Po unë mund të them se vërtet dita e djeshme ka qenë një ditë me zhvillime mjaft dinamike dhe një ditë e rëndësishme, në kuptimin edhe të miratimit të një dokumenti mjaft të rëndësishëm të Asamblesë së Përgjithshme, pavarësisht nga fakti se ishte një vonesë në fillimin e punimeve të seancës, me një qasje joracionale që kishte delegacioni serb për të hedhur jashtë sallës delegacionin e Kosovës.
10 shtator 2010
VOA: Z. President. Çfarë do të thotë për Kosovën miratimi i mbrëmshëm i Rezolutës së Serbisë dhe Bashkimit Evropian, a është ky fundi i luftës diplomatike të Serbisë për të sfiduar pavarësinë e vendit tuaj?
Sejdiu: Po unë mund të them se vërtet dita e djeshme ka qenë një ditë me zhvillime mjaft dinamike dhe një ditë e rëndësishme, në kuptimin edhe të miratimit të një dokumenti mjaft të rëndësishëm të Asamblesë së Përgjithshme, pavarësisht nga fakti se ishte një vonesë në fillimin e punimeve të seancës, me një qasje joracionale që kishte delegacioni serb për të hedhur jashtë sallës delegacionin e Kosovës.
Natyrisht ne qëndruam duke respektuar parimet e brendshme të Asamblesë së Përgjithshme, por natyrisht edhe qëndrimin që e kishim si të ftuar të pesë vendeve të rëndësishme.
Në këtë kuadër mund të them se miratimi i rezolutës, që është në mbështetje të fuqishme nga ana e Bashkimit Evropian dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse kanë qenë partner në proces të përgatitjes së saj, kujtoj se shënon fundin e gjithë asaj pjese të përpjekjeve të Republikës së Serbisë për të bërë obstruksione të vazhdueshme proceseve, rritës dhe zhvillimit të Kosovës si dhe për të mbajtur tensione në rajon.
Ne asnjëherë nuk kemi thënë se nuk do të bisedojmë me Serbinë për çështje që janë në interes të qytetarëve të dy shteteve sovrane dhe ka tema të mjaftueshme që mund të lindin në kohë për aq sa do te jetë interesi i dy vendeve, por asnjëherë nuk do të pranojmë të bisedojmë për çështje të statusit të Kosovës, për çështje të integritetit të Kosovës, për çështje të ndërhyrjeve në rregullimin e brendshëm të Kosovës apo të diktatit çfarë Serbia pretendon të ketë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Në këtë moment të miratimit të kësaj rezolute që ishte në mbështetje të fuqishme e të gjithë anëtareve të Asamblesë, më përjashtime të vogla, ne themi se përfundon një epokë e përpjekjeve të Serbisë që nëpërmes të kanaleve të ndryshme të mbajë tensione edhe në sferën ndërkombëtare, të mbajë presione të caktuara ndaj vendeve që nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës dhe de fakto mund të themi se me vetë miratimin e rezolutës u miratuan edhe parimet themelore të shprehura në mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila njeh realisht, në koment, atë që është bërë në Kosovë, pra që pavarësia e Kosovës nuk është bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
VOA: Z. President, rezoluta bën thirrje për bisedime me Beogradin, cilat do të mund të ishin temat e këtyre bisedimeve?
Sejdiu: Po, ne gjithmonë kemi thënë se ka mjaftë tema. Pse të mos bisedohet për lirinë e lëvizjes së qytetarëve, pse të mos bisedohet për bashkëpunimet ekonomike, për parandalimin e krimit të organizuar, pse të mos bisedohet për probleme energjetike të karakterit rajonal, pse të mos bisedohet, ta zëmë, për çështjen e kthimit, që është një nga obligimet e rëndësishme edhe të Pakos së Ahtisaarit, pse të mos bisedohet për çështjen e gjetjes së personave të pagjetur, deri sot Kosovës i mungojnë gati edhe 2000 vetë, pse mos të bisedohet në çështje të përvojave në integrimet euroatlantike.
E gjithë ajo që ne do ta dëshironim është që të bihet në një rrafsh normal të komunikimeve, por gjithmonë në një bazë po ashtu normale të respektimit të parimeve të bisedave në mes të dy shteteve sovrane.
Kosova në këtë qasje do të jetë edhe në të ardhmen, natyrisht se mbështet fuqishëm këtë ndihmë dhe këtë qasje që e ka bërë Bashkimi Evropian, dhe gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kujtoj se do të ketë një ecje pozitive dhe, fundi i fundit, kujtoj se rezoluta do ta nxjerrë edhe Serbinë nga një krizë, sepse ajo ishte në krizë të mbajtjes së vetvetes peng në një situatë të vazhdueshme me një retorikë të ashpër dhe një qasje joracionale në relacion me Kosovën.
Tash është një mbështetje e përgjithshme ndërkombëtare se ato vendime të mëdha që kanë ndodhur në Kosovë nuk janë në kundërshtim me asgjë dhe kujtoj se do të jetë ndoshta një hapësirë e re që të mendojmë më racionalisht dhe thërras edhe qeverinë serbe që të ketë vërtet kujdesin e ecjes së përgjegjshme në raportet në mes të dy vendeve, që do të jetë një thirrje për të shpejtuar atë që ne e kemi objektiv, thashë edhe më herët, të ecjes më të shpejtë të gjithë rajonit dhe të dy vendeve tona në procese integruese.
VOA: Z. President, veriu i Kosovës vazhdon të jetë temë e hapur dhe e pazgjidhur edhe gati 11-vjet pas luftës, Çfarë do të ofroni Ju për këtë çështje nëse ajo do të shtrohet në bisedimet e ardhshme me Beogradin ?
Sejdiu: Po veriu fatkeqësisht ende ka mbetur në një situatë ende të themi si trashëgimi jo e mirë e rrethanave të vështirësuara jete për arsye të një menaxhimi, do të thosha jo të efektshëm, sidomos edhe me prezencën ndërkombëtare të UNMIK-ut.
Unë mendoj që, pavarësisht punëve të mëdha që janë bërë dhe që Kosova është një storie e suksesit edhe e investimit ndërkombëtar, në veri ka mundur të bëhet edhe më shumë. Pavarësisht nga ky fakt, them se lëvizjet e fundit që janë bërë nga institucionet e vendit, sidomos në aspektin e ofertave të mëdha në projekte zhvillimore, për mbështetje të fuqishme për ngritje të standardit të jetës së qytetarëve, për aspekte të ndërtimit të institucioneve demokratike, siç kemi përvojën e mirë me zgjedhjet e fundit lokale në disa nga komuna të Kosovës, kujtoj se në këtë proces do të ecim edhe me veriun.
Veriu nuk do të jetë pjesë e bisedës në kuptimin e qasjes çfarë Serbia ka dëshiruar deri më tash t’i hedhë në etër apo t’i imponoj Kosovës si tema.
Natyrisht, se ne do të zbatojmë të gjithë atë që është pjesë e projektit të Presidentit Ahtisaari dhe duam mbështetjen e Serbisë për aq sa ky projekt parasheh për të kontribuar edhe në rënien e tensioneve ekzistuese tek një pjesë e caktuar e serbëve. Unë nuk them se të gjithë serbët e veriut e kanë një mendim të ngjashëm me Serbinë.
VOA: Po, z. President, vendi juaj është njohur deri më tani nga 70 vende të botës, një numër jo i mjaftueshëm ky për të siguruar anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, por edhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë. Ju ndodheni në Nju Jork në përpjekje për të shtuar këto njohje. A keni marrë ndonjë premtim?
Sejdiu: Po, në të vërtetë ne kemi mbërritur 70-shin, një 70-ësh që është të themi i dorës së parë në mbështetje të fuqishme të Kosovës që nga vendet e para që kanë pasuar menjëherë pas momentit të shpalljes së pavarësisë së vendit, dhe tani dhe mund të them se kemi pasur takime të mira më përfaqësues të grup shtetesh, përfaqësues permanent në Kombet e Bashkuara, ndërkohë do të kemi edhe takime të niveleve të larta, sidomos në ciklin e dytë, në kohën kur do të jetë sesioni i liderëve të shteteve nga data 21 deri në 25 -26, ku do të jemi prezent përsëri gjatë kësaj periudhe me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të vendit.
Besoj se nga ajo që është premtuar deri tash se do të ketë lëvizje pozitive.
Patëm një takim shumë të mirë me përfaqësues të vendeve anëtare të Ligës Arabe, një takim po ashtu shumë të mirë me përfaqësues të vendeve të Caricomit, një takim mjaft premtues me përfaqësues të tjerë të vendeve të Konferencës Islamike dhe mendoj se në të njëjtën kohë e kemi zhvilluar dhe zhvillojmë edhe takime të ndara me përfaqësues edhe të vendeve të tjera.
Paralelisht mund të them se krahas shprehjes së falënderimit që kanë edhe deri tash Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kyçe të Bashkimit Evropian, po ashtu kemi premtime se këto vende do të angazhohen fuqishëm për të bërë ndikesë pozitive apo për të nxitur vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës deri tash që ta bëjnë këtë, aq më tepër pas miratimit të kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që mbështet fuqishëm dhe pa ekuivoke edhe qëndrimin e shprehur të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.