presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Transkripti i konferencës për media të Presidentit Sejdiu, Presidentit Topi, Presidentit Ivanov dhe Presidentit Vujanoviq

Në përfundim të takimit të përbashkët, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgi Ivanov dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Më poshtë po e sjellim transkriptin e kësaj konference:

Presidenti Sejdiu: Shpreh kënaqësinë time që kisha nderin të jem mikpritës në takimin e radhës nga takimi i parë i mirë dhe i dytë në Vlorë dhe pastaj në Ohër me Presidentin Topi, Presidentin Ivanov dhe Presidentin Vujanoviq. Temë bosht e takimit është tema që lidhet me proceset e zhvillimeve tona në lirinë e lëvizjes së njerëzve si bazë e rëndësishme e komunikimeve dhe e proceseve integruese.

Mund të them se kemi vlerësuar së bashku se është një progres i mirë nga ajo që kemi filluar me një modesti por me një thellësi të raporteve shumë të sinqerta mes vete. Nëse është menduar se takimin e parë në Vlorë e kemi pasur takim njohës që nuk ka qenë takim njohës se ne jemi njohur edhe më parë tani mund të them se kemi obligim qe të shihemi më shpesh. Borxhi ynë është që përmes institucioneve të vendeve të bëjmë punë që qytetarët të kenë mundësi më të mirë të komunikimeve, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të kapitalit. Po ashtu, është përpjekje jona që gjithmonë në secilin vend sundimi i ligjit të jetë vlerë që parandalon veprimet kriminale që mund të jetë pengesë për lirinë njerëzore. Andaj sot themi se jemi afër realizimit praktik të asaj që e kemi thënë më herët, një Minishëngen ballkanik për lirinë e lëvizjes së njerëzve. ka shumë vlera që i demonstrojmë bashkë dhe për ne është me rëndësi që kemi miq dhe partnerë të përbashkët.

Presidenti Topi: Së pari dëshiroj të falënderoj nga zemra Presidentin Sejdiu për këtë organizim të shkëlqyer të takimit në Prizren. Po ashtu, dua të falënderoj presidentët Ivanov dhe Vujanoviq të cilët i janë bashkangjitur kësaj iniciative dhe po e konsolidojnë atë në mënyrë të vazhdueshme. Sigurisht do të doja të falënderoja përzemërsisht mediat që po e ndjekin me shumë interes këtë takim, një takim që në këndvështrimin tim ka një simbolikë të veçantë. Vërtet takimi ynë ka filluar në Vlorë saktësisht një vit më parë,  ka vazhduar në Ohër dhe sot po zhvillohet në qytetin historik të Prizrenit. Zhvillohet në Kosovë e cila ka një zhvillim të ndjeshëm duke e krahasuar edhe me dy vite më parë. Të gjithë e dinë që dy vite në historinë e një vendi në historinë e popujve tanë janë si një pikë uji në oqean. Por janë dy vite që tregojnë se Kosova dhe populli i saj i janë bashkangjitur një ëndrre e cila është konsideruar si ëndrra e përbashkët euroatlantike. Ne kemi konstatuar së bashku se është forcuar dialogu politik mes vendeve tona. Përtej dialogut politik dhe mirëkuptimit njerëzor ne së bashku dëshirojmë që të ndërtojmë edhe projekte të përbashkëta infrastrukturore . Unë e kisha detyrim të shpalosja të gjitha inkursionet e Shqipërisë drejt përmirësimit infrastrukturor me Kosovën nëpërmjet kësaj rruge që kemi përshkruar rreth një orë e 30 minuta, me rrugën që kemi bërë drejt Shkodrës dhe Malit të Zi, me përforcimin e segmenteve të korridorit të tetë , çka tregon që Shqipëria po punon shumë në drejtim të forcimit të këtyre marrëdhënieve dhe  lidhjeve infrastrukturore me shtetet fqinje, së fundi të jem i kursyer për fjalët e mia kemi folur shumë për lëvizjen e lirë të njerëzve.

Maqedonia, Mali i Zi kanë fituar statusin e lëvizjes së lirë të , dhe ne kemi qenë dhe jemi të gëzuar që dy fqinjët tanë e kanë fituar këtë status. Shqipëria është në prag të marrjes së këtij statusi  dhe kam parë që i njëjti gëzim qëndron edhe tek kolegët e mi. Edhe në tryeza tjera, por, edhe sot unë shpreha qëndrimin tim se statutit të lëvizjes së lirë të njerëzve në rajonin tonë kurrsesi nuk duhet ti qëndrojë larg edhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës, gjë që gjeti mirëkuptim edhe të kolegëve të mi dhe natyrisht kjo thirrje është për partnerët tanë të rëndësishëm evropianë  që besojnë ta shohin lëvizjen e lirë si një e drejtë substanciale të qdo qytetari që jeton dhe punon në rajonin tonë ballkanik. Bashkëpunimi jonë do ti kontribuojë ndjeshëm rritjes së stabilitetit rajonal, luftës kundër krimit të organizuar, kontrabandës, forcimit të kufijve nga pikëpamja e administrimit të këtyre elementeve dhe hapjes së kufijve për sa i përket qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. Edhe njëherë faleminderit të nderuar kolegë dhe ndihem shumë i gëzuar për këtë stad të ri të marrëdhënieve mes vendeve tona.

Presidenti Ivanov: Përfaqësues të nderuar të medieve, dua tu njoftoj se vërtetë kishim një  takim të përzemërt dhe konstruktiv, hapën shumë çështje dhe diskutuam shumë probleme të cilat janë të përbashkëta për rajonin, dhe kur e bëmë elaborimin e asaj se çka është arritur nga takimi i fundit në Vlorë dhe tani nga kjo që është këtu në Prizren ka përparime evidente në të gjitha lëmit.  Maqedonia dhe Kosova e zgjidhën çështjen kontestuese rreth demarkacionit të kufirit, pastaj vendosën marrëdhënie diplomatike, i hapën edhe ambasadat mes nesh, deri tani kemi nënshkruar 6 ose 7 marrëveshje bilaterale,  presim edhe 5 për nënshkrim. Kjo tregon vetëm se korniza ligjore mes dy shteteve tona veq po rregullohet  dhe të gjitha çështjet problemet që i kemi i zgjedhim në mënyrë institucionale. Ashtu që nëse herën e kaluar ishim në det tani jemi në mal kjo është vetëm një metaforë ose simbolikë se si zhvillohen këto takime, shkojnë së larti. Në takimet bilaterale i hapëm të gjitha çështjet që i kemi mes veti çdo shtet me çdo shtet, po ashtu të njëjtën e theksuam edhe në takimin e përbashkët. Nëse e krahasojmë atë se çka ishte ky rajon para 10 viteve  e çka tani është e qartë, evidente se ka përparim të madh . Përveç për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, ne tanimë bisedojmë edhe  për infrastrukturën, bisedojmë edhe për energjetikën d.m.th. ne i kemi tejkaluar ato kornizat që ishin vetëm për çështjen e qarkullimit të lirë të njerëzve. Krejt kjo tregon se në rajon ndryshon ambienti, kjo tregon një pasqyrë pozitive për ne. Është mirë që konkluduam që të gjitha çështjet duhet patjetër t’i zgjidhim përmes dialogut dhe se ne nuk guxojmë të kemi mëshirë ndaj krimit dhe çdo gjëje që e pengon hapërimin tonë përpara. Dhe në atë frymë unë i ftova presidentët që vitin e ardhshëm të jenë mysafirë në Ohër në Maqedoni.

President Vujanoviq: Dëshiroj të ndaj mendimin edhe të kolegëve të mi për këtë takim dhe për bisedimet konstruktive që patëm gjatë tij. Efektet pozitive të filluara në Vlorë i vazhduam këtu në Prizren në Kosovë dhe kjo flet se shkojmë me hapa pozitivë drejt përpara në bashkëpunimin rajonal. Duke folur për temën që ishte kryesore për lirinë e lëvizjes së njerëzve theksuam që të katër vendet kemi themeluar një minishëngen zonë dhe kjo është themelore për rrugën drejt integrimeve evropiane. I dërguam një mesazh vendeve të zonës së Shëngenit që katër vendet e kësaj minizone të Shëngenit duhet ta gëzojnë, të kenë lirinë e lëvizjes. Tash këtë mundësi e kanë Mali i Zi e Maqedonia, Shqipëria është në prag të fitojë derisa kemi theksuar se nuk është me vend që Kosova mos ta ketë një gjë të tillë dhe presim po ashtu që edhe Kosova të përfshihet në të.

Vendkalimet duhet të jenë një vend ku njerëzit duhet të ndalen shumë shkurtë ndërsa të kontrollohen vetëm kanalet e trafikimit. Gjithashtu lëvizja e lirë sipas nesh është bazë e të gjitha  zhvillimeve, është bazë e integrimeve në përgjithësi. Po ashtu, kemi konstatuar se lëvizja e lirë është një porosi e mirë për integrime dhe ekonomia në këtë aspekt duke konstatuar bashkërisht se nuk ka një të ardhme as të Evropës pa bashkëpunimin e këtij rajoni.

Presidenti Sejdiu ishte për ne një organizues i shkëlqyeshëm i këtij takimi.

Në vazhdim të konferencës, presidentët u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve:

Pyetje: Ky është takimi i tretë, cila është arritja konkrete e këtij takimi dhe çfarë mesazhi do të përcillni Ju, jo vetëm tek popujt por edhe tek liderët e  vendeve të tjera të Ballkanit?

Presidentin Topi: Para takimit të sotëm, po i referohemi takimit të Vlorës. Brenda një viti kanë ndodhur shumë ngjarje, një  çlirim i marrëdhënieve midis Kosovës dhe të gjitha vendeve që ne përfaqësojmë këtu, janë vendosur marrëdhënie diplomatike mes Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, janë nënshkruar disa marrëveshje të cilat  Presidenti Sejdiu i prezantoi në takim.Takimi i sotëm ka një vlerë të jashtëzakonshme,  së pari që bëhet  në Kosovë, së dyti për faktin se ne së bashku iu  drejtuam të gjithë partnerëve tanë evropianë që vendet tona janë në një bashkëpunim të shkëlqyer.

Të gjithë me një zë kemi thënë se asnjë qytetar i vendeve tona nuk mund të privohet nga mundësia e lëvizjes së lirë   dhe nga dialogu politik dhe nga fjalët në tavolinë kemi marrë angazhime konkrete drejt përmirësimit të ndjeshëm infrastrukturor. Të gjithë së bashku të orientohemi drejt korridoreve, infrastrukturore dhe energjetike dhe në të gjitha zonat turistike që fati na i ka dhënë që të jenë në një pjesë të mirë midis kufijve tanë. Është e pamundur që në një konferencë për shtyp të jepen të gjitha elementet e një takimi të gjatë por dhe takimeve bilaterale,  por ju siguroj që ka pasur një mirëkuptim të plotë për të gjitha çështjet më të rëndësishme të këtij komunikimi.

Presidenti Vujanoviq:  Mendoj se të gjithë ndajmë mendimin që e tha z. Topi sa i përket kësaj konference. Unë në tërësi pajtohem se Presidenti Topi në tërësi e tha atë që mund ta themi edhe të gjithë ne.

Presidenti Sejdiu: Absolutisht jemi të gjithë të një qëndrimi të përbashkët që u elaborua shumë mirë.

Pyetje për Presidentin Ivanov dhe Vujanoviç: Presidenti  Ivanov ka deklaruar që ky takim merr karakteristika evropiane, a mendoni se është i domosdoshëm dialogu Kosovë-Serbi në proceset e mëtutjeshme integruese?

Presidenti Vujanoviq: Në fjalën e tij të hyrjes Ivanov e theksoi rëndësinë e dialogut, dialogu duhet të mbështetet në të drejtën që secili shtet sovran ta zhvillojë dialogun konform sovranitetit të vet dhe  duke e vlerësuar interesin e vet,  të popullit dhe shtetit të vet të zhvillojë dialog në mënyrë të përgjithshme.

Ne veçmas jemi të ndjeshëm sa i përket sovranitetit sepse kemi vendosur për të qenë sovranë dhe të pavarur. Për këtë nuk dëshiroj të jap këshilla dhe sugjerime, dua të  theksoj vlerën e dialogut në përmirësimin e klimës në përgjithësi. Një dialog tashmë është në zhvillim e sipër në mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe ne dëshirojmë që ky dialog të përfundojë sa më parë në mënyrë që Maqedonia sa më parë të integrohet në NATO.

Dialogu tjetër, pra në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të kalojë nëpër dy realitete që ekzistojnë,  një realitet është se deri tani 69 shtete e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, kanë këmbyer edhe ambasadorë dhe realiteti tjetër se 123 shtete të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Duke u nisur nga  këto dy realitete, pra po ashtu duke respektuar edhe dialogun si të tillë duhet mbështetur ky dialog që do t’i sillte të mira dhe Serbisë edhe Kosovës.

Presidenti Ivanov: Siç e  tha Presidenti Vujanoviq të gjitha problemet që janë në rajon konstatuam së bashku se  duhet patjetër të zgjidhen me dialog. Dialogu mundëson komunikimin i cili e kthen besimin mes palëve, andaj do të ishim shumë të lumtur nëse në takimet e ardhshme mes nesh e shohim Presidentin Tadiq dhe Papulas.

Pyetje për Presidentin Sejdiu: A është ky një koalicion kundër Serbisë dhe çka duhet të ndodhë para se Serbia t’i bashkohet këtij samiti?

Presidenti Sejdiu:  Jo,  ky është një bashkëpunim i mirë, një model i mirë i bashkëpunimit të vendeve të rajonit, kjo është një qasje praktike që mendojmë dhe shpresojmë se do të zgjerohet në komunikimet edhe me vendet e tjera të rajonit por edhe me Serbinë. E ardhmja e vendeve të rajonit dhe progresi i tyre është në bashkëpunim, por gjithmonë edhe në respektimin të sovranitetit të secilit vend në veçantive dhe kualiteteve të secilit vend.

Presidenti Topi: Edhe institucionet e Shqipërisë inkurajojnë dialogun mes Kosovës e Serbisë në kushtet e statusit sovranit në mënyrë reciproke.

Takimi ynë demonstron një element shumë perëndimor, kohezioni midis miqve dhe fqinjëve që janë të detyruar të bashkëpunojnë.

Pse ndërhyra për të bërë një koment të shkurtër? Është në vullnetin e secilit vend për të vendosur edhe masën e komunikimit me njëri tjetrin por do të ishte e papranueshme që të bëni prezent diplomacinë e hapur apo underground për të bërë lobim që Kosova të mos jetë e pranishme në takime rajonale siç ishte takimi vendeve të Evropës Juglindore. Jeni ju përfaqësues të medias, analistë politikan të bëni diferencën. Ne inkurajojmë bashkëpunimin e komunikimin me të gjithë pa asnjë lloj përjashtimi. Filozofia përjashtuese është në antitezë të plotë me tendencat perëndimore të bashkëpunimit. Ne shpresojmë shumë që në të ardhmen komunikimi jonë do të zgjerohet, tryeza jonë do të zgjerohet

Pyetje për Presidentin Ivanov: Në drejtim të dialogut një pyetje. Dje ministri i jashtëm i Belgjikës ka deklaruar se zgjidhja për emrin pritet të bëhet ditëve në vijim si e komentoni këtë deklaratë?

Presidenti Ivanov: Nuk mund të komentoj deklaratën e tjetërkujt, nuk kam informatë të tillë,  me siguri ai ka informata pasi e ka dhënë atë deklaratë.

Por komunikimi i shpeshtë që ekziston në kohë t fundit në mes të Kryeministrit Gruevski dhe Kryeministrit të Greqisë na indicojnë se ndonjë zgjidhje  patjetër duhet të jetë në suaza të Kombeve të Bashkuara dhe të procesit të cilin është duke e udhëhequr z.Nimitz.  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.