Gazeta “Zëri”, në numrin e datës 20 prill, ka botuar artikullin me titull “Presidenca blen 10 mijë euro telefona mobilë”.
Në artikull theksohet: “Zyra e Presidentes së Kosovës ka blerë të martën (dje) 9900 euro telefona mobilë të markës “Nokia”. Është interesante se në këtë tender të presidencës kanë konkurruar 4 kompani dhe të gjitha kanë konkurruar me çmimin e njëjtë 9900 euro”.
Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës dëshiron të sqarojë se Zyra e Presidentit nuk ka blerë kurrfarë telefonash të martën e 19 prillit, siç theksohet në tekst.
Zyra e Presidentit ka një linjë buxhetore të rregullt për blerjen e pajisjeve elektronike, p.sh. telefona mobilë etj., dhe për çdo vit shpallet tenderi dhe përzgjidhet kompania që do ta furnizojë Zyrën e Presidentit me këto pajisje.
Këtë vit, Zyra e Presidentit ka shpallur, më 29 mars 2011, “Procedurën për kuotimin e çmimeve” (tender me vlera të vogla deri në 10 mijë euro). Mbyllja është bërë më 8 prill 2011. Interesim kanë shpallur 4 ofertues, të cilët kanë ofruar çmime të ndryshme dhe është përzgjedhur kompania “Mani Nokia”.
Me këtë kontratë janë krijuar kushtet për blerje deri në atë shumë, por me këtë kontratë dhe me këtë shumë të mjeteve nuk është blerë asnjë telefon.
E gjitha kjo nuk lidhet me mandatin e Presidentes Jahjaga, që është zgjedhur më 7 prill. Edhe Presidentja edhe këshilltarët e saj punojnë me telefonat e vjetër, dhe asnjëri nuk ka numër të ri të Presidencës dhe asnjëri nuk ka bërë asnjë shpenzim për telefona e shërbime të telefonisë mobile në llogari të Presidencës.
Sipas rregullave, Presidentja dhe stafi i saj do t’i kenë telefonat zyrtarë dhe kur të ndodhë kjo do të njoftoheni edhe për numrin edhe për çmimet, sepse ky është një obligim i shpenzimit të parave publike.