presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sqarim lidhur me Raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës

Javën e kaluar, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) ka publikuar Raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës për vitin që përfundon më 31 dhjetor 2010.

Ky raport është pasqyruar në disa media, të shkruara dhe elektronike, por në asnjë njoftim lidhur me të nuk është dhënë esenca e përfundimeve të raportit, që në fakt është pozitiv dhe kjo mund të konstatohet qoftë edhe me një lexim të sipërfaqshëm të Raportit të ZAP.

Lidhur me raportimet e medieve, Zyra e Presidentit dëshiron të japë këtë sqarim:

Prej katër (4) opinioneve të Auditimit të Rregullsisë së shpenzimit të buxhetit që i jep Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në Raportet e Auditimit të Pasqyrave  Financiare, për Pasqyrat  Financiare të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës ka dhënë opinionin më të mirë. Raporti i Auditimit konstaton se: “Pasqyrat Financiare në të gjitha aspektet materiale prezantojnë pasqyrim të drejtë dhe të vërtetë. (SNISA 400 – Opinion i pakualifikuar)”.

Në asnjë prej konstatimeve apo konkluzioneve të Auditorit nuk thuhet se është keqmenaxhuar me mjete të buxhetit apo është dëmtuar Buxheti i Republikës së Kosovës.

Përkundër disa gjetjeve me lëshime teknike, që janë të natyrës jomateriale, Zyra e Presidentit ka kryer funksionin e paraparë ligjor në përputhje të plotë me rregullat dhe kornizën ligjore.

Zyra e Presidentit është e përkushtuar që të evitojë çdo lëshim dhe me këtë të implementojë edhe rekomandimet e ZAP.

P.S. (Shih faqen 19 të Raportit):

10. Një opinion i pakualifikuar jepet kur auditori është i kënaqur në të gjitha aspektet materiale që:

(a) pasqyrat financiare janë përgatitur duke shfrytëzuar baza dhe politika të pranuara të kontabilitetit të cilat janë zbatuar në mënyrë konsistonte (të qëndrueshme);

(b) pasqyrat janë në pajtim me kërkesat statusore dhe rregulloret relevante;

(c) pamja e paraqitur në pasqyrat financiare janë në përputhje me njohuritë e auditorit në lidhje me entitetin e audituar;

(d) është një shpalosje adekuate e të gjitha çështjeve materiale relevante për pasqyrat financiare.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.