...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Darkën e Lamës

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

E nderuara Nënkryetare,

Shumë të nderuar ambasadorë të vendeve mike,

Përfaqësues të institucioneve të sigurisë, të shoqërisë civile, të shoqatave të ndryshme,

Mjekë,

Sportistë,

Shoqatat e familjeve të pagjeturve dhe organizata partnere,

Miq të tokës, të traditës dhe të bereqetit,

Nga toka fillon gjithçka: jeta, bereqeti dhe begatia. Toka ushqen çdo familje. Toka është rrënja që na mban të bashkuar çdo komb, dhe si e tillë është dëshmia më e qartë se puna dhe përkushtimi sjellin begatinë dhe suksesin.

Sonte në këtë Darkë të Lamës, festën tonë tradicionale, ne nuk po festojmë thjesht fundin e një sezoni të punës, por njëkohësisht po nderojmë edhe vetë filozofinë jetësore të njeriut që jeton me tokën, që e punon tokën, që gëzon kur ajo jep fryt dhe që e falënderon Zotin për këtë fryt.

Kjo Darkë e Lamës, e cila është nismë e Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova është ngjarje kulturore dhe kujtesë e lidhjes sonë me rrënjët tona, me dheun që na mban, me traditën që na mëson të jemi mirënjohës.

Prandaj, sonte ne kujtojmë sërish urtësinë e Presidentit Rugova, i cili besonte se kombi forcohet me punë, me dije dhe me dashuri ndaj tokës që na ushqen.

Në traditën tonë kulturore shprehje e çdoditshme është: Zoti ju dhashtë bereqet!

Ky urim personifikon filozofinë e jetës dhe përmbledh në vete shpresën, mirënjohjen dhe lidhjen ndërmjet njeriut dhe natyrës.

Është shprehja që ka kaluar brez pas brezi nga sofrat e fshatrave e qyteteve tona, tek oborret ku ruhej fara për vitin tjetër.

Ashtu sikurse festa “Thanksgiving” në disa prej shteteve mike aleate, “Dita e Falënderimeve” pra, e cila kremtohet ndër të tjera edhe për të falënderuar për të korrat dhe begatinë, por edhe për gjithçka që jemi falënderues në jetën tonë. Edhe ne sonte në mënyrën tonë, me kulturën dhe shpirtin tonë, falënderojmë për bereqetin e këtij viti, për tokën tonë të bekuar që na mbushi hambaret dhe për duart e fermerëve tanë, që kanë punuar për bukën e vendit të tyre.

Në shumë tregje evropiane ajvari i Grave të Krushës tashmë njihet si sinonim i shijes dhe i cilësisë së lartë. Verërat e Rahovecit apo Suharekës garojnë denjësisht me verërat e rajoneve më të njohura të Evropës. Rrushi, mjalti, shafrani, mollët, çajrat, frutat e maleve e shumë e shumë produkte tjera janë bërë ambasadorë të Kosovës dhe dëshmi e tokës sonë pjellore, mjeshtërisë së fermerëve tanë, si dhe përkushtimit për të kultivuar me dashuri dhe pasion.

Këto produkte, përveçse mallra ekonomike janë tregim, një tregim për popullin tonë punëtor, i cili mundin e kthen në begati, e djersën në krenari!

Të dashur miq,

Bujqësia është një nga shtyllat e fuqizimit të shtetit.

Çdo rendiment, çdo fermë, çdo prodhim bio që mbërrin në tregun tonë është një hap drejt pavarësisë sonë ekonomike.

Sot, produktet bio nuk janë vetëm krenari e shtetit tonë, por një standard që po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë e gjithnjë e më shumë respekt edhe në tregjet e tjera nëpër botë dhe në jetën e qytetarëve që zgjedhin të jetojnë shëndetshëm.

Por, qytetarët tanë punëtorë nuk po dëshmohen vetëm me bujqësi e vetëm me zotësitë e tyre në këtë sektor.

Në fakt, Kosova ka njerëz të vyeshëm në secilin sektor, të cilët me kontributin e tyre e bëjnë shtetin gjithnjë e më të fortë, gjithnjë e më të qëndrueshëm.

Prandaj, në këtë Darkë të Lamës dua njëkohësisht të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për secilin prej atyre, që e mbajnë këtë vend gjallë e krenar çdo ditë.

Faleminderit nga zemra për të gjithë aleatët e Kosovës, që edhe sonte na janë bashkuar në këtë Darkë të Lamës, e të cilët qëndrojnë përherë pranë nesh në çdo sfidë.

Respekt të pakufishëm për Policinë e Republikës së Kosovës, që me profesionalizëm e përkushtim ruan sigurinë e qytetarëve tanë.

Për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që me disiplinë e sakrificë është gardiane e Republikës sonë dhe pasqyra më e pastër e patriotizmit modern.

Mirënjohje për zjarrfikësit tanë, që përballen me rrezikun për të shpëtuar jetë, por edhe për të shpëtuar tokën tonë.

Për mjekët dhe infermierët, që na janë bashkuar sonte dhe shumë e shumë të tjerë, që po punojnë në shpëtim të jetës, të cilët çdo ditë mbajnë gjallë shpresën dhe kujdesin për shëndetin e njerëzve tanë.

Falënderim me zemër për të gjitha shoqatat e dala nga lufta, për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për shoqatat që ato i mbështesin çdo ditë dhe për guximin e dinjitetin me të cilin e kanë kthyer plagët në forcë.

Për organizatat që mbrojnë të drejtat e grave, të drejtat e pacientëve, të drejtat e fëmijëve dhe në përgjithësi organizatat, që çdo ditë janë kampione për të drejtat e njeriut, e na kujtojnë se barazia është themel i lirisë.

Nderim për sportistët tanë të suksesshëm, që e lartësojnë flamurin tonë në arenën ndërkombëtare.

Për shoqatat, të cilat punojnë çdo ditë me ne që Kosova të ecën përpara.

Për institucionet tona, që çdo ditë e mbrojnë demokracinë.

Dhe po ashtu, siç e përmenda më herët, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat ruajnë kujtesën e sakrificës dhe për shoqatat e familjeve të të zhdukurve me dhunë, që nuk ndalen kurrë në kërkim të drejtësisë.

Një falënderim të veçantë edhe për shoqatat që merren me të drejtat e fëmijëve dhe shoqatat që merren me personat me nevoja të veçanta.

Kemi këtu shoqatën Down Syndrome, shoqatat e Autizmit dhe shumë e shumë të tjera, që çdo ditë na kujtojnë se dashuria, përkushtimi dhe dinjiteti nuk njohin kufij.

Sepse një shoqëri e fortë matet me mënyrën se si kujdeset për secilin prej anëtarëve të saj.

Faleminderit për mësuesit, që çdo ditë sigurohen që sistemi ynë arsimor të ecën përpara, përfshirë për mësuesen time të parë, e cila na është bashkuar sonte këtu.

Secili prej jush, secili prej jush është dëshmi e gjallë se Kosova është frymë që nuk dorëzohet.

Dhe ky mosdorëzim reflektohet më së miri në fëmijët që sonte i kemi ftuar, të cilët janë kampionë në matematikë, në shkencë, në drejtësi edhe të rinjtë e universitetit e shumë e shumë të tjerë, që po na bëjnë krenarë çdo ditë.

Kosova pra, është frymë që nuk dorëzohet, një zemër që rreh fort për dinjitet, shpresë dhe mirëqenie.

Të nderuar mysafirë,

Në çdo sezon të vjelash familjet kosovare, jo vetëm që sigurojnë ushqimin për tryezat e tyre, por edhe forcojnë ekonominë e vendit, sepse në thelb çdo grusht drithi, çdo shportë me mollë, çdo hardhi rrushi është një gur mbi themelin e shtetit tonë, shtetit që ndërtohet mbi punën e ndershme dhe mbi respektin për tokën që na ushqen.

Darka e Lamës është një festë e mirënjohjes ndaj punëtorit, fermerit, ndaj begatisë, ndaj natyrës që na fal dhe ndaj Zotit që na jep këtë bekim.

Është po ashtu moment reflektimi e falënderimi për çdo institucion të shtetit tonë, për çdo shoqatë e çdo njeri që jep kontribut për atdheun tonë të dashur.

Është moment për të kujtuar se fuqia e një kombi nuk matet vetëm me numrat në ekonomi, por edhe me lidhjen shpirtërore që ai e ka me tokën e vet dhe traditën e vet.

Le të jetë kjo darkë një frymëzim për të ecur përpara me më shumë kujdes për tokën, me më shumë përkrahje për njerëzit e kësaj toke dhe me më shumë dashuri për njëri-tjetrin.

Zoti dhashtë bereqet për të gjithë ju, për Kosovën tonë të dashur dhe për aleatët tanë!

Gëzuar Darkën e Lamës!

Zoti e bekoftë tokën e Kosovës!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.