presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Republika e Malavit e pret në mënyrë madhështore Presidentin Sejdiu

Republika e Malavit ka rikonfirmuar sot përkrahjen e fuqishme për popullin dhe institucionet e Republikën e Kosovës. Mbështetja e këtij vendi u dëshmua sërish sot me pritjen madhështore që ky vend i bëri Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i cili, me ftesë të Presidentit Bingu Wa Mutharika ka nisur sot vizitën shtetërore në këtë vend.

Në fakt, me të arritur në  Aeroportin Ndërkombëtar Kamuzu, ku në krye të delegacionit mikpritës ishte vetë Presidenti Mutharika, Presidentit Sejdiu iu bë një pritje e jashtëzakonshme nga institucionet më të larta shtetërore të Malavit, si dhe nga mijëra qytetarë të këtij vendi.Pas intonimit të himneve të të dyja vendeve, të dy presidentët kanë parakaluar para Gardës së Nderit, si dhe kanë përshëndetur qytetarët e panumërt dhe grupet artistike, të cilat prezantuan gjithë begatinë e trashëgimisë dhe të koloritit kulturor të Malavit.Po ashtu, duhet theksuar se i tërë kryeqyteti i këtij vendi, Lilongwe, ishte stolisur me flamujt e Kosovës dhe të Malavit, si dhe me portretet e Presidentit Sejdiu dhe Presidentit Mutharika . Në këtë frymë solemniteti e miqësie ka kaluar edhe ceremonia e veçantë e organizuar nga Këshilli i Qytetit Lilongwe, në të cilën Presidentit Sejdiu në mënyrë simbolike iu dorëzua çmimi “Qytetar Nderi”, si dhe iu dha “Çelësi i Qytetit”.Duke pranuar këtë mirënjohje të veçantë, Presidenti Sejdiu tha: “Për ne është e një rëndësie të veçantë kjo vizitë shtetërore që po bëj më ftesë të Presidentit Mutharika në Malavi. Unë jam këtu për të përcjellë falënderimet e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për vendimin e marrë nga Ju muaj më parë për ta njohur Republikën e Kosovës. Jam i impresionuar me pritjen e jashtëzakonshme që më keni bërë mua dhe përfaqësuesve të tjerë të vendit tim, që janë të pranishëm sot këtu. Po ashtu, është nder i veçantë për mua ky vendim që ka marrë qyteti juaj. Ju them se për ne do të mbetet në kujtesën tonë gjithmonë mbështetja që na keni dhënë dhe miqësia jonë, e cila po ndërtohet çdo ditë e më shumë”.Presidenti Sejdiu, gjatë vizitës së tij të parë shtetërore në kontinentin afrikan, do të ketë një agjendë të ngjeshur aktivitetesh. Në orët e pasdites së sotme ai do të këtë një takim kokë më kokë me Presidentin Bingu Wa Mutharika, i cili, në orët e mbrëmjes, do të shtrojë darkë për Presidentin Sejdiu. Ndërsa, nesër Presidenti Sejdiu do të paraqesë një fjalim në Asamblenë Kombëtare të Malavit, si dhe do të takohet me përfaqësues të tjerë të lartë të këtij vendi.Presidentin Sejdiu në këtë vizitë po e shoqërojnë edhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Skënder Hyseni dhe Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, z. Muhamet Hamiti.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.