“Kjo shtëpi ka qenë epiqendër rrezatuese në idealet dhe për idealet e lirisë dhe, në të njëjtën kohë, promovuese e vlerave më të rëndësishme të popullit tonë në shpalosje edhe të identitetit para botës, por edhe në artikulim të fuqishëm të një projekti të madh që udhëhiqte Presidenti Rugova”, theksoi Presidenti Sejdiu, gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Pavarësisë në të cilën u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë sot në aktivitetet që i organizoi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit. Gjatë ditës, Presidenti Sejdiu ka vizituar Shtëpinë e Pavarësisë, vendin e themelimit të LDK-së, ka marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të selisë së re të LDK-së, si dhe ka mbajtur një fjalë në tubimin solemn të shënimit të këtij përvjetori, mbajtur në Pallatin e Rinisë.“Kjo shtëpi ka qenë epiqendër rrezatuese në idealet dhe për idealet e lirisë dhe, në të njëjtën kohë, promovuese e vlerave më të rëndësishme të popullit tonë në shpalosje edhe të identitetit para botës, por edhe në artikulim të fuqishëm të një projekti të madh që udhëhiqte Presidenti Rugova”, theksoi Presidenti Sejdiu, gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Pavarësisë në të cilën u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës.Duke folur para pjesëmarrësve të shumtë, Presidenti Sejdiu tha:Prezent në këtë tubim të ditës së sotme janë shumë njerëz që kanë kapërcyer dhe kanë mbajtur barrë të madhe në proceset e rëndësishme të zhvillimit të Kosovës. Ideja e themelimit të LDK-së ka dalë nga grupi i intelektualëve dhe natyrisht në ditën e sotshme në 23-shin është mbajtur kuvendi themelues. Unë dëshiroj të shpreh falënderimet më të sinqerta për të gjithë ata njerëz që në atë kohë jo të lehtë për Kosovën, që krahas idesë gjithmonë e ka vlerën e vet sepse është e para siç ka thënë Platoni, kanë bërë një hap shumë të guximshëm për të ndërtuar një formacion politik, jo vetëm si oponencë por edhe si projekt tepër i rëndësishëm për zhvillimin, për lëvizjet, rezistencën, për luftën, për lirinë dhe pavarësinë e vendit.Andaj, ka shumë prej tyre që në procese të mëvonshme kanë pasur edhe përgjegjësi të veçanta në udhëheqje në formacionet politike, në institucionet e shtetit dhe them se në rolin e veçantë ka qenë dhe mbetet presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.Kjo shtëpi, në 23 dhjetorin, ka qenë strehë e parë, themi në kuptimin e selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në rrethana prapë them edhe objektivisht shumë të vështira, në një hapësirë shumë të vogël por që ka punuar në 24 orë, pa pasur pushim. Kjo shtëpi ka qenë epiqendër rrezatuese në idealet dhe për idealet e lirisë dhe, në të njëjtën kohë, promovuese e vlerave më të rëndësishme të popullit tonë në shpalosje edhe të identitetit para botës, por edhe në artikulim të fuqishëm të një projekti të madh që udhëhiqte Presidenti Rugova.Prandaj, e them se ka punuar 24 orë, në gjithë vitin, dhe në të gjitha këto vite dhe sot na mungojnë shumë nga njerëzit që kanë qenë dhe kanë kapërcyer në këto hapësira dhe gjithandej Kosovës, gjithkund.Krahas, udhëheqjes së LDK-së, këtu janë marrë vendimet më të rëndësishme të viteve ’90, edhe vendimi për shpalljen e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, Deklarata Kushtetuese që formalisht është mbajtur në Kuvend, por përgatitjet janë bërë këtu, edhe vendimi për Referendumin për pavarësinë e vendit, edhe vendimet e tjera që kanë të bëjnë me proceset e para të jetës plurale në Kosovë, organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, edhe janë aprovuar deklarata të shumta të rëndësisë apo të peshës historike. Në këtë shtëpi kanë ardhur delegacione nga e gjithë bota. Ajo që është meritë e veçantë e Presidentit Rugova, është se diti në mënyrën më të mirë të ofrojë dhe të shpalosë vizionin tonë para botës demokratike, para njerëzve të vendeve më të fuqishme dhe, në të njëjtën kohë, jo vetëm që vinin këtu delegacione por në të njëjtën kohë të jetë prezentë në shtëpitë e tyre, në secilin vend, tek Presidenti Klinton, Shirak, tek të gjitha personalitetet më të fuqishme të kohës në skenën ndërkombëtare.Kjo shtëpi, me këtë hapësirë të ngushtë, që tashmë është shndërruar në muze, është vetëm një pjesë e vogël, simbolike e punës së madhe që ka bërë, është një pjesë ku shohim edhe shumë fotografi të njerëzve që nuk janë në mesin e të gjallëve, që kanë shkrirë veten e tyre dhe janë sakrifikuar për lirinë e vendit.Është një moment esencialisht edhe i prekshëm për të gjithë ne, por vlera historike e kësaj date, e kësaj dite, është e pashlyeshme dhe është e shkruar që të jetë po ashtu ditë e historisë së shqiptarëve, ditë e historisë së Kosovës dhe e shkruar me shkronja të arta.Sepse, pikërisht këtu fillon kthesa e madhe, natyrisht duke u mbështetur në një taban të rëndësishëm të lëvizjes së rezistencës për lirinë e vendit, të një rezistence që breza e breza të shumtë të Kosovës kanë dhënë veten e tyre.Edhe atëherë, edhe sot, është një projekt i madh, që ka qenë i sublimuar në tri formula më të rëndësishme të kohës: liri, pavarësi deh demokraci. Ky është sensi, ky është shpirti i një projekti të madh, i një lëvizjeje të madhe që ka qenë me kohën dhe mendoj se këto ideale për Kosovën dhe për ecjen e saj do të mbesin edhe më tutje, sidomos në zhvillimin e shtetit ligjor, zhvillimin e demokracisë, në mbajtjen e miqësisë së përhershme me aleatët e Kosovës, me aleatët e lirisë së saj, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Evropian dhe të një partneriteti të rëndësishëm në lëvizje të përhershme në atë që ne e quajmë si vizion të pashkëputshëm – integrimin e Kosovës në Bashkim Evropian dhe në NATO, që janë dy vizione dhe dy amanete të mbetura nga porositë e mëdha të kolosit, të burrit të madh të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, që e kishte fatin Lidhja Demokratike e Kosovës ta ketë edhe udhëheqës të saj edhe prijatar për proceset e mëdha dhe për Kosovën.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN