...

Parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, urime të gjithëve 17-vjetori i Pavarësisë!

I nderuar Kryeministër,
Të nderuar ish-Presidentë,
I nderuar kabinet qeveritar,
Të nderuar oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të Forcës së Sigurisë,
Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve të UÇK-së,
Të nderuar ambasadorë nga shtetet mike,
Shumë të dashur të pranishëm,

Në këtë 17-vjetor të shtetit tonë ne jemi këtu, sepse qëndruam dhe rezistuam.

Ne jemi sot këtu, sepse luftuam, sepse sakrifikuam, sepse nuk u përkulëm kurrë para dhunës, para padrejtësisë dhe mizorive.

Ne jemi këtu sot, sepse ia dolëm të ringritemi, ta ndërtojmë dhe ta forcojmë shtetin tonë!

E falë ushtrisë dhe policisë që sot parakalojnë para qytetarëve të Kosovës, arritëm ta mbrojmë edhe çdo pëllëmbë të shtetit tonë.

Në këtë ditë të madhe të historisë sonë, në këtë 17-vjetor të Pavarësisë së Republikës qëndrojmë krenarë para flamurit tonë të dashur, nën qiellin e lirë të atdheut tonë, për ta nderuar rrugëtimin e lavdishëm të kombit tonë drejt lirisë, sovranitetit dhe shtetësisë së plotë.

Në themelet e Republikës sonë qëndron një rrugëtim i gjatë.

Një rrugëtim, që nisi me vizionin e arkitektit të Pavarësisë sonë, Atit themeltar të Republikës, Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova.

Me mençuri dhe këmbëngulje ai udhëhoqi rezistencën paqësore të popullit tonë, duke e bërë të njohur kauzën tonë para botës e duke ndërtuar aleanca të fuqishme, të cilat edhe sot na rrinë pranë.

Sot, me nderimin më të madh, kujtojmë dhe përkulemi para sakrificës sublime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila nën udhëheqjen e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit e mijëra luftëtarëve të lirisë e vulosi fatin tonë me gjakun e saj.

Përkulemi me respekt të thellë për familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e martirët, që e bënë këtë ditë të mundshme me sakrificën e tyre të jashtëzakonshme.

Historia jonë nuk do të ishte e njëjtë pa mbështetjen e aleatëve tanë.

Falënderimi ynë i përjetshëm shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për NATO-n, për shtetet evropiane dhe për demokracitë gjithandej botës, sikurse edhe për të gjithë miqtë ndërkombëtarë që qëndruan me ne në momentet më të vështira dhe na ndihmuan që ta bëjmë të mundur lirinë dhe pavarësinë, duke na mbështetur atëherë kur armiqtë donin të na fshinin nga faqja e dheut.

Ne nuk harrojmë kurrë ndihmën e tyre, sepse Kosova ka miq dhe miqtë e Kosovës janë miqtë e lirisë.

Ne jemi Republika e Kosovës.

Ne jemi zëri i rezistencës dhe i guximit.

Ne jemi forca, që ka rezistuar ndaj shtypjes dhe padrejtësisë dhe nuk është thyer asnjëherë.

Ne jemi populli, që luftoi për lirinë dhe sakrifikoi për të ardhmen.

Ne jemi shpirti, që mbijetoi dhe ndërtoi sërish nga hiri.

Ne jemi vizioni, që reformoi dhe udhëheqi ndryshimin.

Ne jemi shteti dhe Republika, që nuk ndalet kurrë dhe ecën përpara me vendosmëri dhe krenari.

Para nesh sot do të dalë Forca e Sigurisë së Kosovës ushtria jonë, trashëgimtarja e dinjitetshme e sakrificave të brezave të tërë, pasuese e denjë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me profesionalizëm, përkushtim dhe guxim, FSK-ja ka treguar se është krenaria e shtetit dhe e gatshme kurdoherë për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

E përgatitur në përputhje me zhvillimet më të fundit në arkitekturën globale të sigurisë, ushtria jonë do të jetë gjithnjë në mbrojtje të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së qytetarëve tanë pa dallim.

Liria jonë është e shenjtë dhe mbrojtja e saj është detyrë e përhershme.

Këtë detyrë me nderin më të lartë po e kryen policia e Kosovës, e cila mbron çdo ditë kufijtë e Kosovës me guxim e përkushtim, të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën për të mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës.

Kosova, megjithatë nuk është vetëm një copë toke.

Kosova është frymë.

Kosova është shpirt dhe mision i përhershëm.

Nuk është vetëm një shtet me histori. Kosova është simbol i dinjitetit dhe i një sakrifice të pashembullt për liri.

Kushdo që guxon ta vërë në dyshim këtë realitet, le ta dëgjojë zërin e popullit të Kosovës sot!

Kosova është dhe mbetet atdheu ynë i përjetshëm.

Kosova ecën përpara me forcën e popullit të saj, me vizionin e rinisë së saj, me krenarinë e historisë së saj.
Kosova është atdheu ku i projektojmë ëndrrat, ku ndërtojmë perspektivën e brezave që do të vijnë.

Me besim të palëkundur në të ardhmen tonë, me optimizëm e krenari, do të vazhdojmë të punojmë për një Kosovë edhe më të fortë, edhe më të begatë dhe gjithnjë të përjetshme.

Sot, ne të gjithë jemi bashkë.

Populli i Kosovës feston si një dhe me krenari.

Pavarësisht dallimeve, pavarësisht sfidave, pavarësisht pengesave që janë vënë në rrugën tonë, ne jemi dhe do të vazhdojmë të mbesim të bashkuar për atdheun tonë – Republikën tonë të dashur.

Gëzuar 17-vjetorin e Pavarësisë!

Lavdi heronjve të UÇK-së!

Zoti e bekoftë ushtrinë dhe policinë e Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.