I nderuar President Begaj,
E nderuar Kryetare e Kuvendit znj. Haxhiu,
I nderuar Kryeministër Kurti dhe anëtarë të kabinetit qeveritar,
Shumë i dashur Baca Rifat,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë të shteteve mike,
Ish-presidentë e ish-kryeministra,
E nderuar familje Rugova, familje Jashari, familje të dëshmorëve,
Përfaqësues të institucioneve të sigurisë,
Prijës fetarë të vendit tonë,
Shumë të nderuar mysafirë nga Garda e IOWA, nga Anglia dhe nga shtete të ndryshme,
Shumë të dashur qytetarë të Republikës sonë,
18 vjet më parë, Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.
18 vjet më parë, Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare.
Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, me gjak, me sakrificë dhe me durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, u dëbuan, u luftuan, por asnjëherë nuk u nënshtruan.
Sot, me respektin më të thellë përulemi para kujtimit të të gjithë atyre burrave e grave që ranë për këtë ditë, në mënyrë që Kosova të jetë Republikë.
Në themelet e shtetit tonë qëndron vizioni i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë së Republikës sonë. Me mençuri, durim, vizion dhe një besim të palëkundur në lirinë dhe dinjitetin e popullit tonë, ai udhëhoqi Kosovën në kohët më të rënda, duke i dhënë kauzës sonë legjitimitet e mbështetje ndërkombëtare si dhe shpresë të brendshme.
Historia jonë më tej është brumosur në periudhën e luftës për liri. Ajo mban emrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes së tij heroike dhe të gjithë burrave e grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Ajo është zemra e rezistencës sonë kombëtare dhe përgjigjja e një populli të shtypur ndaj një regjimi gjenocidal. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, gjithnjë e pastër dhe gjithnjë e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë, për ta relativizuar apo për ta barazuar viktimën me agresorin, është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e pavërtetë dhe tërësisht e papranueshme.
Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sot gjinden në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë dhe me mbështetjen e palëkundur të popullit të Kosovës, u ngritën për liri, për dinjitet dhe për të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Prandaj, çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbisë jo vetëm që e minon drejtësinë, por dëmton rëndë edhe themelet e paqes afatgjatë në rajonin tonë.
Lufta e UÇK-së ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës. Kjo e vërtetë historike është themel i shtetit tonë dhe nuk mund të zhbëhet nga asnjë përpjekje për rishkrim apo deformim të historisë. Sot, më shumë se kurrë, e kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku. Asnjë dallim i yni i së kaluarës apo i së tashmes nuk guxon të jetë pengesë në unitetin tonë në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare, sepse kështu ne e mbrojmë pastërtinë e lirisë, pavarësisë dhe vetë ekzistencën e shtetit tonë. Sepse, mbi çdo dallim ekziston përgjegjësia jonë e përbashkët për ta mbrojtur këtë shtet, i cili është rezultat i një sakrifice shekullore. Duke e mbrojtur të vërtetën, ne mbrojmë vetë shtetësinë tonë dhe këtë do ta bëjmë për sa të jetë jeta, sepse lufta jonë çlirimtare ishte betimi i përgjakur i një populli, që deshi të jetojë i lirë në tokën e vet.
Secili prej tyre i dha vulën në trup, në shpirt dhe në kujtesë shtetit të cilin e gëzojmë sot. Prandaj sot, detyra jonë është që kjo liri të jetë e denjë për sakrificën e secilit dëshmor dhe secilit martir, që dha jetën për liri.
Kosova u bë shtet për ta mbrojtur të vërtetën dhe për të mos lejuar kurrë që historia të rishkruhet në dëm të atyre që sakrifikuan gjithçka. E populli i Kosovës sakrifikoi gjithçka deri edhe fëmijët në djep, në mënyrë që ne sot ta gëzojmë lirinë. Prandaj, nuk do të pranojmë asnjëherë në Kosovë e kudo në botë, ndonjë narrativë që barazon agresorin me viktimën, pushtuesin me të pushtuarin e krimin me rezistencën për liri.
Të nderuar deputetë,
Rruga e Kosovës drejt lirisë ka qenë një rrugëtim i gjatë, i mundimshëm dhe i mbushur me sfida, por edhe me aleanca të fuqishme e me miqësi të sinqerta. Në këtë përvjetor, me mirënjohje të thellë dua t’i falënderoj të gjithë aleatët tanë, aleatë të cilët i ndërtuam me mençurinë dhe vizionin e Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova dhe burra e gra që qëndruan pranë tij në ndërtimin e këtyre aleancave, të cilat do t’i mbrojmë me çdo kusht.
Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin tonë strategjik! Falënderojmë çdo shtet evropian e gjetiu, gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që qëndruan përkrah Kosovës kur liria dukej e largët dhe e pamundur. Pa përkrahjen e tyre politike, diplomatike dhe ushtarake ëndrra jonë për liri do të ishte akoma e largët.
Sot, pas 18 vitesh shtetësi, kemi arritur shumë, por kemi akoma shumë rrugë për të bërë përpara. Përgjegjësia jonë e përbashkët është që, idealin për të cilin u flijuan dëshmorët ta vazhdojmë ta shndërrojmë në një shtet të fortë, me sovranitet në çdo pëllëmbë të tij, në drejtësi funksionale e të paanshme, në zhvillim ekonomik për çdo qytetar të vendit tonë, në integrim në familjen euroatlantike, aty ku e kemi vendin dhe mbi të gjitha në shpresë, shpresë për të rinjtë tanë. 18 vjet shtet janë edhe më shumë përgjegjësi.
Le ta ruajmë Kosovën si amanet. Le ta ndërtojmë të ardhmen me guxim. Le ta mbajmë gjithnjë të gjallë dashurinë për atdheun tonë. Le ta ruajmë lirinë si vlerën më të shtrenjtë dhe ta ndërtojmë shtetin si shtëpi të përbashkët për të gjithë brezat që do të vijnë pas nesh.
Lavdi dëshmorëve të kombit e martirëve të lirisë!
Urime 18-vjetori i Pavarësisë!
Rroftë Republika e Kosovës për mot e jetë!
Faleminderit!
