I nderuar Kryetar i Komunës, z. Ilir Ferati,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore,
I nderuar ish-Kryeministër Haradinaj,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar veteranë e invalidë të UÇK-së,
Familjarë të dëshmorëve,
Shumë të dashur fëmijë, nipa e mbesa të dëshmorëve,
Të nderuar të pranishëm,
Kombet sikurse ky i yni rilindin çdo herë nëpërmjet dëshmorëve. Prandaj, sot jemi mbledhur në fshatin Vrellë të Istogut në këtë tokë që frymon me krenari e dhimbje, për t’u përkulur me nderim para dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për t’u përkulur të gjithë së bashku para bijve dhe bijave më të denjë të Kombit tonë, të cilët u flijuan për lirinë të cilën e gëzojmë sot.
Në këtë muaj të shenjtë për ne në Qershorin e çlirimit, kur para 26 vitesh Kosova me vrullin e UÇK-së përmbylli rrugën e lirisë me ndihmën e aleatëve tanë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e përurojmë këtë memorial, i cili do të jetë përjetësisht dëshmi e gjakut të derdhur, dëshmi e trimërisë dhe e lavdisë, e cila nuk do të zbehet asnjëherë.
Vrellën, Istogun dhe Kosovën e nderon sot historia. Na nderojnë këta emra të pavdekshëm, që u rreshtuan në radhët e UÇK-së për lirinë dhe për shtetin tonë. Dëshmorët tanë u ngritën mbi çdo frikë, mbi çdo pengesë e mbi çdo cenim të dinjitetit njerëzor. Ata i treguan botës se Kosova ka bijë e bija, që e duan këtë tokë më shumë se sa vetveten.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte zemra e rezistencës sonë kombëtare. Ishte betimi i përgjakur i një populli, që për dekada u mohua, u përbuz dhe u persekutua, por kurrë nuk u përkul para okupatorit.
UÇK-ja ishte vullkani i një populli, që deshi të jetojë i lirë në tokën e vet.
Në këtë memorial do të qëndrojnë jo vetëm trupat e dëshmorëve, por edhe një pjesë e themelit të shtetit tonë, në fakt themelet më të forta të shtetit tonë. Këtu prehen premtimet, që heronjtë lanë përgjysmë për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe me drejtim të qartë euroatlantik.
Të nderuar të pranishëm,
Istogu me rrethinë nuk është vetëm vend i luftës, i sakrificës dhe i çlirimit, por edhe truall i urtësisë, i vizionit dhe i prijësve që i dhanë drejtim fatit të kombit tonë.
Kjo tokë e bekuar, përveç dëshmorëve të shumtë që dhanë jetën për liri, lindi po ashtu edhe figurën emblematike të historisë sonë moderne Presidentin historik, dr. Ibrahim Rugova arkitektin e shtetësisë sonë, i cili me urtësi dhe vizion ndërtoi së bashku me UÇK-në themelet e Republikës sonë.
Lufta heroike e UÇK-së dhe Presidenti Rugova ishin ata që i hapën rrugë për miqësi e themele të forta shtetit tonë. Këta titanë na mësuan se liria fitohet atëherë kur kombi bashkohet. Atëherë kur përballë padrejtësisë qëndron shpirt i pathyeshëm, dinjitet i palëkundur dhe vullnet i pashuar për të jetuar i lirë.
Nëse duam ta nderojmë me të vërtetë gjakun e dëshmorëve, atëherë duhet të jemi të denjë për sakrificën e tyre. Duhet ta mbrojmë lirinë çdo ditë e ta mbrojmë si vlerë, jo si privilegj. Të punojmë çdo ditë për shtet ligjor, për mirëqenie, dinjitet njerëzor dhe për mbrojtje të çdo pëllëmbe të shtetit tonë, i cili është arritur me gjak.
Duhet të kujtojmë gjithmonë se pa luftën e UÇK-së dhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të NATO-s dhe aleatëve të tjerë, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot, një shtet i lirë sovran që ecën me hapa të sigurt drejt familjes së kombeve të qytetëruara.
Në këtë ditë të paharrueshme nga Vrella e Istogut duhet të jehojë një falënderim i përjetshëm!
Lavdi dëshmorëve tanë të pavdekshëm!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Rrnoftë Republika e Kosovës!
I përjetshëm kujtimi për dëshmorët e kombit dhe për të gjithë të rënët tanë!
