...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në parakalimin e Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës

Shumë të dashur qytetarë të Republikës sonë, urime Dita e Pavarësisë, urime 18 vjet shtet!

I nderuar President Begaj,

E nderuar Kryetare Haxhiu,

I nderuar Kryeministër Kurti,

Shumë i dashur Baca Rifat e gjithë familje Jashari,

E nderuar familje Rugova,

Të nderuar oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të FSK-së,

Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës,

Të nderuara familje të dëshmorëve të UÇK-së, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së,

Ambasadorë nga shtetet mike,

Të nderuar krerë të institucioneve tona,

Në këtë 17 shkurt, jemi mbledhur këtu, sepse historia na ka ftuar pikërisht në këtë vend. Këtu, në këtë vend qëndron monumenti NEWBORN, shenja identifikuese e shtetit tonë, i cili dha kumtin e shumëpritur se Kosova ishte bërë shtet. Në këtë përvjetor domëthënës jemi në rrugën “Luan Haradinaj”, e cila mban emrin e një luftëtari të shquar, një heroi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një emër që na kujton se ky shtet u ndërtua nga guximi i atyre që zgjodhën të mos heshtin përballë padrejtësisë. Gjaku i tyre qëndron në themelet e shtetit tonë të pavarur e sovran.

Pak metra nga këtu qëndron monumenti “Heroinat”, një kujtesë e fuqishme por edhe e dhimbshme për afër 20 mijë gra të dhunuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë, gjatë luftës së vitit ‘98-’99. Ai monument na kujton se plagët që lufta la pas, dhimbjet që nuk shihen gjithmonë, por që jetojnë gjatë në ndërgjegjen tonë kolektive nuk do të harrohen kurrë. Na kujton se liria ka çmim të lartë dhe se drejtësia për mijëra të vrarë përfshirë edhe fëmijë mbetet një obligim i përhershëm i yni.
Prandaj sot, në këtë hapësirë ku lindja e shtetit, sakrifica e të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe plagët e luftës qëndrojnë bashkë në një vend, kujtojmë përpjekjen e brezave që u vulos pikërisht në shkurtin e vitit 2008. Para 18 vitesh, Kosova u shpall shtet, por shumë përpara asaj dite Kosova kishte fituar lirinë.

Sot, para jush qëndron një Republikë 18-vjeçare, e lindur nga sakrifica, e ushqyer nga qëndresa dhe e forcuar nga shpirti i popullit të saj nga secili prej jush. Kosova është shtet i lirë, i papërkulur, i vendosur për ta mbrojtur lirinë e vet në çdo pëllëmbë të saj. Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane, e guximshme, e fortë, krenare dhe me miq të shumtë. Kosova është atdheu ynë i përhershëm, shtëpia jonë, shpirti ynë, e ardhmja jonë e përbashkët!

Ne sot përulemi me respekt para të gjithë atyre që kontribuuan për këtë ditë. Para atyre që nuk u dorëzuan. Para atyre që qëndruan edhe kur rruga dukej e gjatë, por e errët. Ne nderojmë vizionin historik të arkitektit të pavarësisë, Atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit historik, Ibrahim Rugova, i cili në kohë represioni e mbajti gjallë shpresën, dinjitetin dhe identitetin e popullit tonë, duke e bërë paqen një akt guximi dhe urtësie politike.

Nderojmë sakrificën e pashembullt të familjes Jashari, në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari, simbol i përjetshëm i flijimit për liri. Nderojmë çdo djalë, çdo të ri, çdo grua, çdo burrë, që luftoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, bijtë dhe bijat më të mirë të këtij vendi. Nderojmë sakrificën e veteranëve dhe invalidëve të luftës, të cilët kur historia kërkoi guxim, u përgjigjën me vepër, duke e kthyer aspiratën shekullore në realitet të pakthyeshëm.

Ndaj le të përsërisim qartë, sot dhe përherë: askush nuk mund ta njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo ishte një luftë e drejtë, një luftë çlirimtare, një luftë mbrojtjeje e udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet. Pa këtë kontribut të jashtëzakonshëm të UÇK-së e pa këtë sakrificë, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realiteti që e festojmë sot. Duke e mbrojtur të vërtetën dhe luftën tonë çlirimtare, ne e mbrojmë vetë shtetin tonë, pavarësinë tonë dhe lirinë që e gëzojmë sot. Këto vlera sublime, për të cilat populli ynë dha gjithçka, deri edhe fëmijët në djep, nuk do të lejojmë që t’i njollosë askush. Sepse, një histori e shkruar me gjak nuk mund të fshihet e as nuk mund të shtrembërohet nga askush.

Të dashur qytetarë, Pas pak në Sheshin “Skënderbeu”, qytetarët tanë do të fillojnë marshin për drejtësi. Si Presidente e Republikës së Kosovës i jap mbështetje të fuqishme këtij marshi, sepse qytetarët tanë nuk kërkojnë asgjë tjetër pos drejtësisë.
Sepse, qytetarët tanë e dinë mirë, se mbrojtja e luftës sonë çlirimtare është mbrojtje e vetë shtetit të Kosovës. Sepse, qytetarët tanë e dinë mirë, se UÇK-ja është betimi i përgjakur i popullit tonë nga i cili nuk do të heqim dorë asnjëherë.

Të nderuar të pranishëm, Në këtë ditë të madhe, shprehim mirënjohje të thellë dhe të përhershme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shtetet evropiane dhe gjithë aleatët anekënd botës, që qëndruan në anën e drejtë të historisë. Ata na ndihmuan ta fitojmë lirinë, ata na ndihmuan ta ndërtojmë shtetin e edhe sot ata qëndrojnë me ne, si partnerë të besueshëm të paqes dhe sigurisë.

Sot, Kosova po ndërton kapacitetet e saj të mbrojtjes me përgjegjësi dhe vizion. Sot, trashëgimtarët e UÇK-së, Forca jonë e Sigurisë dhe
Policia e Kosovës po na bëjnë çdo ditë krenarë. Ata e dëshmojnë se Kosova është gati për NATO.
Vajzat dhe djemtë tanë me uniformë, janë dëshmi se ky shtet ka bij e bija të gatshëm t’i shërbejnë atdheut me nder, me përkushtim dhe të kontribuojnë edhe për paqen globale.

Sot, Kosova është më e fortë se kurrë. Sot, Kosova është më e përgatitur se kurrë më parë. Sot, Kosova është më e vendosur se çdoherë për të ecur përpara, pavarësisht sfidave. Ne jemi shtet i përkushtuar për të mësuar dhe për të ecur përpara. Republika jonë 18-vjeçare nuk ka asnjëherë frikë nga përgjegjësia. Është një shtet që e di se liria kërkon punë, mirëqenie, vizion dhe mbrojtje të së vërtetës me çdo kusht.

Prandaj, të gjithë bashkë duhet ta bëjmë Kosovën më të drejtë për fëmijët tanë e më të fortë për brezat që vijnë. Në këtë 18-vjetor le të ecim përpara me unitet, të bashkuar dhe me besim e krenari, sepse Kosova sot është më e pjekur e më e fortë për çdo sfidë që sjell e ardhmja. Prandaj, i drejtohem të gjithë qytetarëve të Kosovës, e sidomos ju të rinjve e të rejave, të cilët njësoj sikurse shteti ynë, sivjet i bëni 18 vjet. Ruajtja e Kosovës është amaneti më i rëndësishëm për ju. Pranoni me krenari flamurin tonë, mbrojeni me kujdes shtetin e demokracinë, ndërtoni me pasion të ardhmen. Bëhuni të gjithë bashkë, të denjë për sakrificën e atyre që vunë themelet e shtetit tonë të dashur!

Lavdi heronjve, martirëve!

Zoti e bekoftë Republikën tonë!

Zoti i bekoftë qytetarët tanë!

Zoti i bekoftë miqtë dhe aleatët!

Rroftë Republika e Kosovës!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.