...

Fjalimi i Presidentes Osmani në seancën solemne të Kuvendit për nder të Epopesë së UÇK-së

Shumë i dashur baca Rifat,

E nderuar familje Jashari,

E nderuar kryetare e Kuvendit, znj. Haxhiu,

I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti,

Anëtarë të kabinetit qeveritar,

Të nderuar ministra e deputetë,

Ish-presidentë të Republikës,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë,

Familje të dëshmorëve,

Shoqata të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Kryetarë të komunave,

Përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale,

Shumë të dashur qytetarë të Kosovës,

Marsi, që në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, ishte muaji i përballjeve, të cilat vendosnin drejtimin e historisë sonë.

Pikërisht më 5, 6 dhe 7 Mars 1998, në zemër të Prekazit, historia jonë mori drejtim të ri. Këtu, qëndresa, sakrifica, heroizmi dhe e ardhmja jonë në një vend.

Në bedenat e kullave në Prekaz, qëndroi Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, bashkë me gjithë familjen e tij, duke zgjedhur sakrificën përpara përkuljes.

Ata zgjodhën lirinë para frikës e mbi të gjitha zgjodhën nderin para jetës.

Në ato tri ditë, marsi u bë muaji i Epopesë dhe i sakrificës, që ringjalli një komb të tërë. Familja Jashari u bë kala, ndërkaq kullat e tyre u bën flamur i përhershëm i lirisë sonë.

Sot, kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 Marsin, kujtojmë momentin kur Kosova vendosi mos të jetojë e gjunjëzuar. Prandaj, tri ditët e Epopesë janë histori e shkruar me qëndresë, para së cilës përkulemi sot e do të vazhdojmë të përkulemi përgjithmonë.

58 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë, krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri. Ky ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën, mbarë kombin, por po ashtu zgjoi ndërgjegjën e gjithë botës.

Epopeja e Marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale, është akt themelues i Republikës sonë dhe moment kur pushka e qëndresës u bë zë politik i një kombi, që kërkonte vendin e vet në botë si komb i lirë.

Nga Prekazi nisi orteku i lirisë, që nuk u ndal më. Nisi një frymë, që u përhap në çdo fshat e në çdo qytet. Nisi një betim, se kjo tokë nuk do të nëpërkëmbej.

Epopeja është epike sepse buroi nga populli, nga pragu i kullave në Prekaz. E tillë ishte e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sepse pikërisht buroi nga populli dhe lufta që e bëri ishte jo vetëm e drejtë, por edhe e domosdoshme dhe do ta mbrojmë për sa të jetë jeta.

Sot, kur përmendim emrin e Adem Jasharit, Komandantit Legjendar dhe të gjithë familjes Jashari, kemi në mendje frymën dhe thirrjen që na kujton se liria asnjëherë nuk është dhuratë, por është sakrificë. Shteti është përgjegjësi dhe flamuri që e personifikon atë është amanet.

Familja e Adem Jasharit nuk është vetëm simbol i flijimit, por edhe i dinjitetit të lartë shtetëror. Me heshtje fisnike dhe me një qëndrim të palëkundur, familja Jashari vazhdon të jetë aty ku e vendosi historia, në piedestalin më të lartë të sakrificës për atdheun.

Të nderuar deputetë,

Të nderuar të pranishëm,

Epopeja na mëson se kur një popull vendos të jetojë i lirë, asnjë forcë nuk mund ta ndal atë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e Jasharajve, nuk ishte vetëm betejë e një populli. Ajo u pasqyrua dhe u mbështet edhe nga miqtë tanë anekënd globit.

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tek aleatët tanë evropianë e shumë shtete të tjera demokratike, ato qëndruan në krah të Kosovës duke na dhënë mbështetje në momentet më të rënda. Dhe pikërisht kjo mbështetje dhe solidaritet, e bashkëdyzuar me sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e bënë të mundur kapitullin e ri të lirisë dhe të shtetit tonë.

Por, Epopeja nuk ka mbaruar, ajo vazhdon në secilin institucion. Te secili ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, te secili polic që çdo ditë kujdeset për sigurinë tonë, te mësuesit që edukojnë këtë brez, te mjekët tanë, e mbi të gjitha te secili qytetar që punon me ndershmëri.

Sa herë që dikush dyshon në forcën e këtij populli, mjafton ta përmendë një emër: Adem Jasharin dhe familjen Jashari.

Ata ranë për t’u ngritur një komb i tërë. I jemi mirënjohës përjetësisht gjithë familjes Jashari dhe gjithë burrave e grave të UÇK-së, të cilët i dolën zot atdheut dhe ranë për lirinë e tij.

Me kujtimin e heronjve dhe të kaluarës sonë, me kujtimin e të gjithë martirëve, që ranë e u flijuan për lirinë tonë, ne afirmojmë edhe të ardhmen. Kosova ka mësuar se liria kërkon vizion, vendosmëri dhe mbrojtje të vazhdueshme. Secili qytetar i yni është partner i këtij projekti kombëtar. Çdo vendim i drejtë dhe i mençur, forcon themelet e shtetit tonë.

Prandaj, kemi detyrimin kombëtar e moral ta transformojmë kujtesën tonë historike në vizion politik e zhvillimor. Në Kosovë të fuqishme, ku vendimmarrja strategjike dhe integriteti institucional sigurojnë prosperitetin e brezave, që vijnë pas nesh.

Ky është amaneti i Epopesë së UÇK-së. Të vazhdojmë ta forcojmë shtetin, për të cilin ata dhanë jetën, shtetin ku memoria kombëtare shërben si udhërrëfyes për një të ardhme të qartë, të drejtë dhe vizionare.

Zoti e bekoftë familjen Jashari, simbolin më emblematik të shtetit e të kombit tonë!

Zoti i bekoftë të gjithë dëshmorët e UÇK-së, të gjithë martirët!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.