Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Klinikën e Onkologjisë në QKUK, në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftimit të Kancerit të Gjirit.
Me këtë rast, Presidentja Osmani i ka dhuruar kësaj Klinike 100 proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.
“Në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftimit të Kancerit të Gjirit, vizitova sot Klinikën e Onkologjisë në QKUK, së cilës ia dhuruam 100 proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri i gjirit ndërkaq në vitet në vijim do ta rrisim këtë përkrahje”, ka thënë Presidentja Osmani.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
Muaji Rozë është një muaj në të cilin duhet ta shprehim solidaritetin, t'i shtojmë përpjekjet, e ta sensibilizojmë secilën grua për rrezikun nga kanceri i gjirit. Identifikimi i hershëm shpëton jetë.
Në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftimit të Kancerit të Gjirit, vizitova sot Klinikën e Onkologjisë në QKUK, së cilës ia dhuruam 100 proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri i gjirit ndërkaq në vitet në vijim do ta rrisim këtë përkrahje.
Prioritet duhet të jetë parandalimi, reduktimi i vdekjeve të parakohshme, krahas zbulimit të hershëm, sikurse edhe përmirësimi i cilësisë së jetës dhe trajtimit të të prekurve nga kjo sëmundje.
Na duhen 12 muaj rozë që jetën ta bëjmë më të mirë me njerëzit tanë bashkërisht!