Zyra dhe Funksioni
STATUSI DHE KOMPETENCAT KUSHTETUESE TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
KAPITULLI I - DISPOZITAT THEMELORE
Neni 4
[Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit]
3. Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë.
Neni 18
[Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare]
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje:
(1) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake;
(2) të drejtat dhe liritë themelore;
(3) anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare;
(4) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.
2. Marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre në pikën 1, ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës ose Kryeministri njoftojnë Kuvendin sa herë që të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare.
4. Amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do të kenë të njejtën procedurë të vendim marrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
5. Parimet dhe procedurat për ratifikimin dhe kontestimin e marrëveshjeve ndërkombëtare rregullohen me ligj.
KAPITULLI III - TË DREJTAT E KOMUNITETEVE DHE PJESËTARËVE TË TYRE
Neni 60
[Këshilli Konsultativ për Komunitete]
1. Një Këshill Konsultativ për Komunitete vepron nën autoritetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, në të të cilin përfaqësohen të gjitha komunitetet.
2. Këshilli Konsultativ për Komunitete përbëhet, përveç të tjerësh, nga përfaqësues të asociacioneve të komuniteteve.
3. Mandati i Këshillit Konsultativ për Komunitete përfshin:
(1) ofrimin e një mekanizmi për shkëmbimin e rregullt ndërmjet komuniteteve dhe Qeverisë
së Kosovës;
(2) mundësinë e komuniteteve për të komentuar në një fazë të hershme nismat legjislative dhe politike, të cilat mund të përgatiten nga Qeveria, për të sugjeruar nisma të tilla dhe për të kërkuar që pikëpamjet e tyre të përfshihen në projektet dhe programet përkatëse;
(3) çdo përgjegjësi a funksion tjetër, në pajtim me ligjin.
KAPITULLI IV - KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 79
[Nisma Legjislative]
Nismën për të propozuar ligje, mund ta marrë Presidenti i Republikës së Kosovës nga fushëveprimtaria e saj/tij, Qeveria, deputetët e Kuvendit, ose më së paku dhjetëmijë qytetarë, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Neni 80
[Miratimi i Ligjeve]
1. Ligjet, vendimet dhe aktet tjera miratohen nga Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, përveç në rastet kur është ndryshe e përcaktuar me këtë Kushtetutë.
2. Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë (8) ditësh pasi të ketë marrë ligjin.
3. Nëse Presidenti i Republikës e kthen ligjin në Kuvend, ai/ajo duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit. Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë.
4. Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.
5. Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.
6. Ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligj nuk përcaktohet ndryshe.
Neni 82
[Shpërndarja e Kuvendit]
1. Kuvendi shpërndahet në këto raste:
(1) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria;
(2) nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës;
(3) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës.
2. Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.
Kapitulli V Presidenti i Republikës së Kosovës
Neni 83
[Statusi i Presidentit]
Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës.
Neni 84
[Kompetencat e Presidentit]
Presidenti i Republikës së Kosovës:
(1) përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë;
(2) garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë;
(3) shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë te tij;
(4) nxjerr dekrete në pajtim me këtë Kushtetutë;
(5) shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;
(6) ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë;
(7) nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë;
(8) propozon amendamente për këtë Kushtetutë;
(9) mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese;
(10) udhëheq politikën e jashtme të vendit;
(11) pranon letrat kredenciale të shefave të misioneve diplomatike të akredituar në Republikën e Kosovës;
(12) është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë të Kosovës;
(13) udhëheq Këshillin Konsultativ për Komunitete;
(14) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;
(15) emëron dhe shkarkon Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
(16) emëron dhe shkarkon gjyqtarët e Republikës së Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
(17) emëron dhe shkarkon Kryeprokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Prokuroial të Kosovës;
(18) emëron dhe shkarkon prokurorët e Republikës së Kosovës, me propozimin të Këshillit Prokurorial të Kosovës;
(19) emëron gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e Kuvendit;
(20) emëron Komandantin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, pas rekomandimit të Kryeministrit;
(21) së bashku me Kryeministrin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë;
(22) vendos për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin;
(23) mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe i kryeson ato në kohën e Gjendjes së Jashtëzakonshme;
(24) vendos për formimin e misioneve diplomatike e konsullare të Republikës së Kosovës, në bazë të konsultimit me Kryeministrin;
(25) emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë;
(26) emëron Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
(27) emëron Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i cili shërben edhe si Drejtor Menaxhues dhe emëron anëtarët e tjerë të Bordit të Bankës;
(28) jep medalje, mirënjohje dhe çmime, në pajtim me ligjin;
(29) shpall falje individuale, në pajtim me ligjin;
(30) sÑ paku një here në vit i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me fushëveprimtarinë e tij/saj.
Neni 85
[Kualifikimi për Zgjedhjen e Presidentit]
President i Republikës së Kosovës mund të zgjedhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës, i cili e ka mbushur moshën tridhjetë e pesë (35) vjeçare.
Neni 86
[Zgjedhja e Presidentit]
1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.
4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.
6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.
Neni 87
[Mandati dhe Betimi]
1. Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës. Teksti i betimit rregullohet me ligjin.
2. Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet.
3. Pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjedhet vetëm edhe një herë.
Neni 88
[Papajtueshmëria]
1. Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik.
2. Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.
Neni 89
[Imuniteti]
Presidenti i Republikës së Kosovës gëzon imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit të Republikës së Kosovës.
Neni 90
[Mungesa e Përkohshme e Presidentit]
1. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit.
2. Në rast se nuk ka ndodhur kalimi vullnetar i përgjegjësive, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve vendos nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e veta. Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës derisa ajo/ai të bëhet i aftë që të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive të Presidentit.
3. Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj.
Neni 91
[Shkarkimi i Presidentit]
1. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
2. Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit.
3. Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij.
KAPITULLI VI - QEVERIA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 93
[Kompetencat e Qeverisë]
Qeveria ka këto kompetenca:
… (8) i propozon Presidentit të Republikës së Kosovës emërimet dhe shkarkimet për shefa të misioneve diplomatike të Kosovës;
Neni 94
[Kompetencat e Kryeministrit]
Kryeministri ka këto kompetenca:
…(7) këshillohet me Presidentin e Republikës së Kosovës mbi çështjet e Inteligjencës;
(8) së bashku me Presidentin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë;
(9) këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit; …
Neni 95
[Zgjedhja e Qeverisë]
1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.
2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.
5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.
6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj.
KAPITULLI VII - SISTEMI I DREJTËSISË
Neni 104
[Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve]
1. Gjyqtarët i emëron, riemëron dhe shkarkon Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
…
Neni 109
[Prokurori i Shtetit]
… 7. Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Mandati i Kryeprokurorit të Shtetit është shtatëvjeçarë, pa mundësi riemërimi.
KAPITULLI VIII - GJYKATA KUSHTETUESE
Neni 113
[Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara]
1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
2. Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Qeveria dhe Avokati i Popullit janë të autorizuar të ngrenë rastet në vijim:
(1) çështjen e përputhshmërisë së ligjeve, të dekreteve të Presidentit e të Kryeministrit dhe të rregulloreve të Qeverisë, me Kushtetutën;
(2) përputhshmëria e Statutit të Komunës me Kushtetutën.
3. Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Qeveria janë të autorizuar të ngrenë çështjet në vijim:
(1) konflikti në mes të kompetencave kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës;
(2) përputhshmëria e referendumit të propozuar me Kushtetutën;
(3) përputhshmëria e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe veprimeve të ndërmarra gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme me Kushtetutën;
(4) përputhshmëria e një amendamenti të propozuar kushtetues me marrëveshjet e detyrueshme ndërkombëtare, të ratifikuara sipas kësaj Kushtetute dhe rishikimi i kushtetutshmërisë së procedurës së ndjekur;
(5) nëse është shkelur Kushtetuta gjatë zgjedhjes së Kuvendit.
…
Neni 114
[Përbërja dhe Mandati i Gjykatës Kushtetuese]
…2. Gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit, për një mandat nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi.
Neni 118
[Shkarkimi]
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës me propozimin e dy të tretave (2/3) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.
KAPITULLI XI - SEKTORI I SIGURISË
Neni 126
[Forca e Sigurisë e Kosovës]
…3. Presidenti i Republikës së Kosovës është Komandant i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës, e cila gjithmonë i nënshtrohet kontrollit të autoriteteve civile të zgjedhura në mënyrë demokratike.
…
5. Komandantin e Forcës së Sigurisë të Kosovës e emëron Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të rekomandimit të Qeverisë. Organizimi i brendshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës rregullohet me ligj.
Neni 127
[Këshilli i Sigurisë i Kosovës]
1. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë, përgatit strategjinë e sigurisë për Republikën e Kosovës. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës ka edhe rol këshillues në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Republikën e Kosovës.
2. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës kryesohet nga Kryeministri me mbështetje nga Qeveria, përveç gjatë periudhës së Gjendjes së Jashtëzakonshme, sikurse është parashikuar me këtë Kushtetutë.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të kërkojë takime të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës, dhe Këshilli është i obliguar të bashkërendojë punën e tij ngushtësisht me Presidentin. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me autoritetet ndërkombëtare.
4. Anëtarët e Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës emërohen dhe shkarkohen në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 129
[Agjencia e Kosovës për Inteligjencë]
…3. Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri, pas konsultimit me Qeverinë, së bashku emërojnë Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Kualifikimi dhe mandati, rregullohen me ligj.
4. Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri marrin të njëjtat informacione në lidhje me inteligjencën.
Neni 131
[Gjendja e Jashtëzakonshme]
1. Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kur:
(1) ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes;
(2) ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike;
(3) ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.
2. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk suspendohet.Kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ligji për zgjedhjet e Kuvendit dhe të Komunave nuk mund të ndryshohet. Parimet e tjera për veprimet e institucioneve publike gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme rregullohen me ligj, por ato nuk duhet të jenë në shpërputhje me këtë nen.
3. Nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Kryeministrin, shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.
4. Nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me Kryeministrin, mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë një dekret, i cili përcakton natyrën e gjendjes së emergjencës dhe çfarëdo kufizimi mbi të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.
5. Gjendja e Jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej gjashtëdhjetë (60) ditësh. Me pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë, Gjendja e Jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej tridhjetë (30) ditësh, por jo më shumë se për nëntëdhjetë (90) ditë shtesë gjithsej.
6. Kuvendi mund të vendosë kufizime të tilla, sipas nevojës, për sa i përket kohëzgjatjes dhe shkallës së Gjendjes së Jashtëzakonshme. Kur Presidenti konstaton se rreziku ndaj Republikës së Kosovës është i natyrës së jashtëzakonshme, Kuvendi mund të vendosë që Gjendja e Jashtëzakonshme të zgjasë më shumë se njëqind e pesëdhjetë (150) ditë, vetëm nëse për të votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit.
7. Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme.
8. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, vetëm gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me Gjendjen e Jashtëzakonshme. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sikur rregullohet me ligj. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me Qeverinë, Kuvendin dhe autoritetet ndërkombëtare.
9. Ligji përcakton parimet, lëmit dhe mënyrën e kompensimit të dëmeve të shkaktuara si pasojë e kufizimeve të vendosura gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme.
KAPITULLI XII - INSTITUCIONET E PAVARURA
Neni 139
[Komisioni Qendror i Zgjedhjeve]
… 3. Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e emëron Presidenti i Republikës së Kosovës nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatave me jurisdiksion apeli.