presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani në Seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s: Kosova në NATO, prioritet shtetëror, parakusht për paqe e stabilitet në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të Seminarit të 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po zhvillon punimet në Prishtinë me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“.

Në prezencë të deputetëve nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, si dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, Presidentja Osmani, theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për forcimin e sundimit të rendit e  ligjit, integrimit në BE dhe në strukturat veriatlantike.

Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Anëtarësimi në NATO, sipas Presidentes Osmani është prioritet shtetëror i Kosovës, sikurse edhe parakusht për sigurimin e paqes në rajon, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta. Sipas saj, këtij hapi duhet t`i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

Në raport me rrezikun ndaj arkitekturës së sigurisë në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë dhe implikimet e këtyre zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Presidentja Osmani ka potencuar se integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor është një interes strategjik evropian për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Sipas saj, shumica e vendeve të rajonit, përveç Serbisë, janë të përkushtuara ndaj vlerave të përbashkëta demokratike euroatlantike dhe sigurisë kolektive.

Duke kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe, para deputetëve nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova e ka absolutisht të qartë qëllimin për të qenë anëtare e NATO-s, derisa paradoksi është që Serbia prej 15 vjetësh është anëtare në PFP, porse refuzon t`i bashkohet aleancës ushtarake më të madhe në botë dhe në të njëjtën kohë mbanë marrëdhënie të fuqishme me Rusinë.

Në hapje të këtij seminari, Presidentja Osmani ka bashkëbiseduar me pjesëmarrës nga shtetet anëtare të NATO-s dhe shtete tjera partnere për çështjetë shumta me rëndësi në Evropë dhe rajon, që ndërlidhen me bashkëpuimin me NATO-n, sulmet kibernetike, kampanjat e dezinformimit të sponzorizuara nga Rusia, çështjet e energjisë dhe shumë tema tjera nga fusha e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Seminari i 102-të Rose-Roth organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF).

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.