Me rastin e datëlindjes së 65-të të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, pasardhësi i tij, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu vendosi kurora lulesh dhe bëri homazhe te varri i dr. Rugovës.
Presidenti Sejdiu tha se jemi sot pranë varrit të dr. Ibrahim Rugovës, pranë varrit të njeriut i cili bëri epokë zhvillimesh në fundin e shekullit të kaluar dhe në fillimin e këtij shekulli.”Unë erdha sot me bashkëpunëtorët e mi, një pjesë e të cilëve kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë edhe të Presidentit Rugova sikur edhe unë vet, për të shënuar simbolikisht krahas gjithë asaj që e bëjmë esencialisht, ecjen dhe kujtimin e përhershëm për Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Njeriun që bëri epokë në zhvillimet më të rëndësishme të fundshekullit të kaluar dhe të fillim shekullit që jetojmë tash dhe njeriu që i mungon shumë Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu.Rruga jonë, synim i yni do jetë integrimi i Kosovës në BE, në NATO, për të arritur që të realizojmë synimin dhe vizionin e themeltarit të shtetit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. “Kujtimi për të është i gjithmonshëm, vepra e Tij, prej kolosit të dijes edhe të luftëtarit për rezistencë dhe liri të vendit, do të jetë fanar ndriçues në ecjen tonë të mëtejshme. Për ne është me rëndësi që vizioni i Tij, dhe vizioni i gjithë atyre që u shkrinë dhe ranë për Kosovën të jetë i realizuar në kuptimin më të mirë, me Kosovën shtet demokratik, të prosperimit të përhershëm, dhe me Kosovën që pandalshëm karshi sfidave që ka, ec në realizimin e vizionit themelor të trasuar që herët, po edhe të Presidentit Rugova në këtë rast që është themeltar i vet shtetit të pavarur të Kosovës, për të qenë të integruar në Bashkimin Evropian, në NATO, për të pasur të pashkëputshme miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, vijoi Presidenti Sejdiu.