presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Intervistë e Presidentes Osmani për të përditshmen italiane “La Repubblica”

Presidentja Osmani: “Me armët ruse Vuçiq po mendon aneksimin sipas modelit të Krimesë”

“Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe se NATO është me ne”.

01 TETOR 2023 ORA 01:00

La Repubblica: Së pari sulmi në Banjskë, tani trupat serbe në kufi. Presidente Vjosa Osmani, çfarë po ndodh në Kosovë?

Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke shtuar numrin e forcave të armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë. Serbia ende udhëhiqet nga mentaliteti i Millosheviqit dhe përpiqet të eliminojnë gjithçka që Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe populli ynë kanë arritur në dy dekada: paqen, stabilitetin dhe lirinë”.

La Repubblica: A mendoni se Beogradi dëshiron të pushtojë Kosovën?

Ai ka pasur gjithmonë pretendime territoriale, tani ai dëshiron të përdorë modelin e Putinit për një aneksim të stilit të Krimesë. Natyrisht nuk do ta lejojmë. Ne punojmë me forcat e NATO-s për të mbrojtur liritë tona të fituara me vështirësi, pavarësinë tonë.

La Repubblica: A shihni një rrezik konkret për orët apo ditët e ardhshme?

Alarmi i ngritur nga SHBA-të, është shumë, shumë real. Ata (Serbia) duan të hyjnë në Kosovë dhe të marrin pjesë të territorit tonë. Ka shumë dëshmi se situata është jashtëzakonisht shqetësuese. Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për ta mbrojtur lirinë e tij me çdo kusht dhe se NATO është me ne.

La Repubblica: A dini për një plan sulmi? A synojnë veriun apo edhe Prishtinën?

Ne jemi ende duke mbledhur prova, nuk është koha për t’i bërë publike. Historikisht ata janë më të interesuar për veriun e Kosovës.

La Repubblica: Pse e akuzoni Presidentin serb Vuçiq se është vërtet përgjegjës për sulmin ndaj Banjskës më 24?

Për shkak se ai është drejtuesi, ai ka qenë gjithmonë drejtues i këtyre bandave: i ka trajnuar dhe paguar, i ka dhënë urdhra dhe së shpejti do të bëhet e qartë se ai ka drejtuar operacionin, padyshim me ekzekutorë të tjerë. Është metoda e Millosheviqit në fillim të viteve 1990: ai i përdori këto banda për aksione paraushtarake në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, megjithëse tha: “Unë nuk kisha asnjë lidhje me të”. Në fund u zbulua se ai ishte truri i të gjitha luftërave gjenocidale në ish-Jugosllavi, të cilat filluan me këtë lloj operacioni që dishepulli i tij, Aleksandar Vuçiq, po e kryen tani në Kosovë”.

La Republica: Kush është aleati juaj më i mirë?

Për arsye të dukshme historike, SHBA-të. Ata udhëhoqën botën demokratike duke ndihmuar Kosovën të arrijë lirinë dhe pavarësinë, dhe tani ata udhëheqin për të siguruar që paqja, stabiliteti dhe liria të ruhen në Kosovë dhe në mbarë botën. Por nuk thashë që BE-ja nuk është aleate: Kosova është vendi më proevropian në botë, mbi 90% janë për integrim”.

La Repubblica: Pse procesi i paqes është në bllokim?

Vuçiqi abuzoi me politikën aktive të qetësimit të një pjese të BE-së ndaj tij. Kanë kaluar 12 vite dialog dhe ai nuk ka zbatuar shumicën e marrëveshjeve. Krijoi tensione dhe destabilizoi rajonin, por BE-ja nuk mori asnjë masë kundër Serbisë. Është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione kundër Putinit dhe BE-ja nuk i ka lëvizur qerpikët: sa më shumë distancohet Serbia, aq më shumë e financon. Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga parimet themelore të BE-së. por nuk funksionoi: kjo e inkurajon Vuçiqin të bëhet edhe më dominues. Ai mendon se mund t’i ikë… Epo, do ta gjejë Policinë e Kosovës, KFOR-in e NATO-s duke e pritur, më mirë as mos ta mendojë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.