Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e Festës së Fitër Bajramit, ku u prit nga kryemyftiu Naim Tërnava.
Me këtë rast, Presidentja Osmani ka deklaruar:
Është nder i veçantë që nga Bashkësia Islame e Kosovës së bashku me kryemyftiun, me bashkëpunëtorët e tij dhe bashkëpunëtorët e mi, t’i urojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me fat Bajramin, me shpresën që lutjet e tyre gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë pranuar dhe me urimin nga thellësia e zemrës për shëndet, për begati dhe bekim të Zotit në secilën familje, në secilën shtëpi.
Shpresoj që kjo festë por edhe i gjithë muaji i shenjtë i Ramazanit, dhe fryma që përshkon secilën familje dhe secilën shtëpi gjatë këtij muaj të shenjtë të jenë inspirim për secilin qytetar tonin që kjo frymë e solidaritetit, bashkëpunimit dhe ndihmës ndaj të tjerëve të vazhdojë përgjatë tërë vitit.
Natyrisht, në këtë drejtim dua ta falënderoj kryemyftiun Tërnava dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij për punën e jashtëzakonshme që bëjnë duke u dalë në ndihmë atyre që kanë më së shumti nevojë, kryesisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit por jo vetëm, sepse këtë punë të jashtëzakonshme e bëjnë gjatë tërë vitit.
Edhe një herë ju faleminderit kryemyfti dhe me fat bajrami të gjithë qytetarëve përfshirë juve mediave që sot jeni në krye të detyrës.
