Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se demonstratat e vitit 1981, janë dëshmi e kohës nga përpjekja jonë e hershme dhe këmbëngulëse për lirinë dhe Republikën tonë
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
Demonstratat e vitit 1981, janë dëshmi e kohës nga përpjekja jonë e hershme dhe këmbëngulëse për lirinë dhe Republikën tonë.
Pranvera studentore është nisma e kauzës sonë, është paralajmërim i hershëm i lirisë dhe moment kthese në rrjedhën e historisë sonë.
Demonstratat e nisura më 11 mars 1981 u pasuan edhe nga shumë protesta të tjera, por me synimin e njëjtë.
Kosova u bë Republikë, ngase studentët e asaj kohe dëshmuan se janë forcë lëvizëse e proceseve dhe se e drejta për liri dhe shtet është e patjetërsueshme. Sakrifica dhe guximi i tyre 42-vite më parë, e trasuan rrugën për liri dhe për shtet.
Në këtë përvjetor kujtojmë studentët e rënë dhe të gjithë të tjerët që u bënë bartës dhe realizues të idealeve kombëtare!