presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e Estonisë, Janne Jõesaar-Ruusalu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Republikës së Estonisë në Kosovë, Janne Jõesaar-Ruusalu, të cilës i ka uruar mirëseardhje.

Presidentja Osmani ka falënderuar ambasadoren Jõesaar-Ruusalu për mbështetjen e palëkundur të Estonisë për Republikën e Kosovës ndër vite, duke e vlerësuar partneritetin në mes të dy shteteve si strategjik. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka theksuar potencialin e thellimit të bashkëpunimit me Estoninë në fushën e mbrojtjes, digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.

Në takim është diskutuar edhe për nevojën e përshpejtimit të perspektivës euroatlantike për Republikën e Kosovës. Presidentja Osmani ka theksuar se integrimi euroatlantik është garancia e vetme për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka vlerësuar mbështetjen e Estonisë, si dhe ka kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe përmbylljen urgjente të procesit të liberalizimit të vizave.

Presidentja Osmani dhe ambasadorja Jõesaar-Ruusalu kanë folur edhe për zhvillimet gjeopolitike në kontinent, gjegjësisht, luftën në Ukrainë, si dhe kërcënimin e Rusisë dhe satelitëve të saj kundrejt paqes dhe sigurisë. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e bashkërenduar politikisht me Estoninë me sanksione kundër Rusisë, ndërsa ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani është shprehur e bindur se raportet e shkëlqyeshme bilaterale në mes të Kosovës dhe Estonisë do të vazhdojnë të forcohen edhe gjatë mandatit të ambasadores Jõesaar-Ruusalu. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.