presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim deputeten Vasfije Krasniqi dhe përfaqësueset e organizatave që avokojnë për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale

Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim deputeten Vasfije Krasniqi dhe përfaqësueset e organizatave që avokojnë për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë. Ajo ka falënderuar aktivistet për kontributin e jashtëzakonshëm në ngritjen e vetëdijes, sfidat që përjetojnë të mbijetuarat e dhunës seksuale, njohjen e dhimbjes së tyre, si dhe dëshmitë historike të përjetimeve të personave që janë të mbijetuar të dhunës seksuale në vendin tonë.

14 prilli i vitit 1999 është data në të cilën Vasfije Krasniqi, sot deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, u rrëmbye atëkohë me forcë nga shtëpia e saj dhe u dhunua në mënyrë barbare nga forcat serbe.

Presidentja Osmani e përgëzoi deputeten Krasniqi për guximin dhe vendosmërinë e saj për ta shndërruar dhimbjen në forcë, duke u bërë kështu  zëri i mbi 20000 personave të mbijetuar të dhunës seksuale nga lufta e fundit.

Në këtë takim, Presidentja Osmani u zotua se nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, data 14 prill do të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Po ashtu, zonja Osmani premtoi se në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të angazhohet për t`i ndërmarrë hapat e nevojshëm institucional për  ta caktuar 14 prillin, ditë të shënuar me ligj. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.