presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani së bashku me Kryetarin Konjufca bënë homazhe në kompleksin memorial në Çikatovë të Vjetër dhe në Poklek

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Çikatovë të Vjetër dhe në Poklek të Drenasit.

Presidentja Osmani ka thënë se masakra që ka ndodhur në Çikatovë të Vjetër është një prej masakrave më mizore, më të tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë, e cila e dëshmon qartë qëllimin shfarosës që Serbia e kishte ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

“Kushdo që mund të ketë dyshime rreth këtij qëllimi mjafton që të vijë këtu në Çikatovë, pastaj të shkojë edhe në Poklek dhe ta shoh se si serbët nuk kursyen as më të vjetrit, e nuk kursyen as fëmijët e vegjël, e as shkrimtarët e fëmijëve në Poklek, për të treguar kështu që qëllimi i tyre nuk ishte vetëm spastrimi etnik, por ishte që ta zhdukte popullin shqiptar nga faqja e dheut”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani liria e sotme është falë sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

“Sepse, vetëm ditën kur të ketë drejtësi për të gjithë të rënët për lirinë tonë, atëherë edhe paqja, dhe po ashtu stabiliteti afatgjatë në rajonin tonë do të jetë i mundur”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se masakra e Çikatovës së Vjetër është njëri prej akteve më barbare të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

“Sa herë vijmë këtu e kuptojmë edhe më mirë çmimin shumë të madh që e kemi pagu si popull për lirinë e shtetit tonë, për lirinë e popullit tonë. Çka është më e keqja, ka të bëjë me faktin që nuk ka pas drejtësi për masakrën e Çikatovës. Ende shumë kriminelë që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në masakrën e Çikatovës janë të lirë, janë në Serbi, nuk e përjashtoj që ndonjëri prej tyre mund të jetë edhe në Kosovë”, ka thënë kryetari Konjufca.

Presidentja Osmani dhe kryetari Konjufca, gjatë ditës së sotme kanë bërë homazhe edhe në Poklek.

E para e vendit ka thënë se në këtë varrezë prehet edhe Liria gjashtë muajshe.

“Lirie Muqolli kishte vetëm gjashtë muaj kur u vra mizorisht dhe kur pastaj së bashku me mbi 50 martirë të tjerë jo vetëm që u vranë, por u dogjën, dhe jo vetëm që u dogjën, por u dogjën dy herë, në mënyrë që as mos të mund të identifikohen. Për mizori të tilla të shkrumbimit të fëmijëve të pafajshëm, ne patëm dëgjuar dhe patëm lexuar për Luftën e Dytë Botërore, për Holokaustin”, ka thënë presidentja Osmani.

Sipas Presidentes kjo masakër nuk mund të quhet me emër tjetër pos gjenocid, sepse është dëshmia më e qartë e qëllimit që kishte regjimi gjenocidal serb.

“Duhet ta themi me zë të lartë që liria nuk është e plotë. E liria nuk është e plotë për shkak të drejtësisë së munguar. Dhe liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur do të ketë drejtësi për Lirinë e vogël,  vetëm atë ditë kur do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat e pushtetit gjenocidal serb, kur Serbia të kërkoj falje, kur të vendosë lule dhe kur ta pranoj fajin për të gjitha masakrat në Kosovë ndaj njerëzve të pafajshëm”, ka thënë Presidentja.

Ajo më tej ka shtuar se si institucione të Kosovës duhet ta kujtojmë çdo ditë, e të punojmë pareshtur në mënyrë që mos të lëmë asnjë gur pa lëvizur që drejtësia të vihet në vend, që Serbia të dalë para drejtësisë.

“Është po ashtu obligim i yni që të sigurohemi që institucionet të mbledhin të gjitha provat e nevojshme në mënyrë që Serbia së shpejti të paditet për gjenocid. Dhe e gjithë bota të dëgjojë nga ne pavarësisht a jemi sot këtu në Kosovë, nesër në Uashington, në Bruksel, në Berlin e çdo kund për mizoritë që Serbia ka kryer në vendin tonë. Sepse, vetëm duke kujtuar të kaluarën tonë, vetëm duke kujtuar secilin që dha jetën për atdheun tonë, ne do të mund të punojmë drejtë e mirë, e ndershëm për të gjallët, për secilin që ka mbijetuar nga mizoria serbe”, ka theksuar Presidentja.  

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se masakra e Poklekut, është njëra prej masakrave më barbare të gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.

Ai më tej ka thënë se kushdo që do ta kuptojë se çfarë barbarie kishte  gjenocidi i Serbisë në Kosovë duhet ta vizitojë Poklekun.  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.