Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, mbajti sot një ligjëratë në Universitetin e Harvardit, me pjesëmarrje të profesorëve, drejtuesve e studentëve të këtij institucioni prestigjioz, si dhe të interesuar të tjerë të shumtë.Në vijim po e japim ligjëratën e plotë të Presidentit Sejdiu:
I dashuri mik z. Nikolas Bërns, më lejoni që t’ua përcjell respektin dhe falënderimet e mia dhe të popullit tim për përkushtimin tënd të thellë dhe permanent për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës;
Të nderuar kolegë, profesorë dhe studentë,
Të dashur miq,
Ndihem i privilegjuar që si President i Republikës së Kosovës po paraqitem para një auditori kaq të respektuar, në këtë institucion shumë prestigjioz, i cili, me punën e tij në hulumtimet shkencore dhe në përgatitjen e gjeneratave të shumta të studentëve, ka lënë gjurmë të pashlyeshme e shumëdimensionale.
Aq më tepër, sot kam kënaqësinë të ofroj një tablo të shkurtër të arritjeve dhe synimeve të vendit tim, shtetit më të ri në botë, Republikës së Kosovës, afër qytetit historik të Bostonit, që njihet si qyteti bërthamë ku kanë filluar proceset e mëdha të lirisë dhe pavarësisë së SHBA-ve.
Siç jeni në dijeni, pas shumë vuajtjesh dhe sakrificash shekullore, Kosova u pavarësua më 17 shkurt 2008. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në bashkërendim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, si dhe me shtete të tjera të botës demokratike.
Pavarësia e Kosovës është rezultat i një rezistence të gjithanshme përgjatë shekujve ndaj shtypjes sistematike që i bëhej popullit të saj, e cila kulmoi me brutalitet të paparë veçanërisht në fund të shekullit XX, me ardhjen në pushtet të Millosheviqit, gjë që edhe imponoi luftën e armatosur të popullit të Kosovës dhe ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, e cila ndali spastrimin etnik dhe shpëtoi popullin e Kosovës nga zhbërja fizike.
Kosova, shtet sovran dhe demokratik, deri tani është njohur nga 70 vende nga i gjithë globi.
Në këtë kuadër, përveç njohjes nga të parat që bëhet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosovën e kanë njohur mbi tri të katërtat e vendeve të Bashkimit Evropian, shumica e vendeve anëtare të OSBE-së, shumica dërmuese e vendeve anëtare të NATO-s, duke theksuar po kështu se Kosovën e kanë njohur vendet të cilat së bashku përbëjnë mbi 70 për qind të GJDP nominale botërore.
Të dashur miq,
Me të gjitha sfidat që kemi pasur dhe kemi para vetes si vend i ri, Republika e Kosovës është një rrëfim i suksesit dhe investimit të madh të qytetarëve të Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare dhe veçmas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Së pari, si përgjigje më pozitive dhe e drejtpërdrejtë, pavarësia e Kosovës shprehet në qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e përgjithshëm politik, ekomomik dhe social të saj. Kjo reflektohet në veçanti me përfundimin e ciklit shtetndërtues, duke i formësuar institucionet e veta demokratike, të dala nga vota e lirë e qytetarëve, pa dallim etnie. Puna e institucioneve të Kosovës po kështu mbështetet mbi një kornizë moderne legjislative, duke përfshirë këtu edhe aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e vendit.
Së dyti, pikërisht duke pasur vizion ndërtimin e një shteti demokratik për të gjithë qytetarët, Kosova me veprime praktike që shprehen në stabilitetin e vendit, demantoi të gjitha prognozat e zeza të kundërshtarëve të pavarësisë. Në vazhdimësi ata propagonin parashikime të errëta dhe veçanërisht të adresuara si akuza ndaj shumicës dhe “rolin hakmarrës të saj që do ta orientonte shfryrjen ndaj pakicës serbe”.
Në të kundërtën, nga Kosova nuk pati as eksod, as revansh, as përndjekje të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, konkretisht të pjesëtarëve të komunitetit serb. Institucionet e vendit u angazhuan fuqishëm në qasjen më pozitive të mundshme për sigurimin e rolit të barazisë qytetare me një kujdes të veçantë në procese integruese, duke dhënë paralelisht garancitë më të rëndësishme legjislative dhe kushtetuese, ashtu siç ishin paraparë me frymën e propozimit gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari. Me këto dokumente, si dhe me veprime praktike afirmative, që në Kosovë shpesh quhen qasje e diskriminimit pozitiv, kemi dhënë prova të fuqishme, jo vetëm për prezencën e garantuar në institucione të vendit, si në Parlament, qeveri, pushtet lokal, por në të njëjtën kohë, kemi investuar që çdo qytetar i Kosovës dhe, në këtë rast, edhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë, ta ndjejnë atë si atdhe të përbashkët. Të ndihen në të të barabartë dhe të dobishëm për perspektivën e vetvetes dhe perspektivën e përbashkët.
Së treti, Republika e Kosovës, duke qenë thellë e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në fqinjësi dhe në rajon, ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me shtetet fqinje, me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, si dhe me vendet e tjera të rajonit.
Këto marrëdhënie po konkretizohen dita-ditës me marrëveshje bilaterale në shumë fusha. Tashmë jemi duke aplikuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, pa pasaporta, me Shqipërinë dhe me Malin e Zi, ndërsa në proces është edhe liberalizimi i lëvizjes me Maqedoninë, si ndjenjë e afrisë dhe sigurisë mes qytetarëve të dy vendeve tona.
Në këtë frymë, qysh para dy vjetësh, gjatë një vizite në Tiranë, unë kam propozuar krijimin e një “mini-shëngeni ballkanik” në mes vendeve të rajonit. Kjo nismë, e cila është mirëpritur edhe nga presidentët e këtyre vendeve, rithekson vullnetin tonë të plotë për të qenë të hapur dhe për të kontribuar drejtpërdrejt për lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe të kapitalit, sepse këtu qëndron edhe forca e zhvillimit dhe e progresit drejt së ardhmes, si dhe dëshmi më e drejtpërdrejtë e pjekurisë sonë për procese euroatlantike.
Së katërti, duke pasur parasysh periudhën e shkatërrimeve të mëdha që kanë lënë pasoja të jashtëzakonshme jo vetëm në humbjet njerëzore (mbi 15 mijë njerëz të vrarë – sot akoma na mungojnë mbi dy mijë veta, fati i të cilëve ende nuk dihet), por edhe shembjen e potencialeve ekonomike, gjatë kësaj periudhe kohore nga përfundimi i luftës dhe në veçanti në vitet e fundit pas pavarësimit të vendit, Kosova ka filluar ta rimarrë veten. Kosova po bën hapa të rëndësishëm në transformimin rrënjësor të ekonomisë së saj, gjithmonë në përshtatje të ekonomisë së tregut.
Dua të veçoj se është përfunduar gati në tërësi procesi i privatizimit dhe në veçanti është shënuar një progres sado modest në shtimin e GJDP-së vjetore në një shkallë konstante prej 4-5 për qind. Kosova është treguar e matur në respektimin e politikave bashkëkohëse të ekonomisë së tregut dhe ajo tashmë është anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe synon anëtarësimin e shpejtë në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.
Auditor i nderuar,
Karshi kësaj qasjeje të institucioneve të vendit, por edhe të investimit përkrahës ndërkombëtar, si sfidë e deritashme është paraqitur hezitimi edhe i një pjese të komunitetit serb, të cilët përmes strukturave paralele, të instruktuara nga Beogradi, janë përpjekur që të zhvillojnë politika bllokuese për progresin në Kosovë, duke mbajtur në radhë të parë peng vetë popullatën serbe.
Pikërisht në këtë kuadër, diplomacia serbe është përpjekur që njëkohësisht të bllokojë proceset e njohjeve të mëtejme të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në institucione ndërkombëtare. Kjo është shprehur drejtpërdrejt edhe me kërkesën e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të kërkuar mendim mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Siç jeni në dijeni, më 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë solli mendimin e saj këshillëdhënës, i cili jep përgjigje pozitive për pajtueshmërinë e plotë të vendimit të përfaqësuesve të popullit të Kosovës për pavarësinë e vendit me të drejtën ndërkombëtare.
Pra, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstaton se:
1. Pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare;
2. Pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244;
3. Pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim as me dokumentin – Kornizën e Përkohshme Kushtetuese;
4. GJND po kështu konstaton se pavarësia e Kosovës është rezultat i rrethanave specifike, duke konfirmuar kështu natyrën sui generis të Kosovës, ashtu siç e kishte prezantuar edhe emisari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z.Marti Ahtisari, dhe nuk paraqet precedent për vende dhe hapësira të tjera, ku nganjëherë ekzistojnë shqetësime të paarsyeshme.
Këtë karakter sui generis të Kosovës e gjejmë të gërshetuar si simbiozë e shumë elementeve, prej atyre historike, juridike-kushtetuese – nga qenia e Kosovës si njësi e barabartë në ish-RSFJ deri tek elementet e tjera që kanë të bëjnë me periudhat e përjetimeve të vështira gjenocidale që ka pasur populli i saj për çka u nevojit edhe ndërhyrja humanitare e bashkësisë ndërkombëtare për të shpëtuar popullin e saj nga zhbërja dhe gjenocidi.
Ky mendim kaq profesional, i paanshëm dhe eksplicit, fuqishëm ka verifikuar vendimin e Kosovës për pavarësi, të marrë përmes përfaqësuesve të popullit të saj dhe besojmë njëkohësisht se është argument determinues për të hequr dilemat edhe te vendet e caktuara që kanë hezituar të marrin vendimet mbi njohjen, duke pritur verdiktin e gjykatës.
Përkundër mendimit shumë të qartë të gjykatës, Serbia fatkeqësisht në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për të shtrembëruar përmbajtjen dhe qëndrimet e paekuivoke të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Megjithatë, zhvillimet e mëvonshme, sidomos me miratimin e rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në variantin e bashkësponsorimit të BE-së dhe të Serbisë, de fakto dhe de jure, i japin fuqinë me evaluim meritor mendimit të Gjykatës. Me këtë, drejtpërdrejt, Republika e Serbisë, përkundër hezitimeve dhe propozim-projektit të mëhershëm të rezolutës së saj, të cilin është detyruar të tërheqë, e ka pranuar mendimin e Gjykatës, mendim i cili, siç thamë edhe në herët, aktin e pavarësisë së Kosovës e cilëson të përputhshëm me të drejtën ndërkombëtare. Pra, Serbia, përmes kësaj rezolute njeh realitetin e pavarësimit të Kosovës.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Si gjatë kohës së negociatave për statusin para shpalljes së pavarësisë, ashtu edhe në të gjitha periudhat e mëvonshme Kosova është deklaruar me përkushtim që të ketë marrëdhënie të mira bilaterale me Republikën e Serbisë. Përkundër tragjedive të përjetuara, dhe përkundër faktit se Serbia ende sot e kësaj dite nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë, të cilat nuk mund të harrohen, ne jemi thellësisht të përkushtuar që t’i japim shans bashkëpunimit mes të dy vendeve tona, por gjithmonë mbi bazë të barabartë, si dy shtete sovrane.
Pikërisht orientimi ynë që të kapërcejmë pasojat e tragjedive të përjetuara, duke i dhënë shans pajtimit qytetar, është shprehje e një vizioni largpamës, që ka për qëllim ndërtimin e bazave të qëndrueshme të paqes dhe të stabilitetit e të zhvillimit të përgjithshëm rajonal.
Prandaj, gjithmonë themi se ka shumë tema për të cilat dy shtetet tona mund të bisedojnë dhe që gjithmonë janë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.
Pse të mos bisedohet për lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe të mallrave? Pse të mos bisedohet për bashkëpunimin ekonomik në fusha të ndryshme? Pse të mos bisedohet për aspektet e bashkëpunimit energjetik regjional? Pse të mos bisedohet për çështjen e kthimit të qytetarëve në shtëpitë dhe në pronat e veta? Pse të mos bisedohet për çështjen e të pagjeturve? Pse të mos bisedohet për njohjen reciproke të dokumenteve zyrtare dhe shumë e shumë tema të tjera, që mund t’i sjellë koha?
Të gjitha këto, në idenë tonë do të shpreheshin në gatishmërinë e lidhjes së traktatit të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë mes dy vendeve tona. Pra, Kosova është e gatshme që sot të ofrojë një gamë të madhe të temave të interesit për qytetarët e të dy vendeve tona sovrane.
Pra, theksojmë se Kosova ka përshëndetur tekstin e rezolutës si tërësi, si dokument të rëndësishëm të OKB-së, që hap një epokë të re të bashkëpunimit mes palëve (Kosovës dhe Serbisë) dhe se dialogu dhe bashkëpunimi mes tyre vetëm mund të jetë kontribut për zhvillimin e proceseve të rëndësishme, të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe të fqinjësisë së mirë.
Mirëpo, Kosova asnjëherë nuk është e gatshme që të bisedojë me Serbinë për çështje të përfunduara njëherë e përgjithmonë, që janë statusi i saj politik si shtet sovran dhe i pavarur, integriteti territorial i vendit dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me rregullimin e saj të brendshëm juridiko-kushtetues.
Të nderuar miq të Kosovës,
Kosova ka vizion të qartë për të ardhmen e saj dhe ka resurse të mjaftueshme për të përmbushur këtë vizion.
E drejta në jetë, në liri dhe kërkim të fatit, që janë trekëndëshi më i fuqishëm orientues i demokracisë dhe lirisë amerikane, mbesin për ne fanar orientues në punën dhe përkushtimin tonë për të ardhmen. Shekujt e kaluar kësaj formule nuk ia kanë humbur vlerën. Përkundrazi!
Ju faleminderit!
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN