr Jakup Krasniqi u takua me Presidentin e Shqipërisë Bamir Topi

Tiranë, 14 janar 2011- Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, u prit sot nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.

Në këtë takim shumë të ngrohët dhe miqësor, U.D.i Presidentit të
Kosovës,dr.Jakup Krasniqi dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë,
z.Bamir Topi biseduan për çështje të bashkëpunimin midis dy vendeve, për
situatën politike në të dy vendet si dhe për çështjen e shumëfolur të
raportit të Dick Martyt i cili do të jetë objekt shqyrtimi në Asamblenë
Parlamentare të Këshillit të Evropës.
 
Në vijim po e japim transkriptin e Konferencës për media të
Presidentit Topi dhe të Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të
Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajtur pas takimit.

Presidenti i Shipërisë,z. Bamir Topi:

Kam kënaqësinë e veçantë që të shprehë edhe njëherë konsideratat më të larta për përfaqësuesin e lartë të Kosovës, për U.D në Detyrë z.Krasniqi me të cilin patëm një bisedë të ngrohtë, një bisedë pune dhe miqësore njëkohësisht për të ndarë së bashku të gjitha çështjet e bashkëpunimit midis dy vendeve tona që njohin gjithnjë e më shumë zhvillime të reja, për të diskutuar rreth situatës politike respektive në të dy vendet tona dhe natyrisht për të diskutuar për çështjen e shumëfolur të raportit të Dick Martyt i cili do të jetë edhe objekt i shqyrtimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Natyrisht, qëndrimi i shtetit shqiptar është i qartë, së pari ne inkurajojmë lidershipin politik të Kosovës, institucionet e Kosovës për konstituimin sa më të shpejt të institucioneve kushtetuese të Parlamentit, të Presidentit, të Qeverisë së Kosovës, për të vazhduar planin e rindërtimit të Kosovës së re, shtet i lirë sovran dhe i pavarur dhe për të ushtruar të gjitha mundësitë reale t bashkëpunimit në rajon, por edhe më gjerë, çoftë sa i përket  konpozicionit të një shteti në këtë linjë, por edhe sa i përket vazhdimit të njohjeve të reja për Kosovës.

Kemi diskutuar për nevojën e bashkëpunimit institucional, ekonomik midis dy vendeve tona, shanset janë rritur shumë dhe ekziston e gjithë mundësia, i gjithë terreni, që institucionet në të gjitha nivelet ta vazhdojnë këtë bashkëpunim, ta rrisin bashkëpunimin, sepse Shqipëria, Kosova janë kontributor të rëndësishëm të paqes rajonale të bashkëpunim midis vendeve në rajon dhe tregues shumë i qartë i profilit perëndimor të dy vendeve tona.

Unë vazhdimisht e kam përdorur në bisedë më partnerë ndërkombëtar, që vërtet shteti i ri i Kosovës, ka demonstruar një politikë maturie në rajon duke rritur shansen e bashkëpunimit me vendet që e kanë njohur, por edhe duke treguar dhe disponibilitet për të diskutuar për çështje teknike edhe me Serbinë.

Sigurisht, Serbia është një vend i rajonit ballkanik , ka demonstruar politikisht, së paku në mënyrë deklarative se kërkon të jetë pjesë e bashkëpunimit dhe e anëtarësimit në perspektivën dhe  familjen evropiane, por natyrisht gjithçka fillon nga politikat e brendshme, vazhdon në bashkëpunimin rajonal, në rritjen e standardit, për të qenë të gatshëm për tu pranuar në familjen evropiane dhe ne jemi shumë suportues të këtij bashkëpunimi në rajon, pa asnjë lloj paragjykimi, pa asnjë lloj kompleksi për marrëdhënie në të kaluarën.

Dëshirojmë të ndërtojmë një klimë të bashkëpunimit rajonal mbi bazën e së drejtës legjitime të çdo shteti sovran, por edhe të parametrave që ka Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe të gjithë organizmat  ndërkombëtar që promovojnë politikën e dialogut dhe të bashkëpunimit.

Jemi fokusuar në mënyrë të veçantë tek nevoja e reagimit institucional të të dy vendeve tona në mënyrë të sinkronizuar në Këshillin e Evropës përsa i përket raportit të Dick Martyt.

Shteti shqiptar, të gjitha institucionet kanë reaguar në kohë, kanë dhënë qëndrimin e tyre zyrtar porsa i përket këtij raporti, ju jeni të njojtur tashmë dhe mund të them që kemi pasur një vlerësim lidhur me një raport të pabazuar në fakte, gjithsesi kemi treguar disponimibilitet të plotë të të gjitha institucioneve për të qenë të hapur, për të pasur një rihetim, them një rihetim, sepse është hetuar kohë më parë rreth këtyre çështjeve, nuk ka dal asgjë.
Gjithsesi, përderisa ka një raport të një anëtari të KE-së, duke pasur një respekt maksimal për Këshillin e Evropës ku ne jemi anëtar, patjetër që do të dëshmojmë edhe njëherë që këto fakte, të ashtuquajtura fakte nuk ekzistojnë.

Patjetër, që ne inkurajojmë dhe bisedime teknike midis Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë të nisura nga pozicionet e shteteve të lira dhe sovrane, por unë mendojë personalisht, që këto bisedime vendosen në një terren korrekt kur sqarohen disa gjëra të cilat në mënyrë shumë artificiale janë ngritur me sponsorizime të personazheve të cilat janë njojtur tradicionalisht për qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës, duke ushqyer me qëndrime politike apo me fakte të    falsifikuara, për të shtrembëruar një realitet të caktuar duke mos kontribuar në klimën e paqes rajonale, dhe atëherë janë të gjitha shanset që të bisedohet për çështje teknike.

Unë dëshiroj që të mbajë një qëndrim si President i Republikës së Shqipërisë, që gjërat të vendosen në një terren korrekt dhe bëjë thirrje që gjithçka që ka të bëjë me të kaluarën tragjike të këtij populli të martirizuar të sqarohet, sepse është detyrë e institucioneve specifike dhe e institucioneve ndërkombëtare që të nxjerrin të vërtetën në dritë, por nga ana tjetër ata që kërkojnë faktet vdekura, do të jenë aq të predispozuar sa të kërkojnë fakte të gjalla sepse, ende në territorin e tyre lëvizë, nuk e di me leje apo pa leje, nuk dëshirojë të paragjykojë, një kriminel  i cilësuar i luftës si Ratko Mlladiq.

Është detyrë e të gjithëve që të kontribuojnë për të luftuar të keqen, për të rivendosur kriminelët në bankën e drejtësisë ndërkombëtare, për të qetësuar shpirtrat e atyre që kanë qenë viktima të gjenocidit por edhe për të ndërtuar një të ardhme të vendeve tona që padyshim janë të projektuar në mënyrë shumë të qartë në perspektivën evro-atlantike.

Në këtë frymë bashkëpunimi, me këtë frymë dhe predispozicion shumë qytetar dhe civil ne do të bashkëpunojmë, do të bashkëpunojmë të gjithë në rajon, në mënyrë që rajoni ballkanik t’i ketë dhënë njëherë e përgjithmonë fund retorikave të pozicioneve ultarnacionaliste, betejave ndëretnike, që i kanë kushtuar shumë Ballkanit, popujve tanë, për të nderuar një rajon politikisht të qetë dhe të zhvilluar ekonomikisht në funksion të një tregu prej mbi 50 milion banorë.

Kjo është fryma që ne përcjellim, kjo është fryma që ne do të përcjellim së bashku mbi bazën e argumenteve dhe racionalitetit duke qenë plotësisht të hapur të bashkëpunojmë dhe u themi atyre që kanë fakte për të dhënë që t’i demonstrojnë t’i japin faktet te UELEX-i, të Gjykata Ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë gjithçka e fusim në një rrafsh institucional sikurse kërkohet nga institucionet ndërkombëtare.

Ky është pozicioni, edhe njëherë z.Krasniqi, ju falënderoj për këtë vizitë dhe ju inkurajojë në detyrën tuaj të rëndësishme. Faleminderit

U.D i Presidnetit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi:

Ishte kënaqësi për mua dhe delegacionin qe po e përfaqësoj, ta kemi një takim të përzemërt, vëllazëror me Presidentin Topi, i cili gjatë gjithë këtyre viteve ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë një qëndrim dinjitoz, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë shqiptarët në shërbim të një politikë të stabilitetit për gjithë rajonin tonë
.
Ne sot biseduam rreth Kosovës, për zhvillimet politike në Kosovë, për zhvillimet politike që po ndodhin për Kosovën dhe rreth Kosovës edhe në kontinentin tonë.
Ne jemi të bindur se të dy vendet tona, institucionet e dy vendeve tona, kanë nevoja të shumta për t’i koordinuar punët në shumë fusha të jetës dhe këtë realitet të ri që është krijuar gjatë këtyre dhjetë e më tepër viteve në rajonin tonë, pas shpalljes së pavarësisë, pas ndërtimit të autostradës së kombit janë krijuar premisat që duhet t’i shfrytëzojmë për të shtuar bashkëpunimin në fushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e arsimit, në fushën e tregtisë mes dy vendeve tona, në fushën e kulturës.

Dhe natyrisht, ne kemi nevojë që t’i koordinojmë jo vetëm këto bashkëpunime mes dy vendeve tona, po të bashkëpunojmë për të ngritur koordinimin mes vendeve të rajonit të Ballkanit, për të ngritur bashkëpunimin edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Konsiderojmë, që Kosova dhe Shqipëria, kanë shumëçka të përbashkët dhe janë krijuar kushtet që t’i shfrytëzojmë këto rrethana për të avancuar zhvillimin ekonomik, zhvillimin e demokracisë, por edhe zhvillimin e diplomacisë të dy vendeve tona në raport me komunitetin ndërkombëtarë.
Unë jam i bindur se këto takime tona do të shërbejnë për t’i avancuar të gjitha këto koordinime në të gjitha fushat e jetës dhe besoj që Shqipëria ka një traditë të madhe, edhe në planin e diplomacisë, të cilën Kosova do ta shfrytëzoj.

Shqipëria do ta ndihmoj Kosovën që vërtetë të krijojmë një imazh të ri edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën, edhe për shqiptarët.

Ne jemi të bindur, që raporti siç është raporti i reporterit të Këshillit të Evropës, janë raporte të iniciuara nga qarqe që nuk ia duan të mirën Kosovës, shtetit të Kosovës, zhvillimit të demokracisë në Kosovë, por sipas gjitha gjasave qarqe të caktuara nuk ia duan të mirën as shqiptarëve në përgjithësi.
Prandaj, shqiptarët në rajonin tonë kanë një obligim për të shtuar bashkëpunimin, për të shtuar koordinimin në mënyrë që së bashku për t’iu kundërvënë të gjitha qarqeve antishqiptare, gjitha qarqeve antidemokratike, se në fund të fundit shqiptarët, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, janë të përcaktuar për vlerat evropiane, dhe na vjen keq ku nga përfaqësues të atyre vendeve që ne krenohemi me vlerat evropiane i godasin padrejtësisht të arriturat e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi.

Kam bindjen se bashkërisht këtyre sulmeve dashakëqija ndaj të arriturave në rajonin tonë, e në mënyrë të veçantë të arriturave në Kosovë do t’i përgjigjemi së bashku në mënyrë institucionale.

Ju faleminderit për vëmendje.

Pyetja 1: Ju vutë re me të drejtë se ka përpjekje për të cenuar ndoshta vlerat më të larta të moralit shqiptar edhe përmes raportit të Dick Martyt. Referenca të qarqeve tashmë të identifikuara historikisht, por kohët e fundit në skenën politike shqiptare kemi një brishtësi për sa i përket përformancës politike, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, përmes allishverisheve në zyrat e shtetit, ose përmes zgjedhjeve të brishta në Kosovë.

A mendoni se shoqëria shqiptare është në një krizë, a rrezikon të futet në një krizë të thellë morale dhe si e shikoni ju tejkalimin e kësaj situate ?

U. D i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi : z. Bajrami, unë mund të them se derisa pushteti i katërt, siç janë mediat kanë mundësi të shënojnë deformimet e politikës shqiptare dhe brishtësisë së saj, nuk pajtohem se kjo është defekt i shoqërisë shqiptare, është defekt i individëve të caktuar, mund të jetë defekt edhe i një pjese të politikës, por kurrsesi nuk është defekt i shoqërisë shqiptare. Në fund të fundit, edhe ju mediat jeni pjese e shoqërisë shqiptare dhe konsideroj që shoqëria shqiptare është në rregull, por ka individë dhe çështjet e individëve dhe grupacioneve politike asnjëherë nuk duhet të lidhen me të gjithë shqiptarët ose me shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

Pyetja 2: A ka ndikimi raporti i Dick Maryit si dhe zgjatja e procesit zgjedhor në Kosovë për ndërtimin e Ekipit Negociator me Serbinë ?

U. D i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi : Unë dua të besoj që raporti i reporterit të Këshillit të Evropës, ka pasur refleksione më të mëdha në opinionin edhe vendor edhe evropian, se sa në qarqet vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, se sa në institucionet profesionale që kanë përgjegjësinë për të hetuar për faktin se ajo që ka ngritur Dick Marty është hetuar, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është detyruar të tërhiqet, për shkak të mos pasjes së fakteve dhe dëshmive që i janë dashur asaj gjykate.
Se sa ka reflektuar ky raport në mundësinë e zhvillimit të bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të paragjykoj, por mund të them që Kosova është në fazën e përmbylljes së zgjedhjeve të përgjithshme, presim përgjigjen definitive të institucioneve të pavarura zgjedhore. Konstituimin e Kuvendit dhe të institucioneve që dalin nga Kuvendi dhe në rrethana kur në Kosovë kemi institucione të reja, kur kemi edhe një reflektim ndoshta të institucioneve të caktuara të Evropës, sigurisht që ne në asnjë fazë nuk kemi qenë kundër bisedimeve se jemi të bindur që këto bisedime janë për të mirën e dy vendeve tona.
Dhe këto bisedime mund të zhvillohen dhe do të zhvillohen nëse janë në interes të dy vendeve tona, nëse janë në interes edhe të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, në interes edhe të serbëve që jetojnë në Kosovë.
Nëse këto bisedime dikush tenton që t’i orientojë që vetëm një palë të fiton, unë jam i bindur që këto bisedime do të jenë shumë të vështira, do të jenë shumë të zgjatura dhe sigurisht që pala kosovare nuk është e gatshme të hyjë në pazare për të humbur shumëçka dhe për të dëmtuar atë që e ka arritur gjatë kësaj dekade.

Pyetja 3: z. President, a mendoni se do të certifikohen zgjedhjet deri në fund të marsit apo sipas automatizmit ligjor vendi shkon në zgjedhje të parakohshme dhe a është e gatshme sot Kosova për zgjedhje të reja ?

U. D i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi : Edhe pse për zgjedhje kemi folur mjaftë, dua të them që pas zgjedhjeve të 23 janarit që do të mbahen në Mitrovicë, do të mbyllet qarku zgjedhor i zgjedhjeve që ka filluar më 12 dhjetor 2010. Certifikimin  e pres jo në mars, por e pres më së largu në dhjetë ditshin e parë të muajit shkurt dhe fundi i muajit shkurt apo fillimi i marsit unë besoj shumë që do të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe do të zgjidhet presidenti dhe qeveria e saj.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.