...

Presidentja Vjosa Osmani ndan Dekorata Presidenciale me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, president Begaj,

Zonja e parë Armanda Begaj,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, të Qeverisë dhe të Kuvendit,

Të nderuar ambasadorë,

I nderuar komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneralejtant Bashkim Jashari,

Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta,

Familje të heronjve e të heroinave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuara personalitete vendore dhe të huaja që keni kontribuuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Shkëlqesi ambasadorë,

Në 17-vjetorin e pavarësisë sonë po i bëjmë bashkë historinë, sakrificën dhe krenarinë e këtij kombi në një akt solemn, në dekorimin e atyre që bënë Kosovën të lirë dhe shumë të tjerëve, që edhe sot vazhdojnë të ndihmojnë ecjen tonë përpara.

Në këtë ditë të shenjtë, në këtë moment solemn ne nuk përkujtojmë vetëm një datë, por në fakt po nderojmë një epokë të lavdishme të popullit tonë.

17 vjet liri, 17 vjet shtet, por betejë shumë më e gjatë se kaq për t’i treguar botës se Kosova është e përjetshme.

Në këtë ceremoni të veçantë kujtojmë dhe nderojmë ata që dhanë gjithçka për lirinë e këtij vendi.

E tillë është familja Jashari, e cila është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës, një monument i gjallë, i sakrificës dhe i heroizmit të pashoq.

Në historinë e njerëzimit, rrallëherë ka ndodhur që një familje e tërë

të flijohet për idealin e shenjtë të lirisë, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i dinjitetit kombëtar dhe motiv për mijëra ushtarë të UÇK-së.

Nga plumbi i parë e deri tek qëndresa heroike e marsit ‘98, Jasharët nuk u thyen asnjëherë. Nuk u zmbrapsën asnjëherë. Ata në fakt, përqafuan pavdekësinë. 55 anëtarë të familjes Jashari dhe katër të afërm dhe fqinjë, në total 59, ranë në altarin e lirisë në mars të ‘98-s.

Me të drejtë, komandanti Adem Jashari e Hamza, e shumë të tjerë, u nderuan me Urdhrin Hero i Kosovës.

Kisha nderin që para dy vitesh t’ia dorëzoj urdhrin familjes Jashari për Komandantin legjendar.

E sot titullin hero do t’ia ndajmë Shaban Jasharit, atij që inspiroi familjen dhe djemtë e tij, kryefamiljarit të Familjes Jashari e do të thosha kryefamiljarit të gjithë familjes së madhe të quajtur Kosovë.

Por deri më sot, përveç Bacë Shabanit, Ademit e Hamzës, deri më sot

Familja Jashari, si e tillë, si emblemë e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime, nuk ishte dekoruar në tërësi për heroizmin, sakrificën dhe qëndresën e saj të pashembullt.

Prandaj, kam nderin e jashtëzakonshëm që në emër të popullit të Kosovës sot do ta bëjmë dekorimin e Familjes Jashari në tërësi si një akt që synon ta plotësojë këtë mungesë historike, duke e njohur sakrificën e përbashkët të secilit anëtar të kësaj familjeje që qëndroi dhe luftoi për lirinë e Kosovës.

Ky është një moment i rëndësishëm për të riafirmuar se shteti i Kosovës nuk e harron kurrë sakrificën sublime të historisë sonë, por e nderon atë në mënyrën më të merituar dhe në mënyrë të plotë.

Me të njëjtin frymëzim e bazuar në vendime paraprake, të cilat sot do të zbatohen, sot do të dorëzojmë urdhrin Hero i Kosovës dhe Heroinë e Kosovës, respektivisht për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, dy bashkëluftëtarë dhe bashkëshortë, të cilët ranë ashtu siç jetuan, pra bashkë, bashkë e me armët në duar dhe me idealin e lirisë së ngulitur në shpirt.

Ata nuk e ndanë asnjëherë jetën nga lufta. E ata këtë titull, pra titullin Hero i Kosovës, e vulosën me jetën dhe gjakun e tyre, duke dëshmuar se lufta për liri nuk ishte një sakrificë individuale, por një përkushtim i përbashkët edhe i burrave, edhe i grave që besuan se Kosova meritonte të ishte e lirë.

E me këtë akt po bëjmë jo vetëm një vlerësim institucional, por edhe një konfirmim moral e historik se edhe kontributi i grave në luftën tonë çlirimtare nuk duhet të lejojmë të mbetet nën hije.

Lufta nuk ishte vetëm e burrave, ajo ishte një betejë e përbashkët, ku gratë si Xhevë Lladrovci, Yllka Domi, Lumnie Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika-Muhaxheri e shumë e shumë gra të tjera, të cilat sot do ta marrin titullin Heroinë e Kosovës, ashtu siç e meritojnë, sakrifikuan po aq sa edhe burrat, ndaj sot më në fund po marrin edhe vendin që atyre u takon në histori duke u ndarë urdhrin më të lartë, Urdhrin Heroinë e Kosovës.

Vajza dhe gra, qëndrestare e luftëtare, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës duke dëshmuar se çlirimi i këtij vendi nuk ishte vetëm betejë e burrave, por një përpjekje e përbashkët e gjithë popullit të Kosovës tregojnë se emrat e tyre do të mbesin përgjithmonë të skalitur në historinë tonë kombëtare.

Liria e Kosovës është edhe vepër e tyre, e forcës, e sakrificës dhe guximit që ato treguan në momentet më të errëta të historisë sonë.

Ata që ranë në fushën e nderit, heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vunë mbi gjithçka idealin e lirisë, sakrifikuan jetën, në mënyrë që mos të lejojnë që historia të përsëritet me padrejtësi.

Ata do të mbesin heronjtë tanë të përjetshëm, kujtimi i cilëve do të jetojë në zemrat dhe ndërgjegjen tonë kombëtare përgjithmonë.

Prandaj, sot bazuar edhe në propozimet që kanë ardhur nga shoqatat e dala nga lufta, nga deputetë, nga familjarë e nga personalitete të tjera publike,

do të ndahen një numër dekoratash për heronjtë që dhanë më të shtrenjtën,

jetën e tyre, në mënyrë që sot ne të gëzojmë lirinë.

Të nderuar të pranishëm,

Historia jonë njeh edhe heronj të gjallë, kontribuues për lirinë dhe pavarësinë tonë, që vijnë nga Republika e Shqipërisë dhe nga anë të ndryshme të globit.

Sot kur kujtojmë sakrificën dhe përpjekjet e paepura për lirinë e Kosovës,

është e rëndësishme të rikujtojmë rrënjët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të lindura nga vendosmëria e burrave dhe grave që nuk u përkulën para padrejtësisë.

Në vitin 1991, dy grupe themeluese të luftëtarëve të UÇK-së e nisën rrugëtimin e tyre drejt lirisë, duke u përgatitur e trajnuar në Shqipëri.

Grupi i parë, nën udhëheqjen e Zahir Pajazitit, u stërvit në Elbasan dhe grupi tjetër, i udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, u stërvit e u përgatit në Tiranë, në Surrel dhe në Malin e Dajtit.

Përgatitja e këtyre luftëtarëve nuk ishte vetëm një veprim spontan, por një mision i mirorganizuar, i mbështetur nga ushtarakë shqiptarë, sikurse Hysen Ymeri, Agron Dhimarko, Ylli Mici, Kastriot Hoxha dhe ushtarakë të tjerë shqiptarë të cilët punuan për ta trajnuar e përgatitur brezin e parë të luftëtarëve tanë që do ta ngrisnin pastaj flamurin e lirisë.

Prandaj, sot ne do t’ua njohim këtë kontribut institucionalisht, sepse e meritojnë, sepse janë pjesë e historisë sonë dhe njësoj siç e meritojnë ata, e meriton edhe ish-ushtari i UÇK-së, i cili erdhi nga Danimarka për të mbrojtur popullin e Kosovës, Niels Henrik Hooge, i cili sot është me ne në 17-vjetorin e shtetit të Kosovës.

Por, siç e dini të nderuar të pranishëm, liria nuk është vetëm betejë e armatosur, ajo është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbrojtur atë dhe për ta mbajtur gjallë të vërtetën e për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për brezat që rriten tani në liri.

Prandaj, sot nderojmë kontribuues të palodhur për pavarësinë e Kosovës nga anekënd globi. Ata që me vizionin dhe përkushtimin e tyre ndihmuan në shtetndërtimin e vendit tonë.

Me mirënjohje të thellë kujtojmë dhe falënderojmë miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët qëndruan pranë nesh në ditët më të vështira, duke na mbështetur në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Ata e kuptuan dhimbjen tonë, e dëgjuan zërin tonë dhe e mbrojtën të drejtën tonë për të jetuar të lirë dhe pastaj për ta ndërtuar shtetin.

Nga ish-presidentë nga vendet e ndryshme, kryeministra e kryetarë kuvendesh nga shtetet mike e deri te deputetë, gazetarë e aktivistë nga shumë vende demokratike anekënd globit, numri i kontribuuesve për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës është i madh.

Shumë prej tyre janë dekoruar më parë, e për shumë të tjerë kam nxjerrë vendim tani. Disa prej tyre kanë arritur të jenë sot me ne në këtë 17-vjetor të Pavarësisë e disa të tjerëve do t’u dorëzohen medaljet në ceremonitë e ardhshme.

Sot nderojmë edhe ata që u bënë zëri i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gazetarë e fotografë, të cilët nëpërmjet shkrimeve dhe dëshmive fotografike ia treguan botës të vërtetën për luftën e sakrificën e dhimbjen tonë, por edhe për shpirtin e pathyeshëm të popullit tonë.

Me po aq krenari sot u shprehim mirënjohjen më të lartë edhe vatrave universitare të dijes: institucioneve akademike, që krijuan mundësinë për shkollimin e të rinjve tanë për ta ndërtuar një brez të edukuar, i cili do të bartë mbi supe zhvillimin e Kosovës.

Qysh në ditët e para të pasluftës e për disa universitete nga Austria, në fakt, edhe para luftës këto universitete u siguruan që t’i japin Kosovës dhe rinisë së saj gjithë mbështetjen e nevojshme në ndërtimin e institucioneve të dijes.

E ardhmja e një shteti matet me dijen e brezave.

Ndaj, falë këtyre institucioneve universitare, Kosova po ec përpara me dije dhe vizion.

Prandaj, duke marrë për bazë propozimet që kanë ardhur nga fakultete të ndryshme të universiteteve tona, kam vendosur kësaj radhe të dekoroj 20 universitete ndërkombëtare që qëndruan pranë Kosovës në ditët më të vështira të ndërtimit të sistemit tonë arsimor.

Përfaqësuesit e disa universiteteve janë me ne sot, ndërkaq të tjerat universitete do t’i marrin medaljet në ceremonitë e radhës.

Përderisa sot kemi prezentë në këtë ceremoni edhe prijësit fetarë, dua në veçanti ta përmend që në kohët më të rënda të atdheut tonë, toleranca ndërfetare dhe puna e përbashkët u tregua në mënyrën më të jashtëzakonshme të mundshme.

Prandaj, sot do të dekorohen edhe disa nga prijësit fetarë të Republikës së Kosovës për veprimtarinë e tyre atdhetare dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në momentet më të rënda.

Të nderuar të pranishëm,

Sot, nuk po ndajmë vetëm dekorata, por po shkruajmë një kapitull të lavdisë dhe të mirënjohjes.

Të nderohesh nga shteti yt është më shumë se një vlerësim, është një vulosje në historinë e tij, është një betim për përjetësi.

Se ka njerëz që nuk jetojnë vetëm për veten e tyre, por jetojnë për popullin, për të ardhmen, për një ideal që mbetet edhe pasi ata nuk janë më.

Ka burra e gra, zemrat e të cilëve kanë rrahur me ritmin e Kosovës, duart e të cilëve kanë punuar për të, mendjet e cilëve kanë ndriçuar rrugën e saj.

Prandaj, sot shteti ynë u falet atyre me mirënjohje të përhershme.

Këta janë njerëzit që nuk u lodhën, nuk u ndalën e nuk u dorëzuan kurrë.

Në kohët më të errëta ata ndezën dritën e shpresës.

Në sfidat më të mëdha ata gjetën forcën për të ecur përpara.

Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje

ata u bënë përgjigjja, u bënë mburoja dhe zemra e shpirti i këtij vendi.

Sot, ne i kujtojmë me nderim dhe u japim vendin që meritojmë: në panteonin e kombit tonë.

Emrat e tyre nuk do të shkruhen vetëm në këto dekorata, por në historinë e Kosovës, në kujtesën e gjeneratave që do të vijnë pas nesh, sepse pa ta ne nuk do të ishim këtu.

Pa burra e gra, trima e guximtarë të Kosovës e pa aleatë nga bota demokratike, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot: e lirë, krenare dhe e vendosur vetëm e vetëm që të ecë përpara.

Le të jetë kjo ditë një thirrje për të gjithë ne, një thirrje për ta dashur edhe më shumë këtë vend, një thirrje për ta dashur Kosovën ashtu siç e deshtën ata,

për të punuar për të me të njëjtin përkushtim, për të mos lejuar që asgjë ta lëkundë ëndrrën tonë. Për një Kosovë edhe më të mirë, më të fortë dhe më të integruar në familjen euro-atlantike.

Sepse, Kosova nuk është vetëm një tokë e lirë, por është një shpirt i pathyeshëm.

Kosova nuk është vetëm një histori e shkruar, është një e ardhme e ndritur!

Lavdi për jetë atyre që ranë për liri, nder e mirënjohje për të gjithë ju që i dhatë Kosovës dinjitet, forcë dhe të ardhme!

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.